LIVE UPDATES
Ekonomi

Boboshtica, fshati i “plakur” që kërkon ringjallje nga turizmi, zbrazja nga banorët dhe popullimi nga vizitorët (FOTO)

29 Janar 2020, 18:08 Nga DOSJA
Boboshtica, fshati i “plakur” që kërkon ringjallje nga

KORÇË- Boboshticën sot e gjen midis projektit ambicioz të “100 fshatrave turistikë” dhe dëshirës për braktisje të banorëve, të cilët shprehen skeptikë për zhvillimet që mund të marrë fshati falë këtij projekti të qeverisë shqiptare, ku deri më tani, ata s’kanë parë asnjë investim konkret.

Boboshtica ndodhet 7 kilometra larg qytetit te Korcës. Ndonëse përzgjedhja e Boboshticës në projektin e qeverisë ngjall xhelozinë e fshatrave të tjerë përreth që pretendojnë se kanë potencialet e mjaftueshme për të zhvilluar turizmin, vetë banorët, edhe pse e mirëpresin projektin, shprehen disi mosbesues në suksesin e tij, duke renditur edhe disa nga arsyet e skepticizmit të tyre.

Fshati me plagën e emigracionit masiv

Boboshtica, njësoj si fshatra të tjera të njohura në zonën e Korçës si; Dardha dhe Voskopoja, prej gati një shekulli i kanë pasur sytë nga emigracioni. Për familjet e vjetra të këtij fshati, Rumania ka qenë një vend ku preferuan të emigronin në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar. Asokohe, një pjesë e mirë e emigrantëve i ktheheshin vendlindjes të shkolluar, me një kulturë të përparuar dhe mbi të gjitha me kontribute financiare që shkonin në dobi të Boboshticës. Fenomeni i migrimit u përsërit vrullshëm pas vitit 1990. Boboshtica në afro tre dekada ka përjetuar ‘’hemorragjinë’’ më të madhe të banorëve të saj. Nga një fshat me afro 2700 banorë, regjistron aktualisht jo më tepër se 300. “Ata që kanë mbetur në Boboshticë janë thuajse të gjithë të moshës 60 vjeç e sipër”, thotë infermierja e qendrës shëndetësore Matilda Çaprazi. Në rrugët e fshatit shikohen vetëm të moshuar që çapiten me mundim drejt qendrës shëndetësore për të kryer vizitat ose për të marrë ndonjë rekomandim që të blejnë barnat. Familjet e larguara janë vendosur kryesisht në Greqi, nga ku vijnë e çmallen me prindërit e vendlindjen për pak ditë në periudhën e verës ose atë festive të fundvitit. “Kanë filluar tek-tuk këta të kurbetit të riparojnë shtëpitë, sa për prindërit e tyre që jetojnë prej vitesh të vetmuar”, thotë Elpi Manço, një 84-vjeçare që i përket një prej familjeve më të vjetra të Boboshticës. Fshati i plakur nuk ka shenja gjallërie të fëmijëve. Ata po rriten në dhe të huaj duke harruar dalëngadalë vendlindjen e të parëve. E kjo për pleqtë e Boboshticës do të thotë se po shteron vazhdimësia e jetës këtu.

Fshati, pa shkollë 9-vjeçare prej disa vitesh

Në vitin 1917, Mihal Kuneshka, një emigrant i shkolluar në Rumani dhe i kthyer në vendlindje hapi për herë të parë shkollën e Boboshticës. Fshati krenohej me traditat e spikatura arsimdashëse. Në nderim të një prej bijve të vet më të shquar, akademikut, poetit dhe shkrimtarit Viktor Eftimiu, u ngrit në një nga ambientet e shkollës edhe një muze kujtese për jetën dhe veprën e tij. Si shkolla, edhe dhoma muze brenda saj tregojnë një realitet të hidhur. Së pari u la pas dore muzeu, për mirëmbajtjen ndaj tij nuk kujdesej më njeri dhe materialet e dëshmitë historike nisën të humbasin. Pastaj u mbyll shkolla 9-vjeçare. Kur ndodhi kjo, tre vite më parë, lajmi u përcoll e pati jehonë si një ‘gjëmë’. Në mungesë të fëmijëve, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse shkolla të mbyllej. Ata 3-4 vogëlushë nga familjet e mbetura në Boboshticë dërgohen të mësojnë në shkollën greke që funksionon në periferi të Korçës. Ndërsa ndërtesa dykatëshe e shkollës shërben për çdo lloj emergjence e problemi që i krijohet fshatit, e destinuar të humbasë njëherë e përgjithmonë funksionin për të cilin u ngrit. Aty është vendosur një familje prej 9 banorësh në vështirësi strehimi si dhe qendra shëndetësore e fshatit. “Jemi pjesëtare të familjes së Xhovan Koroveshit”, prezantohet si me frikë një grua në korridorin e brendshëm të ish-shkollës. Ajo tregon se janë vendosur provizorisht në një dhomë pas dëmtimit të shtëpisë nga vala e tërmeteve të qershorit 2019, që goditi rajonin e Korçës. Sapo dëgjon bisedën, shfaqet nga një derë e hapur në fundin e korridorit një tjetër grua e re, e veshur me bluzë të bardhë. Kjo është infermierja Matilda Çaprazi. Provizorisht, për sa kohë do të zgjasë rikonstruksioni i qendrës shëndetësore, shërbimet e saj janë zhvendosur në ambientet e ish-shkollës. Qendra po rikonstruktohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe kujdesit social, në kuadër të projekteve për rikonstruksion të qendrave të amortizuara ndër vite. Në dhomën e përshtatur për vizita mjekësore, një pjesë të saj e zënë nja dy rafte me kartela të banorëve. Hapësira më e madhe e asaj që dikur ishte një klasë mësimi, zihet nga materialet e dëshmitë e verdha historike të muzeut të Viktor Eftimiut. Një zgjidhje e detyruar e një bashkëjetese e sajuar që banorët e Boboshticës sa herë të kenë nevojën e mjekut të kujtojnë edhe të kaluarën e lavdishme të fshatit. Ambientet e shkollës në të cilat ndodhet edhe ish muzeu është në projekt për t’u investuar nga Bashkia Korçe, duke u përshtatur si Muzeu Kombëtar i Rakisë, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri.

Fshatit turistik i mungon investimi në infrastrukturë

Mënyra kryesore që Bashkia e Korçës ka zgjedhur për nxitjen e turizmit në Boboshticë, tani për tani është promovimi i vlerave dhe traditës së saj nëpërmjet festës lokale të rakisë. Natyrisht që përfshirja në projektin e 100 fshatrave turistikë pritet t’i sjellë edhe të tjera investime, që do të krijonin standarde të pranueshme për pushuesit. Investimin më të rëndësishëm, Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo e konsideron atë të ngritjes së muzeut të rakisë. “ Ky është një projekt investimi i qeverisë shqiptare, për të krijuar brenda godinës së ish shkollës së fshatit muzeun kombëtar të rakisë”, thotë kryebashkiaku i Korçës. Si një investim mjaft të dobishëm për banorët që janë në pjesën dërrmuese të moshuar, ai shikon edhe rikonstruksionin e qendrës shëndetësore.

Po kryhen punime intensive për rehabilitimin e ndërtesës së saj njëkatëshe që të përfundojë sa më shpejt. Për një fshat me perspektivë zhvillimin turistik, qendra shëndetësore me standarde shërbimi, shikohet si domosdoshmëri. Banorët nga ana e tyre, pyesin të paduruar se kur do të investohet për rrugën. Në gjendje të amortizuar prej vitesh, segmenti rrugor prej 7 kilometrash nga Korça deri në Boboshticë tregon se në të nuk është shtruar asfalt prej vitesh. E ngushtë sa shkëmbehen me vështirësi dy makina. “E dimë këtë projektin e 100 fshatrave, por rruga kur do fillojë të bëhet?” pyet Edi Pino, pronari i një prej tavernave më të njohura të Boboshticës. Por kësaj nevoje të banorëve, kryebashkiaku i Korçës nuk i jep një përgjigje të prerë. Sotiraq Filo sqaron se si projekti i muzeut kombëtar të rakisë, edhe ai për rikonstruksionin e rrugës varen nga vënia në zbatim e projektit të 100 fshatrave turistikë.

Një linjë transporti që afron Boboshticën me Korçën

Për pjesën më të madhe të fshatrave të afërta me qytetin, Bashkia e Korçës e ka zgjidhur çështjen e transportit publik duke i lehtësuar banorët e tyre. Nikolin Lika, përgjegjës i drejtorisë së Kontrollit dhe territorit në bashki thotë se funksionojnë 23 linja transporti të licencuara për fshatrat. Diku shtrihet shërbimi urban e diku ai privat në orare të caktuara, por Boboshtica nuk e ka arritur ende këtë standard. Nga Korça drejt këtij fshati mund të udhëtohet me një furgon dy herë në ditë, në ora 10.00 de në 13.00. Mjeti me udhëtarë të përhershëm të moshuarit e fshatit, asnjëherë nuk është i mbushur plot. “Bashkia as nuk pengon dhe as mund të detyrojë linja të tjera shtesë transporti për në Boboshticë, por vetë numri i pakët i banorëve të saj dikton lëvizjen e mjeteve”, shprehet Nikolin Lika. “Nuk e ke kënaqur një mik që vjen të vizitojë Korçën nëse nuk e shijon Boboshticën”, e përmend me krenari këtë thënie kryeplaku i fshatit Konstandin Xhoxhi. Sipas tij, pushuesit vendas e të huaj që vijnë në Korçë, nëpërmjet një linje të përhershme urbani do kishin mundësi të vizitonin më dendur edhe Boboshticën. Në këtë fshat kanë se çfarë mbresash të marrin me vete. Manat e zeza shekullore janë monumentet natyrore autoktone të fshatit. Nëpër shtëpi, të moshuarat që ziejnë vetë rakinë e manit të mirëpresin sipas traditës. Kishat e Boboshticës janë një trashëgimi më vete, që tërheqin më së shumti qytetarët korçarë. Mes gjelbërimit e natyrës së qetë të fshatit janë tavernat, që ashtu si manat identifikojnë në këto dy dekadat e fundit Boboshticën. Për një fshat që shpresat i ka te turizmi.

Fshati i zbrazur ditën nga banorët, por i populluar mbrëmjeve nga vizitorët

Megjithatë, projekti i 100 fshatrave, i shpallur nga Kryeministri Edi Rama kur e vizitoi Boboshticën disa muaj më parë, nuk duket pa gjë. Janë tavernat tashmë të njohura për pushues të shumtë vendas e të huaj ato që japin shpresë se Boboshtica ka një perspektivë turistike. Ashtu si në vitet ‘30-të kur paria e Korçës e kishte të preferuar këtë fshat, vetëm pak kilometra larg qytetit për të kaluar mbrëmjet dhe organizuar në fundjava piknikë në natyrë, edhe tani Boboshtica ka krijuar një traditë të mirë të pritjes së turistëve. Këtu janë ngritur dhe kanë aktivitet 6 taverna, frekuentimi i të cilave sidomos në fundjavë është i lartë. “Mesatarisht kemi rreth 2 mijë pushues në muaj”, pretendon Edi Pino që ka në zotërim një prej tavernave të para dhe të njohura në Boboshticë. Me albumin e pafund të fotografive që bën me klientët, ai ka zgjedhur jo vetëm një formë reklamimi të lokalit, por edhe për të dëshmuar personalitetet e artit, sportit e pa dyshim edhe të politikës, që e kanë frekuentuar tavernën e tij. Ruan si kujtesë të aktivitetit gati 20-vjeçar të tavernës edhe tre blloqe voluminozë përplot me shënime e përshtypje nga vizitorët e ndryshëm që kanë qëndruar në tavernën e tij. “Jam duke investuar për ndërtimin e një hoteli, i pari dhe i vetmi ky që po ngrihet në Boboshticë”, tregon Edi Pino. Ai shton se ka qenë kërkesa e vetë klientëve për të pasur një vend akomodimi për fjetje në fshatin turistik.

Pra, pothuajse e zbrazët gjatë ditës, me banorët e pakët që shëtisin nëpër rrugë apo kryejnë ndonjë vizitë në shtëpitë e fqinjëve, Boboshtica nis e gjallërohet në mbrëmje. Makina të shumta fillojnë dhe e popullojnë Boboshticën për të shijuar ushqimet në tavernat e shumta. Këto janë ato që ngushëllojnë banorët e Boboshticës, se ky fshat nuk shuhet lehtë në ekzistencën e tij. Turizmi e zhvillimi i Boboshticës mbeten përtëritja e vetme e këtij fshati shekullor.

Marrë nga Porta Vendore

(a.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

sociale sociale boboshtica fshati ne korçe boboshtica fshati ne korçe

Sondazh

Poll
Ekonomi 28 Janar 2020, 15:17

TIRANË- Në Shqipëri 68.6% e individëve të moshës 16-74 vjeç deklaruan se ishin përdorues të internetit ne tre muajt e fundit. Në Bashkim Europian si...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni