Aktualitet

Zbardhet vendimi i gjykatës për dosjen ‘CEZ’, pse u pushua çështja: S’ka elementë të veprës penale. Socialistët paraqitën e-mail-et e Ndue Kalajt si provë

Në vendimin e gjykatës së Tiranës thuhet se nga hetimet e prokurorisë nuk rezultoi të jenë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Featured image of article: Zbardhet vendimi i gjykatës për dosjen ‘CEZ’, pse u pushua çështja: S’ka elementë të veprës penale. Socialistët paraqitën e-mail-et e Ndue Kalajt si provë Godina e CEZ

TIRANË- Pas hetimeve gati 3-vjeçare Gjykata e Tiranës vendosi pak ditë më parë të pushojë çështjen lidhur me procedurën e privatizimit të OSSH nga çekët e CEZ në vitin 2007. News24 ka zbardhur këtë vendim të firmosur nga gjyqtari Lazër Sallaku i cili e konsideron të mbyllur dosjen CEZ pas konkluzioneve se hetimet nuk dhanë rezultat dhe nuk u gjendën element të veprave penale për ish-zyrtarët e akuzuar. Për hetimet për procedurën e privatizimit të OSSH u morën në pyetje një numër i lartë zyrtarësh përfshirë edhe djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Në vendimin e gjykatës së Tiranës thuhet se nga hetimet e prokurorisë nuk rezultoi të jenë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Socialistët pretendonin se biznesmeni Nuel Kalaj për shkak të lidhjeve që kishte me Shkëlzen Berishën, kishte ndikuar në çështjen e privatizimit. Si prova për këtë paraqiteshin disa e-maile të shkëmbyera mes Kalajt dhe përfaqësuese të kompanisë çeke CEZ. Por gjykata arsyeton se nga përmbajtja e e-mail-eve Ndue Kalaj si mik i Shkëlzen Berishës nuk ka pasur asnjë ndikim për privatizimin e OSSH të CEZ. Në vendim thuhet se nuk rezulton që i akuzuari nga Ministria e Energjisë të ketë kërkuar përfitime të paligjshme për të premtuar kryerjen e këtij ndikimi.

Në njërën nga e-mailet që citohet në vendimin e gjykatës thuhet se Kalaj ka shtrënguar duart me kryeministrin dhe se ai është shprehur i kënaqur të priste nëndrejtorin e CEZ, Tomas Pleskash. Por ky pohim thotë gjykata nuk shoqërohet me asnjë të dhënë tjetër që të nënkuptojë se tek ai është ushtruar ndikim, po kështu nga e-mail-et del se edhe takimi me Shkëlzen Berishën është kryer një ditë pas takimit me investitorët.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Edhe për pretendimet e Ministrisë së Energjisë se në periudhën janar 2008 deri në qershor 2009, kompania CEZ ka kryer transaksione parash në favor të shtetasit Ndue Kalaj prej më shumë se 6 milionë eurosh pa dokumentacion justifikues nga banka, gjykata thotë se “nëse i referohemi kohës në të cilën është bërë kalimi i shumës del se transferta e fundit mban datën 12 qershor 2009, ndërsa e-mail-et e tjera, ku përmendet takimi me të birin, duke nënkuptuar kryeministrin Berisha dhe lidhjen e tij me Shkëlzen Berishën janë kryer kohë më vonë në vitet 2010 dhe në vijim”.

Nga përmbajtja e këtyre e-mail-eve gjykata thotë se nuk rezulton të jetë premtuar ndikimi te ndonjë person konkret në një mënyrë konkrete. Për çështjen e privatizimit të OSSH të CEZ u ngrit edhe një Komision Hetimor Parlamentar i drejtuar nga deputeti socialist Taulant Balla, i cili në finale të tij arriti në konkluzionin se nga procedura e privatizimit të shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 414 milionë eurosh. Kreu i grupit parlamentar socialist pas vendimit të gjykatës për pushim të çështjes sulmoi ashpër gjykatësin Lazër Sallaku duke e futur në grupin e ‘KÇK’-së. Balla deklaroi se vendimin në fjalë do ta ankimojë dhe gjetjet e komisionit hetimor do t’i dërgojë në SPAK.

Shto Koment