Dikur

16 Janar 1925/ Koha kur  “GAZET’ e KORÇËS”, botonte njoftimin e Zyrës së Shtypit të kryeministrit Zog, për paratë që grabiti Noli dhe qeveria e tij nga arka

Rezultatet e atij kontrolli u dhanë nga Zyra e Shtypit e kryeministrit Ahmet Zogu dhe ato u publikuan nga “GAZET’ e KORÇËS” e datës 16 janar 1925, duke dhënë emrat, funksionet dhe shumat me abuzimet që kishin bërë 53 funksionarë të lartë të qeverisë së Nolit, si ministra, deputetë, prefektë, nënëpunës bashkish, ushtarakë të lartë, e deri tek shoferi i tij personal…
Featured image of article: 16 Janar 1925/ Koha kur  “GAZET’ e KORÇËS”, botonte njoftimin e Zyrës së Shtypit të kryeministrit Zog, për paratë që grabiti Noli dhe qeveria e tij nga arka Fan Noli

TIRANË- Memorie.al publikon historinë e panjohur të kontrollit financiar që bëri qeveria e kryeministrit Ahmet Zogut vetëm dy javë pas ardhjes së tij në pushtetit në fundin e dhjetorit të vitit 1924, ku rezultonte se një numër i madh funksionarësh të lartë të qeverisë së kryeministrit Fan Noli, duke filluar nga ai vetë personalisht, kishin bërë shpërdorime dhe abuzime të ndryshme financiare në shumë të mëdha. Rezultatet e atij kontrolli u dhanë nga Zyra e Shtypit e kryeministrit Ahmet Zogu dhe ato u publikuan nga “GAZET’ e KORÇES” e datës 16 janar 1925, duke dhënë emrat, funksionet dhe shumat me abuzimet që kishin bërë 53 funksionarë të lartë të qeverisë së Nolit, si ministra, deputetë, prefektë, nënëpunës bashkish, ushtarakë të lartë, e deri tek shoferi i tij personal…?!

Që nga fillimi i viti 1914 kur kryeministri i të parës qeveri shqiptare, Ismail bej Qemali, u detyrua të dorzonte mandatin qeverisës, i cili u mor prej Turhan Pashës, e deri në kabinetin e fundit të para disa viteve të kryesuar nga kryeministri Berisha, rrotacioni politik në Shqipëri është shoqëruar me të njëjtin fenomen: Qeveria pasardhëse akuzon qeverinë e shkuar për korrupsion dhe përfitime të paligjshme në kurriz të arkës së shtetit, duke proceduar për gjyq edhe disa ish-funksionarë të saj, ndërsa qeveria paraardhëse mbrohet duke thënë se “ato s’janë gjë tjetër veçse akuza politike”. Kjo gjë duket se është një “muzikë e vjetër” që shqiptarët e kanë dëgjuar që nga krijimi i shtetit shqiptar në 1912-ën e në vazhdim dhe nuk dihet se kur do të ndalojë…?!

Kështu ka ndodhur edhe 95 vite të shkuara, kur nuk kishin kaluar as dy javë nga rikthimi i Zogut në pushtet, në datën 16 janar 1925, Zyra e tij e Shtypit në Kryeministri nxorri një njoftim për shtyp ku bënte të ditur rezultatet e një kontrolli që ishin bërë nga instancat përkatëse lidhur me shpërdorimet dhe abuzimet financiare që ishin bërë nga qeveria e kryeministrit Fan Nolit dhe një pjese të madhe të zyrtarëve të lartë të tij. Sipas kontrollit financiar, rezultonte se abuzimet ishin bërë që nga vetë kryeministri, Noli, si dhe një pjesë e zyrtarëve të lartë të tij, si ministra, deputetë, prefektë, nënprefektë, ushtarakë, nënpunësa bashkish, e deri tek punonjësit e thjeshtë duke përfshirë edhe shoferion e tij. Të gjitha këto u bënë publike në shtyp dhe e para që e botoi ishte “GAZET’ e KORÇES”, e datës 16 janar të vitit 1925, të cilën po e botojmë, duke e përmbledhur në tabelën e mëposhtme.

Njoftimi u shpall nga zyra e shtypit e Kryeministrit Ahmet Zogu

Qeveritarët e akuzuar: nga Kryeministri Fan Noli, deri te shoferi i tij

Në njoftimin e bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit Ahmet Zogu, i cili është publikuar në “GAZET’ E KORÇES”, e datës 16 janar 1925, jepet një listë prej 53 qeveritarësh dhe funksionarësh të lartë të administratës shtetërore, të akuzuar për shpërdorime dhe përfitime të paligjshme në shuma të mëdha parash nga arka e shtetit. Në krye të asaj liste qëndron vetë Kryeministri Fan Noli, i cili akuzohet se ka përfituar një shumë prej 300 frangash ari nga shpenzimet e makinës së tij si Kryeministër. Pas Fan Nolit, në atë listë figurojnë edhe disa nga anëtarët e kabinetit të tij, si ministri i Brendshëm, Xhemal Bushati; ministri i Jashtëm, Sulejman Delvina; ministri i Botores, Qazim Koculi e Stavro Vinjahu, që akuzohen se kanë përfituar shuma të mëdha nga buxheti i shtetit. Pas anëtarëve të kabinetit të Nolit, lista vijon me të tjerë qeveritarë dhe funksionarë të rangjeve më të ulëta si: prefektët Qazim Mulleti, Riza Dani, Kolë Tromara e Fiqëri Rusi, nënprefektët Hysen Prishtina, drejtor i Kontabilitetit në Ministrinë e Financave, Angjelin Suma etj. Në atë listë emrash nuk mungojnë edhe disa nga ushtarakët e lartë të asaj kohe, si nënkolonel Ismail Haki Tatzati, major Rexhep Brati e major Ibrahim Jakova, ku shuma për të cilën ata akuzohen arrin në 60000 franga ari.

Në listën e të akuzuarve për përfitime të paligjshme bëjnë pjesë edhe disa policë bashkie, apo shoferi i Kryeministrit Fan Noli. Pjesa më e madhe e qeveritarëve të akuzuar për grabitje të arkës së shtetit, duke filluar nga Kryeministri Fan Noli, u larguan nga Shqipëria në 24 dhjetorin e vitit 1925 dhe nga emigracioni politik ku ata qëndruan deri në prillin e vitit 1939 akuzonin qeverinë e Zogut po me të njëjtën “monedhë”.

Emrat, funksionet dhe shumat e përfituara nga arka e shtetit

       Emëri, Funksioni,Shuma Franga Ar

1) Angjelin Suma/ Drejtor Kontabiliteti në Ministrinë e Financave/ 580, 2) Mustafa Kallamishi /326.10, 3) Mehmet Bilali / Kapiten i varkës /434.75, 4) Ismail Haki Tatzati / Nënkolonel, 5) Rexhep Brati /major, 6) Ibrahim Jakova /major/60.000, 7) Aleks Pëllumbi /toger / 9.221, 8) Xhemal Bushati /Ministër i Punëve të Brendëshme / 5.000, 9) Llazar Fundo / Kryetar i Komisjonit të Bashkimit/ 2.608.70, 10) Fan Noli /Kryeministër (shpenzime automobili)/ 300, 11) Qazim Koculi /Ministër i Punëve Botore/ 375, 12) Sulejman Delvina/ Ministër i Punëve të Jashtëme /240, 13) Stavro Vinjahu për Bahri Omarin /1.000, 14) Sulo Bogdo e Ibrahim Dedja, 15) Petro Pekmezi /Nëpunës i M. Punëve Botore/171, 16) Vangjel Papa /Sekretar gjyqi ushtarak /400, 17)(………………) /Shoferi i Kryeministrit/ 152,   18) Mustafa Banka/ Protokollist Ministria e Arsimit /380, 19) Zyber Bakiu / Sekretar Ministria e Drejtësisë /475, 20) Bilal Rustemi /Polic i Kryeministrit /266, 21) Mihal Libohova /Avokat, ndihmës antar i gjyqit politik /350, 22) Shefqet Kulleci /Protokollist Ministria e Brendëshme/342, 23)Ali Sulejmani /(shpenzime komunikimi)/300, 24) Brah /(për transportin e ushtrisë)/ 326.10, 25) Kostandin Kote /Nëpunës parlamenti /285, 26) Serafin /Drejtor Parlamenti /380.

Shuma e tërë Franga Ar 92.300.15

Financës së Tiranës

27) Beqir Rusi /Nënprefekt /684, 28) Mustafa ………………./ 304, 29) Eftim Bolena/polic/ 266, 30) Bexhet Neimi    /polic /266, 31)Masar Sopoti /Sekretar gjyqit fillimit / 266.

Shuma fr. Ar 1.786

Drejtorisë së Financave të Durrësit

32) Riza Dani /Prefekt /1326, 33) Musa Maci / Nënprefekt i Shijakut / 937.60, 34) Ali Festuzi / Kryesekretar i Prefekturës /237.50, 35) Luigj Zaja / Protokollist Prefekture / 413.25, 36) Muharrem Geco / Komisar i Policisë Durrës / 1000, 37) Kasem Durrësi / Nëpunës Kadastre/ 351, 38) Shaban Belegu / Mësues në Shijak / 342, 39) Rexhep Dizdari / Drejtor i Shkollës së Shijakut /190, 40) Ali Tartari / Sekretar gjyqit / 190.

Shuma fr. ar 5277

Financa e Shkodrës

41) Riza Dani (për Drejtorin e Financave të Shkodrës) 40.000

Financa e Dibrës

42) Qazim Mulleti    966

Financa e Elbasanit

43) Kol Tromara /Prefekt / 1.306.25, 44) Hysen Prishtina / Nënprefekt /812.23, 45) Demir Kodhelli / Drejtor i Shkollës Peqin / 418, 46) Ahmet Barburja / Mësues Elbasan / 551, 47) Mahmut Cela / Mësues Elbasan / 445.

Shuma fr. ar 3.543.40

Financa e Gjinokastrës

48) Hil Mosi / Prefekt / 133. 35, 49) Sezai Como /Doktor për bursë /293.45.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shuma fr. ar. 1156.80
Financa e Përmetit

50) Koço Cipi  / 812.80

Financa e Kavajës

51) Qazim Mulleti /Nënprefekt /410.95

Financa e Lushnjes

52) Naum Prifti / Mësues /114

Shuma e përgjithshme: fr. ar. 140.376.20

Zyra e Shtypit

Historiografia e regjimit komunist, akuza ndaj Mbretit Zog

A i vodhi Zogu florinjtë e shqiptarëve?

Një ndër akuzat e shumta që propaganda zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës bënte në drejtim të ish-Mbretit Zog, ishte dhe ajo ku thuhej se: “satrapi Ahmet Zogolli, zhvlerësoi floririn dhe rriti në mënyrë artificiale vlerën e kartëmonedhave letër, me qëllim që të mblidhte më pas arin, të cilin e mori me vete kur u largua nga Shqipëria në 7 prillin e vitit 1939”.

Brezi i vjetër i shqiptarëve që e ka jetuar pothuaj të gjithë periudhën e viteve të regjimit komunist të para viteve ‘90-të, e mbajnë mend fare mirë këtë akuzë që i atribuohej Mbretit Zog, gjë e cila përsëritej jo rrallë në bisedat e tyre, kur binte fjala për periudhën e Monarkisë dhe vetë Mbretin e shqiptarëve. Por edhe pse kjo akuzë ishte ngulitur e rrënjosur thellë në memorien historike të një brezi të tërë shqiptarësh, ajo nuk u shkrua kurrë zyrtarisht në tekstet e ndryshme shkollore, apo ato të Akademisë së Shkencave dhe institucionet e ndryshme arsimore dhe shkencore të Shqipërisë së asaj kohe.

Akuza se “Mbreti Zog, zhvlerësoi floririn dhe rriti vlerën e kartëmonedhës letër, për të mbledhur më pas floririn e shqiptarëve”, mbeti thjesht një akuzë propagandistike e atij regjimi për konsum publik. Po si qëndron e vërteta rreth kësaj akuze? A e mblodhi vërtet Mbreti Zog floririn e shqiptarëve në këmbim të kartëmonedhës letër, duke ia ngritur disa fish vlerën asaj në mënyrë artificiale?

Përse kjo akuzë ndaj tij, ndryshe nga akuzat e tjera që i atribuoheshin atij si: “satrap”, “gjakatar”, “kriminel”, “shiti Shën-Naumin”, “vrasës i kundërshtarëve të tij politikë”, etj., etj., nuk u shkrua kurrë në historiografinë zyrtare të regjimit komunist të Enver Hoxhës? Përse akuza e “zhvlerësimit të floririt”, që i është bërë Mbretit Zog, ka zënë vend me kujtesën popullore të shqiptarëve për afro gjysmë shekulli me radhë, dhe asnjë nga specialistët e Financave, ekonomistë të njohur apo dhe studiues e historianë të asaj periudhe nuk e pohojnë si të vërtetë atë gjë? Si rezultat, ajo mbeti thjesht një akuzë propagandistike, nga ato që regjimi komunist i para viteve ‘90 bënte për efekt të politikës së tij.

Qeveria “Meksi” nxori para gjyqit ish-bllokmenët për miliona lekë shpërdorime nga arka e shtetit

Me shembjen e regjimit komunist në fillimin e viteve ‘90-të, opozita e asaj kohe, e kryesuar nga Partia Demokratike, ngriti me të madhe në Parlament problemin e abuzimeve dhe shpërdorimeve të mëdha financiare që kishin bërë me paratë e arkës së shtetit ish-funksionarët e lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, akuzë e cila rëndonte kryesisht ndaj familjeve të anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullore, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera të larta të shtetit të para viteve ‘90-të.

Për të kontrolluar, zbardhur dhe denoncuar të gjitha abuzimet e bëra nga familjet e nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, me vendim të Parlamentit të asaj kohe u ngrit një komision hetimor parlamentar, i cili kishte si detyrë kryesore për të zbardhur dhe hedhur dritë mbi akuzat e denoncimet e bëra nga opozita. Në përfundim të hetimeve, me të cilat u mor edhe organi i Prokurorisë, u konstatuan shkelje të rënda, abuzime, përvetësime dhe shpërdorime të mëdha parash nga arka e shtetit, të cilat familjet e ish-nomenklaturës së lartë i kishin kryer gjatë kohës së qeverisjes së tyre, madje deri në muajt e fundit të lëshimit të pushtetit.

U bë e ditur edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili u lexua në Parlament nga kreu i saj, Blerim Çela. Ato shpërdorime, përfitime, abuzime, vjedhje etj., ku pjesa më e madhe rëndonte mbi Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, konstatonin kryesisht në: abuzimet me fondet për pritjet e delegacioneve dhe miqve të huaj, udhëtimet dhe vizitat mjekësore jashtë shtetit, fondet për dhurata, ndërtime dhe shtesa vilash në rezidencat qeveritare verore dhe dimërore ku ata kishin banuar, blerje të ndryshme etj., etj.

Pas konstatimeve të kryera, organi i akuzës lëshoi urdhër-arrestet dhe çështjen ia kaloi gjykatës për gjykim. Si rezultat, në atë kohë përfunduan prapa hekurave të qelive një pjesë e madhe e krerëve kryesorë të ish-nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, duke filluar nga ish-presidenti Ramiz Alia, ish-kryeministri Adil Carcani, Nexhmije Hoxha, Hekuran Isai, Simon Stefani, Foto Cami, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Rita Marko, Pali Miska, Manysh Myftiu etj.

Gjyqi ndaj tyre zgjati disa muaj me radhë dhe në përfundim ata u shpallën fajtorë, duke u dënuar me disa vjet heqje lirie, si dhe iu kërkua të kthenin në arkën e shtetit shumat e parave të shpërdoruara. Ish-funksionarët e lartë, të dënuar për abuzime me arkën e shtetit, qëndruan në burg deri në marsin e vitit 1997, dhe si rezultat i trazirave të ndodhura në atë kohë, mundën që të fitonin lirinë. Pas ardhjes së të majtës në pushtet, në vitin 1997, ata u shpallën të pafajshëm dhe jo vetëm që nuk u kthyen më në qelitë e burgut si një pjesë e madhe e “kolegëve” të tyre, por përfituan edhe dëmshpërblime për ato pak vite që qëndruan prapa hekurave të qelive.

Ish-kryeministri Nano u akuzua për vjedhje dhë bëri disa vite burg

Fan Noli, apo dhe Ahmet Zogu, nuk janë të vetmit ish-kryeministra të Shqipërisë që janë akuzuar nga pasardhësit e tyre për abuzime dhe vjedhje të arkës së shtetit. Pas viteve ‘90-të kjo gjë ka ndodhur edhe me disa pasardhës të tyre, si Vilson Ahmeti apo Fatos Nano, të cilët përfunduan edhe prapa hekurave të qelive. Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, grupi i saj parlamentar ngriti me të madhe problemin e abuzimeve që kishin bërë disa ish-ministra të qeverisë teknike të kryesuar nga Kryeministri Vilson Ahmeti, të cilët përfaqësonin Partinë Socialiste. Pas kësaj ata u nxorën para gjyqit dhe u dënuan me burgime për shpërdorimet për të cilat akuzoheshin.

Po kështu, në atë kohë Partia Demokratike dhe qeveria e saj hodhi akuza dhe denoncoi edhe ish-kryeministrin Fatos Nano, duke e bërë atë fajtor për shpërdorime në miliona dollarë, të cilat kishin të bënin me ndihmat që kishte përfituar qeveria shqiptare nga donatorët e huaj në kuadrin e mallrave të shportës.

Si rezultat i këtyre akuzave, ish-kryeministri Nano u arrestua, pas një flete-arresti të prerë nga prokurori i Tiranës, Arben Qeleshi. Pas disa muaj hetuesie, Fatos Nano doli para gjyqit, i cili e dënoi me 12 vjet burgim dhe kthimin e një sasie të madhe parash në arkën e shtetit. Nano e vuajti dënimin në burg deri në trazirat e marsit 1997, dhe në atë kohë, si shumë të tjerë dhe ai u largua nga vendi i dënimit.

Me ardhjen e të majtëve në pushtet, në vitin 1997, ai jo vetëm që nuk u kthye më në burg, por ashtu si pjesa më e madhe e ish-zyrtarëve të lartë të dënuar për shpërdorime dhe vjedhjeve të parave të shtetit, mori pafajësinë, duke përfituar edhe dëmshpërblim për vitet e burgut të bëra me të padrejtë.

Marrë nga Memorie.al

(a.m;E.K/dosja.al)

Shto Koment