Aktualitet

DOSJA-ATENTATET/ ‘Karriget’ që ngelen bosh, krimet më të bujshme të vitit 2019, plumbi s’kurseu të pafajshmit…por as kriminelët…

57 atentate brenda vitit 2019, numër rekord. Dosjet mbeten e nde të pazbardhura. Krismat nuk kursyen as personat e drjetësisë si Rakiv Gurra, Arjan Ndoja dhe Albert Kulici. Shtatë gra u vranë nga burrat e tyre.
Featured image of article: DOSJA-ATENTATET/ ‘Karriget’ që ngelen bosh, krimet më të bujshme të vitit 2019, plumbi s’kurseu të pafajshmit…por as kriminelët… Disa prej të ekzekutuarve
Përditësuar:

SHQIPËRI– Flamur Duçi, 45 vjeç nuk do të mund të ulet në tavolinën e natës së ndërrimit të viteve me dy vajzat e tij. I divorcuar nga gruaja, Duçi u gjet i masakruar mëngjesin e 19 dhjetorit shumë pranë lokalit të tij në Korçë. Ai u dogj pjesërisht dhe goditja e fundit iu dha me tetë goditje me thikë. Për ngjarjen në fjalë është lënë në burg 18-vjeçari Devis Hoti, i cili shkoi të vidhte lokalin e tij, e në sherr e sipër e vrau me thikën e kaçkavallit.

Por Duçi nuk është personi i vetëm që në këtë vit që lamë pas mbylli sytë për të mos i hapur më. Ndërkohë që në ditët në vijim qytetet do të jenë të mbushur me drita festive dhe me ëmbëlsira e dhurata, shumë familje do të kenë një karrige ose në fatin më të keq, më shumë se një, bosh në shtëpi.

Arsyet janë të shumta, por ato që lënë gjurmë të thella pas, janë larjet e hesapeve dhe përplasjet mes bandave, që kanë përgjakur rrugët, klubet dhe makinat e viktimave që u bënë ‘kurban’ për hir të jetës së rrugës. Një numër rekord prej 57 atentatesh kanë ndodhur gjatë këtij viti ndërkohë që shumë ngjarje të rënda, si vrasja e avokatit Gurra, ende nuk janë zbardhur…

Hapi lokalin, ekzekutohet me plumb në kokë vëllai i krahut të djathtë të Aldo Bares, Enver Boriçi

 

Enver Boriçi

 

Enver Boriçi, 52-vjeç, ish-anëtari i bandës së Lushnjes, i njohur edhe si vëllai i krahut të djathtë të Aldo Bares, Arben Boriçi u vra në orët e para të mëngjesit të 14-dhjetorit teksa shkoi të hapte lokalin e tij. Në momentin që po pinte kafenë e mëngjesit, një person i maskuar erdhi, e qëlloi me plumb në kokë duke i marrë jetën.

Por atentatet në Lushnje nuk ndalen këtu…

 

Orges Bilali, Laert Haxhiu dhe viktima Besmir Hida

 

Jo më larg se dy muaj më parë, më 1 tetor 2019, u vra me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar në verandën e lokalit ku po pinte kafenë e mëngjesit, daja i Zamir Latifit, Besmir Hida. Menjëherë pas krimit të rëndë, dy autorët u larguan nga vendngjarja me një automjet të vjedhur në Tiranë, i cili u gjet i djegur pak orë pas vrasjes. Gazetari Artan Hoxha, hodhi i pari dyshimet se ekzekutimi është kryer nga grupi që vrau nipin e Hidës, Zamir Latifin, edhe ky pjesë e bandës së Aldo Bares. Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili janë dy të dyshuarit e parë edhe për vrasjen e Hidës, grupi rival i bandës së të fortit të Lushnjes, Aldo Bare. Pavarësisht këtyre dyshimeve, autoritetet ende nuk kanë një emër për këto dy vrasje.

Ekzekutohet me 27 plumba Andi Zylyfi, kushëriri i bosit të drogës, Endrit Alibej

 

Andi Zylyfi

 

Andi Zylyfi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi për të festuar festat e fundivitit me familjarët e tij u qëllua me 27 plumba teksa ndodhej në një lokal buzë rrugës nacionale Elbasan-Peqin, në orën 19:15, mbrëmjen e 13 dhjetorit.

 

Andi Zylyfi dhe Ardit Uruçi

 

Plumbat kapën gjithashtu edhe Ardit Uruçin, shokun e Zylyfit, që ishte me këtë të fundit në momentin e atentatit, por 23-vjeçari shpëtoi paq. Viktima është djali i hallës së Endrit Alibeaj, bosit të drogës, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Bashkë me të u eliminuan edhe kushëriri i Alibeajt, 56 vjeçari Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, 51 vjeç.

 

 

Pas këtyre vrasjeve dyshohet se qëndron hija e një grupi kriminal, tepër të sofistikuar që vepron në këtë zonë, dhe që njihet ndryshe si grupi i “Sakatit” që drejtohet nga tre vëllezër, ku njëri prej tyre është invalid dhe thirret me nofkën “Sakati”. “Sakati” ndodhet në burg në Itali për akuzën e trafikut të drogës, por anëtarët e tjerë që qëndrojnë në Peqin, Belgjikë, Holandë dhe Itali, veprojnë pa u penguar nga askush, nën rregullat dhe urdhrat e dy vëllezërve të tjerë, që ndodhen jashtë.

Atentati ndaj vëllezërve Baho, u prenë rrugën teksa iknin në shtëpi

 

Klevi dhe Aldi Baho

 

Hija e grupit të “Sakatit” dyshohet se qëndron dhe pas atentatit të bërë ndaj dy vëllezërve Baho në Peqin, ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vdekur mesnatën e 1 korrikut 2019 ndërsa vëllai tjetër, Aldo Baho, u plagos rëndë.

Kjo ngjarje ndodhi teksa dy vëllezërit po udhëtonin për në shtëpi me automjetin e tyre tip “Audi” me targa AA 333UZ. Ata u qëlluan me breshëri automatiku, mbi 35 herë nga një tjetër makinë në Broshkë në aksin Peqin- Elbasan.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja, shoferi që i shpëtoi jetën shefit dhe Rumit vdiq

 

Pëllumb Muharremi, Arjan Ndoja dhe Redjan Rraja

 

Një skenë e denjë për filmat farwest, u përsërit nga krimi shqiptar në vendin e njohur si Mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Makina tip “Benz”, ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij, ish-polici i Krujës Andi Maloku dhe një person me precedentë penalë, Pëllumb Ymeri, i njohur si Rumi, ra pre e një atentati me breshëri kallashnikovi.

Një makinë tjetër “Benz”, ngjyrë gri, nisi të qëllonte me breshëri, duke i lënë të plagosur të tri personat. Maloku ndërroi jetë në spital disa ditë më vonë, ndërsa ymeri dhe Ndoja kanë lënë tashmë spitalin.

Atentatorët dyshohet se janë një skuadër vrasësish me pagesë, ndërsa i vetmi i arrestuar është Redjan Rrraja. 34-vjeçari i njohur ndryshe si ‘Dara” i Krujës që është gjithashtu edhe nipi i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Ai u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi pasi u zbulua nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën Benz ngjyrë gri, që u braktis i padjegur nga atentatorët në Ishëm.

Vetë Rraja ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në atentat dhe si alibi është shprehur se në atë kohë ka qenë me të dashurën e tij, modelen Kejvina Kthella. Megjithatë Gjykata e ka lënë të riun në burg deri në përfundimin e hetimeve për atentatin. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në Polici, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe, të cilët pas dëshmisë janë lënë të lirë. Pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj Ndoja është ajo e pronave në Gjirin e lalëzit, ku mendohet të ketë pasur interes Rrumi.

Kavajë, pazaret e drogës kthyen shtëpinë e Marsida Qatjas në skenë krimi, Dritan Haxholli u vra si përndjekës apo trafikant?!

 

Bledar Toçi, Marsida Qatja dhe Dritan Haxholli

 

Ende pa zbardhur 10 tetori, shtëpia e parukieres 30-vjeçare Marsida Qatja do të kthehej në një skenë krimi, ku një konflikt i armatosur përfundoi me vrasjen e Dritan Haxhollit. Teksa në katin e dytë të dupleksit flinin fëmijët e parukieres, në ambientet e soxhornos, ajo kishte organizuar një pritje për miqtë e saj, autorin e krimit, Bledar Toçi, ish-shef i sigurisë së paraburgimit të Durrësit dhe dy miqtë e përbashkët, Xhuljo Biturku dhe Ermir Çela.

Haxholli prishi ‘party’-n e asaj mbrëmjeje dhe u fut në banesë me kallashnikov në krahë. Ai qëlloi me automatik efektivin Toçi duke e plagosur, ndërsa ky i fundit iu përgjigj me armën e shërbimit duke zbrazur karikatorin mbi të dhe duke e lënë të vdekur. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ardhur si pasojë e xhelozisë, ndërsa hetimet zbuluan se pas çështjes fshiheshin pazaret e drogës, në të cilat edhe vetë parukierja pranoi në një intervistë se ishte e përfshirë.  Për këtë krim ndodhet në burg efektivi Bledar Toçi dhe vëllai i tij Bernard Toçi. Dosja.al raportoi që prej ditëve të para, se grupi i cili u gjend në apartamentin duplex të Marsida Qatjas në Kavajë ishte vënë në përgjim prej së paku 4 muajsh dhe se ndaj tyre do të zhvillohej edhe një operacion për arrestimin e tyre, por që vrasja… prishi planet e policisë.

Me 6 plumba i rrahur barbarisht në kanal, si e nxorri miku në pritë Eri Zefin, hasmëria i mori jetën

 

Eri Zefi dhe Mikel Alia

 

Eri Zefi, u rrah dhe u vra pa mëshirë me gjashtë plumba e më pas u la i vdekur në një kanal në Zall Xhuxhë ne pranë Rrugës së Kombit. 34-vjeçari ishte ngujuar prej një viti dhe i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme pasi i vëllai, Ndue Zefi në muajin shkurt të këtij viti vrau fqinjin e tij Martin Ndreca dhe vetëm një person i besueshëm mund ta nxirrte nga aty. I besuari ka qenë pikërisht Mikel Alia, shoku i fëmijërisë, i cili është paguar nga gjakësit dhe nën preteksin e një pune të mirë, e ka marrë 34-vjeçrin për ta dërguar ‘dhuratë’ në pritë. Eri Zefi ishte i martuar me një grua turke dhe vetëm katër muaj para se 34-vjeçari të ekzekutohej, ajo kishte sjellë në jetë djalin e tyre të parë. Nazli Zefi 25-vjeçe ka rrëfyer se burri i saj e kishte shok të ngushtë Martin Ndrecën, që vrau i vëllai dhe se Zefi i trembej hakmarrjes pas këtij krimi. Në lidhje më këtë ngjarje, Alia është lënë në burg, pavarësisht se para trupit gjykues i ka mohuar të gjitha akuzat.

Dosja e BUJSHME e Santiago Malkos, si u ekzekutua ‘ushtari’ i Ervis Martinajt dhe dosja që po zë pluhur

 

Santiago Malko, Fatmir Hyseni, Elis Duka, Leonard Duka dhe Ilir Selmani

 

Santiago Malko, 26 vjeç, baba i dy fëmijëve, i njohur në botën e krimit si ‘ushtari’ i boss-it të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, u ekzekutua më 27 gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, në kohën kur akrepat shënuan 21:24. Kjo është padyshim një nga ngjarjet më të rënda të vitit 2019, qoftë për nga mënyra mafioze e ekzekutimit të 26-vjeçarit, dosjes së mbuluar me mister, por edhe për trampolinën e Malkos në mënyrë të shpejtë nga radhët e shtetit ku dikur shërbente si efektiv policie në botën e nëndheshme të krimit. Dosja.al ka raportuar që prej momentit të parë të gjithë ngjarjen e detajuar dhe mënyrën e ekzekutimit, duke zbuluar kështu e para edhe identitetet e tetë anëtarëve të “Klanit Duka”, të cilët tashmë janë të shpallur zyrtarisht në kërkim nga Policia e Shtetit, cilët janë: Leonard Duka; Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Personi i 9-të i përfshirë në këtë vrasje është Blendi Teta, tashmë i arrestuar dhe në burg. Teta u identifikua nga filmimet e kamrave të bizneseve pranë vendit të krimit, ku shihej që mbildhte bishtat e cigareve për të mos lënë asnjë gjurmë.

Ndërsa i dhjeti, mjaft kyç për grupin është Elvis Gaçaj, me një të shkuar të errët dhe kriminale që u vu në pranga bashkë me të dashurën në Durrës, teksa tentoi t’i ikte posto-bllokut të ngritur nga policia. 

Çohuni çuna, se na pret puna”, kaq mjaftoi të thoshte Leonard Duka, kreu klanit të njohur edhe si ‘Banda e Romëve’, që grupi të ngrihej nga tavolina e lokalit në zonën e Freskut, ku po darkonin, për të Santiago Malkon. Pasi u çuan nga lokali, ata hipën në dy makina, një makinë “Scoda Roomster” dhe një “Golf 5” ngjyrë gri. Informacionin për lëvizjet e ish-policit akuzohet se e ka dhënë Blendi Teta. Sapo Malko doli nga lavazhi ku ishte futur për të lënë makinën për ta larë, plumbat vërshuan mbi “BMË X5” dhe bënë që 26 vjeçar të humbte jetën. Ekzekutori i Malkos dyshohet të jetë ‘Doqja’, Fatmir Hyseni, të cilin grupi e solli nga Vlora për të mbaruar ‘porosinë’.

Santiago Malko njihej në kryeqytet si një nga njerëzit e bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Baba i dy fëmijëve dhe i martuar me ish-efektiven e forcave “Shqiponja”, Dea Riçku, Malko bashkë me Martinajn, u përfshinë në përplasjen me armë të 4 tetorit 2018, ku në ish-Bllok u vra Fabiol Gaxha, dhe u plagos vetë Martinaj. I larguar nga policia pas plagosjes me vëllezërit Lashi, Malko i kishte hyrë biznesit të lojërave të fatit. I shpallur në kërkim, ishte punësuar në administratën shtetërore, si inspektor në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Pyjeve, skandal që kishte ndodhur brenda strukturave shtetërore dhe u zbulua nga Dosja.al. Pavarësisht kaq shumë të dhënave, ajo që mbetet ende e paqartë është arsyeja e ekzekutimit të Santiago Malkos. Një nga pistat ku po hetohet është ajo e hakmarrjes, pasi Malko ka patur një konflikt të hershëm me babain e kreut të bandës ‘Duka’, Leonardit, pasi ish-efektivi ka rrëmbyer, kërcënuar me armë babain dhe dy kushërinjtë e Leonard Dukës, por kjo arsye nuk është bindëse për hetuesit.

Ata po skanojnë disa pista, si ajo e konflikteve për shkak të territoreve ku shpërndahet dhe shitet droga në Tiranë, apo edhe ajo e pjesëmarrjes së ish-policit Malko në një atentat mafioz në qytetin e Durrësit, ngjarje e ndodhur pothuajse një vit më parë. Nga ana tjetër Leonard Duka, i vetëquajtur ‘Princi Damian’ bashkë me të tjerët vijon të jetë i shpallur në kërkim dhe të shijojë dashurinë e furishme me ish-Missin Trejsi Sejdini.

Si u vra “punëtori” i Met Kananit, Armando Gjinin e ekzekutuan në sy të dy fëmijëve dhe gruas

 

Armando Gjini

 

Armando (Tonin) Gjini u ekzekutua pranë Katedrales në sheshin kryesor të Rrëshenit, mesditën e 12 gushtit. 48-vjeçari që njihej edhe si ushtari i bandës së Met Kananit u ekzekutua në sy të dy fëmijëve të mitur dhe gruas së tij. Gjini ndaloi makinën pranë Katedrales, pasi gruaja e tij kërkoi që të futej në një dyqan dhe pikërisht në këtë moment atentatorët e maskuar zbrazën kallshnikovën mbi xhamin e parmë të makinës, duke e lënë të vdekur në vëend 48-vjeçarin. Dy fëmijët e tij shpëtuan mrekullisht. Pas ngjarjes u gjet një makinë e djegur në Kodër-Rrëshen e cila dyshohet se u përket autorëve të krimit. Dy pistat ku policia po heton për vrasjen e 48-vjeçarit janë prishja e pazareve të drogës dhe marrëdhënia me anëtarët e grupit të Kananit të cilët dyshohet se kishin filluar të dyshonin për viktimën, që u lirua shuëm shpejt nga burgu. Ndërkohë ende nuk ka asnjë të arrestuar.

Me 7 plumba në kokë, si u vra Nikola Ikonomi në Selenicë, lidhja me Tesi Bashën

 

Nikola Ikonomi

 

Nikola Ikonomi, 47 vjeç i njohur ndryshe nga banorët e zonës si Dilaver Tozaj u vra me shtatë plumba pranë banesës së tij, në hyrje të Selenicës në fshatin Resulaj. Vrasja ndodhi në orën 20:45 minuta të darkës së 7 gushtit, teksa viktima po kthehej në shtëpi. Ikonomi njihej nga banorët e zonës si Dilaver Tozaj, por që së fundmi kishte ndërruar identitet dhe në gjendjen civile rezulton i regjistruar me emrin Nikola Ikonomi. Në vitin 2005 Ikonomi rezulton të jetë arrestuar për trafik drogë. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që po trafikonin 1145 kg kanabis nga Kakavija.

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi disa mesazhe ku hodhi dyshimet se autori mund të jetë Tesilvano Basho, i cili njihet ndryshe si i forti i Llanajve. Basho dhe vëllai i tij, Satilno u arrestuan gjatë një megaoperacioni në Selenicë, dhe pritet të ekstradohet në Itali ku është dënuar për vrasje dhe është arratisur nga burgu.

Vritet në derën e shtëpisë Feriz Bardhi, 40-vjeçari nga Durrësi i skeduar për trafik droge

 

Feriz Bardhi

 

Feriz Bardhi, 40 vjeç mbeti i vrarë pas një atentati me armë zjarri që i është bërë mesditën e një gushtit në lagjen nr.18 në qytetin e Durrësit. Bardhi u ekzekutua në derën e shtëpisë së tij në momentin kur disa persona të maskuar dhe të armatosur e kanë qëlluar me breshëri. Bardhi rezulton se është i skeduar edhe më herët nga Policia e Shtetit pasi është arrestuar në vitin 2012 si pjesë e trafikut të drogës drejt Italisë. Ai ishte gjithashtu baba i dy fëmijëve dhe nipi i ish-kryetarit të Komunës së Rrashbulli, Hysen Gashit.

Vrasja e dy vëllezërve Bilali, përfshirja e Ibrahim Licit dhe përplasja e klaneve në Shkodër

 

Brahim dhe Astrit Bilali

 

Brahim dhe Astrit Bilali, të dy vëllezër përkatësisht 61 dhe 59 vjeç u vranë në derën e shtëpisë me 21 plumba. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 30 marsit, teksa dy vëllezërit dolën si zakonisht nga shtëpia e tyre në lagjen “Kiras”. I dyshuar kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër është Ibrahim Lici, i cili është parë në ikje e sipër nga një banor i zonës, me inicialet S.B, i cili ka treguar në polici të dhëna të vlefshme mbi veprimet që kanë kryer autorët e vrasjes dhe largimin e tyre me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Ndërsa në burg janë lënë Arsen Stojku dhe Myslim Rama që sipas organit të akuzës janë të implikuar si bashkautorë në këtë krim të dyfishtë.

Automjeti që shërbeu për largimin e autorëve të krimit, ishte marë me qëra në Vaun e Dejës dhe më konkretisht tek personi Prengë Perdeda. Personi që ka marë me qëra mjetin tip “Golf 4”, gjashtë ditë para vrasjes quhet Denis Brahimi, që më pas ja ka dhënë në përdorim, të arrestuarit Arsen Stojku. Ky person sipas prokurorisë para vrasjes dhe pas vrasjes, ka pranuar në polici se kishte qënë disa herë në shtëpinë e Mustafa Licit, ku është takuar me anëtarë të familjes Lici.

Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici, dhe ka shkuar në banesën e tyre si kushëri. Vizita e fundit ka ndodhur 10 ditë para vrasjes së dy vëllezërve ku Prokuroria dyshon se pikërisht në këtë takim është përcaktuar dhe plani se si duhet të ekzekutoheshin dy vëllezërit Bilali në Shkodër.

Në muajin shtator të vitit 2018, kur u vra mbi kalë biznesmeni Arjan Ferracaku, bashkë me të ishte edhe Asmer Bilali, djali i Astrit Bilalit. Asmeri, ish-kampion boksi është i arrestuar tashmë si pjesë e grupit Bajri për gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh. Pas vrasjes së Ferracakut, u pretendua se shënjestra e atentatit ishte Asmeri.

Përgjakja e Sulltan Novruzit, si u vra avokati i Shullazit dhe Çapjave

 

Ravik Gurra

 

Mbrëmja e Sulltan Novruzit, 22 marsi u përgjak në qytetin e Elbasanit, pasi Ravik Gurra, 50 vjeç banues në Elbasan është ekzekutuar mbrëmjen e sotme rreth orës 19:15. 50-vjeçari, me profesion avokat që njihej për mbrojtjen e bandës së Shullazit dhe grupit të Çapjave u ekzekutua me 3 plumba me silenciator, teksa po pinte kafe në ambjentet e jashtme të një lokali në qendër të Elbasanit. Autorët ndodheshin në një makinë tip Benz, e cila u gjet e djegur jashtë qytetit. Edhe për këtë ngjarje nuk ka të arrestuar. Një tjetër atentat u programua edhe për prokurorin Albert Kulici në Vlorë, por ky i fundit rezultoi më me fat se Gurra. Makina e Kuliccit u shpërthye me tritol mesnatën e 21 dhjetorit, por fatmirësisht nuk kishte asnjë person në makinë. Ngjarja ngjalli shumë reagime në vend për shkak të dosjeve të bujshme që ka hetuar prokurori, por ende nuk ka një autor.

Vrasja e Nardit të Bujtinave, autori u ekstradua nga Danimarka

 

Bizenesmeni i vrarë, Ferdinand Polia, dhe të arrestuarit si bahkëpunëtorë në vrasjen e tij

 

Ferdinand Polia, 35 vjeç, i njohur si biznesmen dhe pronar i disa prej bujtinave turistike në Theth, u ekzekutua me 20 plumba më datë 20 mars të këtij viti,  në fshatin Grudë, teksa që po lëvizte me automjetin e tij, tip fuoristradë. Ai u ekzekutua me armë zjarri me silenciator, teksa ishte duke u kthyer nga servisi i makinave, ku kishte riparuar automjetin e tij fuoristradë dhe po udhëtonte bashkë me Xhovan Mirashin, punonjësin e servisit.

Vetëm pesë ditë pas ngjarjes ranë në pranga Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini, të cilët janë lënë në burg nga gjykata. Dëshmia e tyre zbardhi emrin e autorit, Kristian Sulaj (Martini), për të cilin Dosja.al mësoi se ditën e ngjarjes u largua drejt Malit të Zi. Ai u ekstradua më 13 shtator nga Danimarka ku fshihej prej muajsh dhe tashmë ndodhet në burg.

Motivi për ngjarjen e rëndë dyshohet të ketë qenë e kaluara e errët e Ferdinand Polisë, në Itali ku 35-vjeçari rezulton të ketë qenë i përfshirë në disa aktivitete kriminale, madje edhe i dënuar nga Gjykata në Itali.

Vritet menaxheri i VIP-ave, e shkuara e errët e Jurgen Kurtit dhe lidhjet me krimin

 

Jurgen Kurti

 

Jurgen Kurti, 26 vjeç i njohur edhe si menaxheri i VIP-ave u vra më 18 mars rreth orës 22:00, teksa shkonte për në banesën e tij në Tiranë poshtë pallatit në rrugën “Zef Jubani”. Sapo doli nga palestra, i veshur sportiv dhe me çantë në shpinë, plumbat me silenciator i morën jetën Kurtit duke e lënë të vdekur në rrugë.

Për ngjarjen në fjalë u arrestuan tre të rinjtë Olsi Qalliaj, Elsi Levendi dhe Alesio Berberi, të cilët u akuzuan se ishin paguar 250 mijë euro nga autori që është në kërkim, Klodian Bane. Por pas zbardhjes së tabulateve, Qalliaj dhe Berberi u lanë të lirë, ndërsa Levendi vijon të jetë pas hekurave, pasi akuzohet të ketë qenë ai personi që ka luajtur rolin e informatorit dhe ka vëzhguar Kurtin.

Jurgen Kurti u bë i njohur për publikun në vitin 2016 kur vrau babain e tij, Artur Kurti në 4 prill, pas një sherri në familje mes dy prindërve. I riu, në atë kohë shpëtoi nga burgu pasi fajin e mori daja i tij, Leonard Ristani. Një vit më vonë, në vitin 2014, Jurgen Kurti u përfshi në një tjetër vrasje teksa u arrestua në muajin prill. Kurti u përfshi ne dhunimin e një tregtari, Agim Arapi i cili përfundoi i vdekur pas rrahjeve makabre, ndërkohe që hekurave u shpëtoi sërish.

Kurti njihej në Tiranë si menaxher i VIP-ve. Ai solli në Tiranë reperin Rick Ross. I riu kishte në pronësinë e tij mbi 10 biznese dhe jeta e tij luksoze me makina të shtrenjta e femra të bukura, spikaste në treg.

Vritet në sy të djalit, ish-i përndjekuri politik Haxhi Baxhinozi, po bënte vrap tek Kodrat e Liqenit

 

Haxhi Baxhinozi dhe Islam Myrkaj

 

62-vjeçari, Haxhi Baxhinozi, një ish-i përndjekur politik u ekzekutua teksa bënte vrap tek Liqeni Artificial, në sy të djalit të tij të miturngjarja ndodhi pasditen e 16 marsit rreth orës 18:44.  Autori i vrasjes është identifikuar si Islam Myrkaj, nga Fieri dhe aktualisht ndodhet në burg.

Baxhinozi ishte origjinë nga fshati Radostinë i Fierit. Ai ka qenë i dënuar politik, nga Gjykata Ushtarake e Tiranës më 30 janar 1982, për agjitacion dhe propagandë, me 10 vjet heqje lirie dhe humbje të së drejtës elektorale për 5 vjet. Sipas informacione të mëparshme që ka pasur për të në media, thuhet se ai u dënua sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “veprën e terrorit në bashkë-punim” (dënim i kombinuar).

Atentati në Ujin e Ftohtë, synonin Çipurin, plumbat i marrin jetën shokut dhe kunatit të shënjestrës

 

Viktimat Orest Rexho e Arian Hasani, dhe i plagosuri Armando Sulejmani

 

Paraditja e 12 shkurtit në Vlorë u pasua nga një atentat me dy të vdekur në zonën e njohur si “Uji i ftohtë”. Shënjestra ishte 42-vjeçari Armando Sulejmani, i njohur ndryshe si Çipuri, por plumbat u morën jetën kunatit dhe shokut të tij, përkatësisht Orest Rexho dhe Arian Hasani. “Çipuri” ngeli i plagosur me dy plumba nga atentati, ndërkohë që aktualisht ndodhet në burg, pasi ishte në kërkim nga policia si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.

Atentati ndaj vëllezërve Bresha në Tepelenë, njëri vdiq. Konflikti për pazaret e drogës

 

Viktima Artur Bresha dhe vëllai i tij.

 

Artur Bresha ka mbetur i vrarë me armë zjarri, ndërsa i vëllai i tij, Artani është plagosur në këmbë si pasojë e një atentati të ndodhur mbrëmjen e 4 dhjetorit. Atentatorët, ende të paidentifikuar vranë me breshëri kallashnikovi Arturin, që punonte roje në ByPassin e Tepelenës. Më pas ata i morën viktimës makinën, një “Benz 2000” dhe u nisën për në banesën e vëllait të 47-vjeçarit, të Artan Breshës.

Shumë pranë banesës plagosën në këmbë edhe 43-vjeçarin, i cili po kthehej për në banesë. Ende nuk ka detaje në lidhje me atentatorët, por paraprakisht dyshohet që pistat e hetimit të jenë dy: hasmëri të vjetra që mund të kenë dy vëllezërit dhe prishja e pazareve.

Viktima Artur Bresha kishte punuar shumicën e jetës si emigrant në Greqi, ndërsa pasi ishte kthyer kishte filluar punë si roje. Ndërsa i vëllai, 43-vjeçari Artan Bresha në vitin 2011, u arrestua teksa ndodhej brenda një furgoni me një ton hashash.

Atentat Mariglen Hakës në Nikël, shpëton shënjestra, i vrasin hallën

 

I plagosuri Mariglen Haka dhe viktima Shpresa Basha

 

Mariglen Haka, i njohur si i forti i Niklës ra pre e një atentati në derën e shtëpisë së tij, por plumbat i morën jetën hallës së shënjestrës, Shpresa Basha. Haka mbeti i plagosur mbrëmjen e 21 shtatorit, rreth orës 23:38, pasi e gjithë Shqipëria ishte goditur nga një tërmet i fortë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dyshimet e para për këtë ngjarje janë se atentati është kryer për çështje hasmërie, pasi Haka është arrestuar për vrasjen e biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli, ngjarje e ndodhur më 13 qershor 2011 në Tiiranë. Mareglen Haka njihet edhe për lidhjen me familjen Bami. Ishte Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një nga eksponenetët e fortë të krimit, ai që e shoqëroi për në Spitalin e Traumës ku ndërroi jetë edhe halla e tij.

Tentojnë të vrasin Eno Matën, i ekzekutojnë shokun. Lidhja me vdekjen e avokatit grek

 

Eno Mata dhe Sotiraq Mëhilli

 

Eno (Aleksandër) Mata ra pre e një atentati në orët e para të mëngjesit të 27 majit në fshatin Poro në Vlorë, por plumbat i morën jetën shokut që iu bë ‘mburoj’ në motor, Sotiraq Mëhilli. 

Mata ishte në kërkim për vrasjen e avokatit grek Mihalesi Zafiropoulos (ngjarje e ndodhur në vitin 2017), dhe shokun e tij. Ende asnjë të arrestuar për këtë ngjarje, por vetë shëbjestra tregoi se ngatërrojnë pasi ai nuk ka vrarë asnjë avokat. Eno Mata pranoi se grabiste argjendari, por shtoi se nuk ka lënë asnjë viktimë pas dhe që nuk ishte vrasës.

Grabitja spektakolare e Rinasit… ekzekutimi i Lupenit shqiptar, trurit të vjedhjeve Admir Murataj

 

Të përfshirët në grabitjen në Rinas

 

Por le të kthehemi disa muaj më parë në kohë, ditën e 9 prillit kur një grabitës inteligjent dhe i ashpër, një njeri që përkuli shtetin plot 4 herë, krijoi fabul të denjë për Hollivudin. Me plot 13 identitete Christos Papadias, Kristaq Murataj, Kristaq Murati, Admir Murataz, Kristaq Murataz, Admir Xhaferi, Kristaq Xhaferi, Admir Nikaj, Kristaq Nikaj, Xhafer Nikaj dhe Kristaq Azemi, Admir Murataj thuri planin e grabitjes së 6.7 milionë eurove në Rinas që ngriti në këmbë të gjitha strukturat shtetërore. Me një furgon që mbante mbishkrimin Hetimi Tatimor, Murataj, i maskuar si një polic nga Fushë Kruja Florin Merlika me anë të një maske silikoni, zbarkoi në Rinas si kontrollor. Por plani ishte i qartë, dhe brenda dy minutave u krye grabitja e parave në pistë. Pas ngjarjes, 4 autorët u larguan me shpejtësi nga dera e pasme e aeroportit, por u ndeshën me policinë. Në shkëmbimin e zjarrit mbeti i vdekur truri i ësaj grabitjeje, Admir Murataj, por identifikimi i tij ishte mjaft i vështirë. Murataj, ishte shpallur në kërkim si organizatori i 3 grabitjeve me blinda në harkun kohor të 2015-2017. Grupi i tij u dënua gjatë marsit me 107 vite burg, por ai vazhdonte të lëvizte lirshëm për shkak të operacioneve plastike që kishte kryer dhe identiteteve të shumta që përdorte.

I martuar me një grua nga Berati dhe baba i dy vajzave, njëra prej të cilave e martuar dhe nënë e një djali u varros në Tropojë, në vendin e lindjes. “Lupeni” shqiptar, me grabitjet që bënte ai kishte ndërtuar një vilë luksoze në Fushë-Pezë dhe një servis familjar në Vorë. Shtëpia e tij në Pezë, e seuestruar tashmë, është një ndërtesë e sofistikuar, e rrethuar më gardh hekuri të lartë dhe e ruajtur me kamera sigurie e sistem alarmi.

Në pranga për mega-grabitjen ranë Oltion Veseli, Elton Pikli, Renaldo Sula, Saimir Çela, shtetasi nga Kosova Ragip Hajdini dhe Alkond Bengasi, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë. Bengasi zbërtheu takimet mes Murataj dhe anëtarëve të tjerë. Madje ai shpjegoi para grupit hetimor se si mori furgonat markë Chevroletë dhe më pas i modifikoi me logot e hetimit tatimor. Në kërkim janë dy vëllezërit Klemend e Eldi Cala si dhe bashkëpunëtori i tyre Talo Cela për të cilët policia ka vënë në dispozicion shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo që jep informacion që çon në gjetjen e tyre.

Hetimet për ngjarjen zbuluan se Murataj ishte ndihmuar edhe nga punonjës në Aeroportin e Rinasit. Madje 100 mijë euro nga paratë e vjedhura u gjetën në banesën e agjentit të cargos në Aeroportin “Nënë Tereza”, Hasan Kanaçi, i cili u vu në pranga gjithashtu. Ndërkohë në rrjet filluan të qarkullonin teoritë konsipartive në lidhje me ngjarjen….gazetari Shpëtim Zinxhiria publikoi një status, ku shkruante se sipas mediave greke, Murataj ishte vrarë në vitin 2013, ndërsa policia shqiptare po e rivret në vitin 2019.

Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, Murataj ishte punësuar nga qeveria për të kryer grabitjen.

Janarin e mbyll vrasja e Arben Bilalit, si u ekzekutua ish-efektivi në të njëjtin vend ku i vranë të vëllanë

 

Arben Bilali

 

Arben Bilali, u vra më 30 janar në zonën e Selitës, ku jetonte me familjen e tij duke u hapur rrugë kështu edhe atentateve të tjera për vitin 2019. Ai ndodhej në një makinë bashkë me shokun e tij gjatë kohës së lëvizjes dhe në momentin kur ka zbritur është qëlluar nga autorët që ndodheshin në një makinë Benz. Mbi të është qëlluar rreth 15 herë me breshëri.

Bilali, 50-vjeç, është i treti që ekzekutohet në harkun e 20 viteve, pasi më herët i janë vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Familja Bilali është prej vitesh në hasmëri me familjen Xhabafti, gjë e cila ka prodhuar disa viktima. Ish-polici u qëllua në në Selitë, 900 metra larg vendit ku 9 vite më parë u ekzekutua vëllai i tij, Leonard Bilali, ish-mundës i Dinamos.

I vetmi person që ka mbetur në burg për vrasjen e Bilalit është Arben Xhetani një ish-i dënuar për vjedhje, i cili dyshohet se ka siguruar mjetet për të kryer vrasjen si edhe ka vëzhguar lëvizjet e viktimës. Në pranga ra edhe Gjergj Cukali, të cilin policia e arrestoi bazuar në AND-në e gjetur në makinën e ekzekutorëve por i “forti i Myslym Shyrit”, ia ka dalë të fitojë lirinë.

Por, përveç dosjeve të shumta që vërtiten dhe po zënë pluhur nëpër zyrat e organit të akuzës, deri në momentin që autorët të cilët nuk i identifikon dot Policia e Shtetit, t’i gjejnë të afërmit e viktimave, s’mund të lëmë pa përmendur edhe krismat që mbeten ende të paidentifikueshëm për Policinë e Shtetit, deri në momentin që erdhën pas një gote rakie… ose pas fjalës: Pse më sheh?!

 

Viktima Ramazan Hasaliu i shtrirë në tokë dhe Qazim Merkaj, Eraldo dhe Elio Hyka

 

Krime të tilla u morën jetën edhe të pafajshmëve, siç ishte rasti i Ramazan Hasalliut, i cili u vra teksa po blinte bukë në Kavajë. Ngjarja ndodhi mesditën e 4 korrikut ku disa të rinj u takuan për të sqaruar një sherr të mëparshëm dhe përfunduan në një luftë me plumba. Për krimin në fjalë ndodhet në burg Eraldo Hyka, Qazim Merkja, Ardian Dedej dhe Marjus Aliu. Nën arrest shtëpie u la Agron Kollçaku.

 

Marius Ismail dhe vendi i ngjarjes

 

Po në qytetin e Kavajës, pasditen e 9-dhjetori, pronari i një lokali, Xhevdet Leçini vrau klientin e tij Marjus Ismailin, pas një sherri me të riun nën ndikimin e alkoolit.

 

Indrit Cela, Griseldo dhe Albano Kusi

 

Mesditën e 14 gushtit u vra edhe Indrit Celaj, tekniku i kondicionerit pas një sherri me dy djemtë e pronarit të vilës ku ishte punësuar. Montimi i kondicionerit u bë shkak që Griseldo dhe Albano Kusi, dy djemtë e llastuar të babit të merrnin silenciatorin dhe të vrisnin në tualet të riun. Të dy ndodhen në burg tashmë, pavarësisht se nuk i kanë pranuar akuzat për vrasje.

 

Kreshnik Dashaj

 

Kreshnik Dashaj, baba i një fëmije dhe punonjës në një firmë këpucësh në Vlorë u gjet i pajetë më 14 nëntor në Vlorë. Dashaj nuk rezulon të jetë një person me preçedentë penalë dhe dyshohet se vrasja e tij ka ardhur pas një sherri me familjarët.

 

Gjergj Krygja

 

Gjergj Krygja, ish- komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2015 në Qendrën e Votimeve numër 0092 u ekzekutua më 6 nëntor, me armë zjarri jashtë banesës së tij në fshatin Sumë të Shkodrës, ku kishte shkuar për të mbledhur zahiretë e dimrit. Ai nuk ishte një person me precendetë penale dhe motivi i vrasjes dyshohet të jetë një konflikt që 43-vjeçari ka pasur për shfrytëzimin e pyjeve.

 

Lazër Arraj

 

Vetëm pak ditë para Krygjës u ekzekutua në Shkodër edhe Lazër Arraj. 55-vjeçari, (Pjetrushi) u ekzekutua me dy plumba në fshatin Shosh në Dukagjin të Shkodrës, ndërkohë që po transportonte zahiretë e dimrit. Për këtë ngjarje u arrestua kushëriri i viktimës Marrash Arraj, pasi dyshohej se e kishte vrarë sepse mendonte që 55-vjeçari e kishte denoncuar në polici për parcelat me hashash. Por ai u la i lirë pas hetimeve.

 

Pamje nga vendi ku u vra Arben Ishmaku

 

Arben Ishmaku, 42 vjeç, u gjet i vdekur pranë një çifteje në biznesin e tij, dyqan lulesh, në aksin Shkodër-Bushat, paraditen e 24 tetorit. Kjo ngjarje u dyshua të kishte qenë edhe vetëvrasje pas problemeve amocionale të burrit në fjalë. Dyshimet i hodhi e shoqja, e cila pasi pa të shoqin e vdekur bërtiti: Ma bëri ajo ku*va!

 

Pamje nga vendi i ngjarjes

 

Plumbat shuan edhe dy anëtarë të një familjeje në Klos, pas një sherri për pulat. Më tre tetor, rreth orës 14:33 të pasdites Sali Dakuçi i mori jetën vëllait të tij, Kujtim Dakuci dhe nipit 19-vjeçar, Flogert Dakucit. Më pas autori i krimit të dyfishtë qëlloi edhe veten me armë zjarri duke shënuar tre viktima në Klos. Ngjarja e rëndë erdhi pas një sherri në familje për gardhin që do të ndante 20 cm tokë. Dy vëllezërit Sali dhe Kujtim Dakuci kishin 6 vite që nuk flisnin me njëri-tjetrin, ku mollë sherri mes tyre ishte bërë një gardh. Sherre mes dy vëllezërve kishte pasur edhe 9 vite më parë, kur pas një debati për pulat, autori i krimit të djeshëm kishte goditur nusen e vëllait, njërit prej viktimave, Minushe Dakucin. Sherri për pulat i ka çuar në gjyq dy vëllezërit, por tensioni mes dy familjeve një ditë më parë arriti kulmin, kur Sali Dakuci rrëmbeu armën, vrau vëllain, nipin dhe më pas veten.

 

Fatjon Keta, autori i vrasjes, viktima Arlind Pasha dhe pamje nga vendngjarja

 

Po në këtë zonë në Bulqizë, Fatjon Keta vrau shokun e tij të fëmijërisë, Arlind Pashën me thikë. Para se të kryente krimin, autori kishte rrahur të ëmën dhe motrën. Keta u vu në pranga por dyshohet se ai ka probleme mendore.

Vrasja e 23-vjeçarit pas makinës së vjedhur

 

Florian Selimi

 

Florian Selimi u vra rreth orës 23:00, të dielën më datë 11 gusht. Mëngjesin e 12 gushtit 23-vjeçari u gjet i pajetë i hedhur në kanal në fshatin Hamil, në vendin e quajtur “kthesa e Hamilit”. 23-vjeçari në vitin ishte arrestuar pasi kishte vjedhur dhe djegur një automjet në lagjen ’15 Tetori’ dhe kjo është një nga pistat ku po hetohet në lidhje me vrasjen e tij. Ndërkohë që të afërmit e Selimit kanë pretenduar se i ndjeri keqtrajtohëj nga një efektiv policie, dhe për këtë arsye ja ka djegur makinën këtij të fundit. Për këtë ngjarje ndodhen në burg dy të rinjtë Kiri Merica 20-vjeç dhe Sadri Selaci 26-vjeç, të dy banues në Fier.

Vrasja e emigrantit në Korçë

 

Banush Zerellari dhe Gramos Nako

 

Sapo ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emigrant Gramoz Nako u vra nga disa persona të cilët u futën në banesën e tij. 57-vjeçari u gjet i pajetë në apartamentin ku jetonte me të shoqen, ndërkohë që në lidhje me këtë ngjarje s’ka asnjë të arrestuar.

Ish-ushtari vrau shokun

 

Matia Rizallari dhe Egliter Dosti

 

17-vjeçari Matia Rizallari, i cili rezultonte i humbur prej 5 ditësh u gjet i pajetë mëngjesin e 13 qershorit pranë lumit Vjosa, te vendi i quajtur Ura e Dragotit. Prindërit e adoleshentit shënjestruan mënjehrë mikun e tij, një ish-ushtar i akuzuar për dezertim  Egliter Dosti, i cili është në burg aktualisht. Vetë Dosti u shpreh se të dy kishin pirë verë dhe se kur Rizallari ishte future të kalonte lumin s’e kishte parë më.

 

Argjil Gjoka

 

Pas një konflikti për pronën mbeti i vdekur kreu i Njësisë Adminsitrative Kotë, Argjil Gjoka. Ngjarja ndodhi mesditën e 11-qershorit në fshatin Mavrovë të Bashksië Selenicë. Tre anëtarë të familjes Bejtaj, Arif, Jaçe dhe Namiku u përplasën për tokën me një tjetër familje. Gjoka hyri në mes për të shuar gjakrat por mbeti i vrarë. Arif Bejtaj, Jaçe Bejtat dhe Namik Bejtaj u arrestuan dhe akuzohen për vrasje.

 

Viktima, Stavri Mino dhe vendi i vrasjes

 

Në Vlorë mbeti i vrarë edhe Stavri Mino. Pas një sherri për pronën dhe pasi kishin pirë tre gota raki, Astrit Hameti 48 vjeç, Nusret Hoda, 57 vjeç dhe Agron Hameti, 56 vjeç kanë dhunuar 56-vjeçarin duke e përplasur me kokë pas një betoni. Mino humbi jetën, ndërsa tre autorët mbetën në burg.

Krismat në Laç

 

Markel Bushi një nga autorët dhe Mikel Jushi me Jani Jushin, dy viktimat

 

Mikel dhe Erion Jushi u përplasën fizikisht me Manuel Bushin për një foto në Facebook. Manueli ka kërkuar ndihmë nga vëllai Markeli dhe kushëriri i tij Vinçesk Bushi. Dy të fundit zbarkuan me armë në loaklin që ndodhi përplasja dhe viktimat sapo i panë ikën me vrap. Gjithsesi ata nuk u shpëtuan dot plumbave dhe mbetën të vdekur. Markel Bushin, Vincesk Bushin dhe Manuel Bushi ndodhen në burg edhe pse para Gjykatës u shprehën të penduar për ngjarjen.

Gardiani vret të dashurin e motrës dhe shokun e tij

 

Martin Skëndaj dhe viktimat Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj

 

Lidhja e motrës së Martin Skëndajt, i punësuar si guardian burgu në burgun e Fierit, me Manol Rapajn kishte ndezur konfliktet mes të rinjve. Madje Skëndaj ksihte shkuar bashkë me të atin në shtëpinë e të riut dhe i kishin kërkuar që të qëndronte larg vazjës. Këmbëngulës, Rapaj së bashku me Elis Kapajn i dolën përpara Skëndajt dhe e rrahën me leva. Gardiani shkoi për në poliklinikën e Patosit për të marrë mjekim, por aty u përball sërish me dy të  rinjtë. Në gjaknxehtësi e sipër gardiani nxorri armën dhe i vrau të dy. Ai aktualisht ndodhet në burg edhe pe para trupit gjykues shfaqi pendesë.

 

Olgert Mustafa dhe viktima Altin Balliu

 

Muaji janar u mbyll sërish me vrasje pas disa gotave raki dhe motiveve banale. 35-vjeçari Altin Balliu mbeti i vrarë në 18 janar 2019 pas një sherri të ndodhur për motive banale, ku një grup miqsh ishin ulur brenda një lokali për të konsumuar alkool. Dy muaj më pas u vetëdorëzua në polici autori Olgert Mustafa, 34-vjeç. Mustafa ka qenë i dënuar me 12 vite burg pasi tentoi të vriste bashkëmoshatarin e tij, Majkëll Hysollin.

Gratë që nuk i shpëtuan dorës së rëndë të burrave, të masakruara e të lara në gjak… për pak burrëri

Por skedës së kronikës së zezë nuk kanë arritur t’u shpëtojnë as gratë që u ekzekutuan nga burrat e tyre. Pas viteve të tëra dhune dhe presioni, një ditë të bukur mëngjesi, bashkëshorti merr vendimin t’i japë goditjen finale gruas me të cilën ka ndarë shtratin gjithë jetën, e cila është edhe nëna e fëmijëve të tij.

 

Gazmend dhe Gentiana Musta

 

Dita e ditë e janarit të 2019-ës, nisi me një krim tronditës në Mallakastër ku 34-vjeçari, Gazmend Musta masakroi me thikë bashkëshorten e tij, Gentianën dhe motrën e saj, Merisën. I gjithë debati kishte nisur për gotat e rakisë që kishte kthyer Musta ndërsa ky i fundit ishte nxehur kur e shoqja i kishte thënë se donte të ikte tëk familja e saj pas festive të fundvitit.

Por fjalët e Gentianës nuk janë pritur mirë nga Gazmendi, i cili ka nisur sherrin me të shoqen dhe në një moment i ka ngulur thikën. Mes tyre ka hyrë Merisa, motra e Gentjanës dhe jo vetëm që nuk ia doli dot mbanë të shpëtonte atë, por vdiq dhe vetë. Të dyja mbetën të vdekura në vend. Musta ndodhet në burg për vrasje të dyfishtë.

 

Antoneta Hoxha

 

Ky ishte edhe fati i 53-vjeçares në Memaliaj, Antoneta Hoxhës, e cila u vra nga bashkëshorti i saj Skënder Hoxha me levën e kazanit të rakisë. Nëna e katër fëmijëve u masakrua për vdekje nga bashkëshorti i saj, pas një sherri me të në dhomën e gjumit, ditën e parë të muajit maj të këtij viti. E larë në gjak pas goditjes pas koke dhe në ballë, Antoneta i ka kërkuar ndihmë të shoqit, por 63-vjeçari e ka lënë të vdesë pas disa orësh agoni.

 

Adriatik Dhe Hazbije Kuka

 

Xhelozia për faktin se gruaja kishte filluar punë e bëri Adriatik Kukën të merrte thikën e t’ja ngulte në zemër të shoqes, Hazbijes. Gjithçka ndodhi pasditen e 16 korrikut në sy të djalit 8-vjeçar. I mituri njoftoi dajën për ngjarjen e rëndë, i cili e dërgoi me njëherë të motrën në spital, por ishte e kotë. Hazbija, 36 vjeçe kishte ndërruar jetë.

 

Etleva dhe Teodor Lera

 

Dhuna sistematike nga i shoqi mori fund për Etleva Lerën nga Tragjasi i Vlorës ditën kur i shoqi 57 vjeç, Teodori e mbyti me duart e tij. Më pas ai tentoi të vrasë edhe veten. Etleva ishte një grua punëtore, e dashur, dhe jashtë kamerës fqinjët pohuan se jo pak raste e kanë parë verën me shenja në fytyrë. Deri kur më 7 shkurt, Etlevës që i shoqi i nxinte trupin dhe fytyrën, i mbylli sytë.

 

Viktima Laureta Sulo dhe autori Lavdosh Sulo

 

Bashkëvuajtësja e Etlevës, Laureta Sulo u masakrua me sëpatë nga i shoqi. Në muajin qershor, Babicë të Madhe të Vlorës, Lavdo Sulo mori sëpatën dhe qëlloi gruan e tij në kokë. Ai u arrestua shumë shpejt. Edhe për këtë ngjarje shkaku u bë xhelozia.

 

Lule dhe daut Gjokola

 

53-vjeçari Daut Gjokola vrau me 15 goditje me thikë bashkëshorten, Lulen, dhe pas krimit u vetëflijua duke u hedhur nga kati i katërt i banesës. Ngjarja ndodhi më datë 8 shtator në banesën ku jetonte çifti në Librazhd. Çifti Gjokola, prindër të dy fëmijëve, një djali dhe një vajze kishte në pronësi të tyre një biznes, një pikë Ëestern Union dhe një agjensi udhëtimi në qytetin e Librazhdit. Për fqinjët ata ishin një familje për t’u marrë shembull dhe se shkak i sherrit dyshohet se është bërë xhelozia e 53-vjeçarit ndaj së shoqes. Ngjarja u pa nga djali i familjes që përfundoi në gjendje shoku.

 

Enio Alla

 

2019-a la pas zemra që ndalën rrahjet, mes tyre gjashtë gra. Të rinj, baballarë dhe nëna u gjendën të pafuqishëm për të luftuar me vdekjen që u kishte ardhur mjaft pranë. Por ky vit që la pas hidhërimin në dhjetëra familje do të nxirrte në pah edhe ‘gangsterllëkun’ e dy djemve të politikanëve. “S’e njeh babain tim ti?”- do t’u drejtohej Enio Alla, djali i kryebashkiakut të Bulqizës, Lefterit, efektivëve të “Shqiponjas”, kur këta të fundit e ndalën dhe i gjetën 5.5 gramë hashash të ndarë në doza, në makinë.

 

Xhuliano Frroku dhe babai i tij Bardhok Frroku

 

Xhuliano Frroku, djali i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Lezhë Bardhok Frrokut, do të vihej gjithashtu në pranga pasi pas një kontrolli në mjet iu gjetën 2.5 kg. Frroku nuk ishte treguar shumë i rezervuar për “punën” e tij në rrjetet sociale, duke shkruar për veten se është “spaqator”, fjalë që në italiasht (dhe pa theksin e vendosur) do të thotë shpërndarës droge.

Bilanci i vitit 2019 është tragjik, ku më shumë është dëgjuar krima e armës se e qara e një foshnje të sapolindur. Edhe vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, teksa ishte në një vizitë në Shkodër, bëri një lapsus frojdian, dhe tha se “qytetarët nuk kanë pse të ndihen të sigurtë”. Por i dorëzuar para krimit ishte dhe Kryeminsitri Edi Rama…..Në një intervistë televizive ku u pyet se si do luftonte krimin tha “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”, duke ndritur flamurin e bardhë para armëve që shkrepeshin çdo ditë….Hesapet mes bandave nuk janë  mbyllur, e banda të tjera kanë dalë në sipërfaqe, por këtë shkrim po e mbyll me shpresën që në vitin 2020 ato që do të na shpojnë veshët të jenë të qarat e bebeve që do të vijnë në jete…..

(f.m/f.g/dosja.al)

Shto Koment