Dikur

Statistika diktature/ Realizimi i planit të dënimeve me vdekje!

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme i vitit 1952 që dëshmon për përcaktimin e planit dhe realizimin e goditjes së “armikut të popullit”. Statistika krahasuese ndërmjet tre viteve.
Featured image of article: Statistika diktature/ Realizimi i planit të dënimeve me vdekje!

TIRANË– Si në të gjitha fushat, kryesisht te godija e armiqve të sistemit, komunistët kishin planifikime të qarta. Raporti i Ministrisë së Brendshme në vitin 1952 na rrëfen se si përcaktohej plani për dënimet e ndryshme ndaj armiqve të popullit. Statistika të frikshme që flasin për dënime me vdekje e dënime të tjera të rrepta. Si interpretoheshin nga zyrtarët e diktaturës komuniste shifrat e arrestimeve dhe më pas dënimeve të ndryshme. Dokumenti i publikuar nag kujto.al, jep shifra dhe statisktika të interpretuara nga zyrtarët e kohës përmes krahasimeve të ndryshme. Spikat ndarja e arrestimeve, dënimeve ndërmjet të dënuarve politikë dhe atyre ordinerë, por edhe ajo ndërmjet anëtarëve të partisë të dënuar dhe të tjerëve pa parti. Një tjetër e dhënë e rëndësishme në këtë raport është edhe lëvizja e numrit të dënimeve me vdekje e të tjera nga viti në vit. Më poshtë publikohet raporti i dënimeve gjatë tre viteve, me goditjet ndër më intensivet e diktaturës komuniste, ndaj armiqve të regjimit.

Krahasimi ordinerë-politikë

Në vitin 1951 janë dënuar me vdekje 118 vetë, prej të cilëve 74 për faje politike dhe 44 për faje ordinere. Nga këta janë ekzekutuar 63 për faje politike dhe 30 për faje ordinere.

Në vitin 1952 janë dënuar me vdekje 81 vetë prej të cilëve 40 për faje politike dhe 41 për faje ordinere. Nga këta janë ekzekutuar 31 për faje politike dhe 21 për faje ordinere.

 Krahasimi i goditjeve

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Arrestime dhe dënime të vjetit 1952, 1951 dhe 1950

  1. Arrestime: në vjetin 1952 (nëntë muaj) kemi gjithsej të arrestuar 1338 vetë. Në të njëjtin 9-mujor të vjetit 1951 kemi 2892 të arrestuar. Dmth 1554 të arrestuar më pak në këtë vit. Në të njëjtin 9-mujor të vjetit 1950 kemi patur 2756 të arrestuar dmth në krahasim me këtë vit kemi 1418 të arrestuar më pak. Nga këto krahasime del se studimi i elementit që është arrestuar gjatë vjetit 1952 është bërë më I mirë se në vjetin e kaluar. Megjithse një pjesë e fajtorëve janë proceduar dhe janë gjykuar duke qënë të lirë, deri në kohën kur janë gjykuar nuk kemi pasur rreziqe prej tyre ose të kenë kryer faje të tjera. Nga kjo del se edhe për këtë kategori, studimi i tyre prej organeve të hetuesisë është bërë mirë.
  2. Dënime: për vjetin 1952 kemi dënuar me burgime të ndryshme 3091 vetë duke përfshirë në këtë shifër edhe ata fajtorë të cilet nga organet e drejtësisë janë proceduar në gjendje të lirë dhe pastaj janë dënuar nga gjykata me dënime të ndryshme. Në të njëjtin 9-mujor të vjetit 1951 kemi patur 3233 të dënuar me burgime të ndryshme dmth në krahasim me vjetin 1950 kemi patur 5664 të dënuar dmth 2563 të dënuar më pak në vjetin 1952. Të dënuar me vdekje: për vjetin 1952 (9 muaj) kemi 41 dënime me vdekje prej të cilave janë ekzekutuar 21 vetë në të njëjtin 9 mujor të vjetit 1951 janë dënuar 33 dënime me vdekje. Dmth këtë vit kemi 8 dënime me vdekje më shumë. Në 9-mujorun e vjetit 1950- kemi patur 27 dënime me vdekje dmth se në këtë vit kemi 14 dënime me vdekje më shumë.

Anëtar partie të dënuar

Në vitin 1950 janë arrestuar 1025 veta nga të cilët 45 janë anëtarë partie, 8 kandidatë për anëtar partie dhe 972 pa parti. Prej këtyre janë liruar për mungesë provash 124 veta. Në këtë vit janë dënuar nga gjyqet ushtarake 1018 veta, nga të cilët 26 janë anëtar partie 8 kandidatë për anëtar partie dhe 984 janë pa parti. Nga ky numër janë dënuar me vdekje 51 veta, prej të cilëve 3 anëtar partie dhe 48 pa parti.

Në vitin 1951 janë arrestuar 1202 vetë nga të cilët 61 janë anëtar partie, 42 kandidat për anëtar partie dhe 1099 pa parti. Prej këtyre janë revokuar dhe për mungesë provash janë liruar nga burgu 232 veta. Në këtë vit janë dënuar nga gjykatat ushtarake 992 nga të cilët 61 anëtar partie, 18 kandidat partie dhe 913 janë pa parti.

Marrë nga Kujto.al 

Shto Koment