Aktualitet

Punonjësit e Poçemit në ditën e katërt të grevës së urisë, shfaqin probleme shëndetësore (VD)

Sot në ditën e katërt të grevës së Poçemit, punonjësit përveçse nuk kanë marrë asnjë përgjigje për situatën, janë përballur edhe me probleme shëndetësore.
Featured image of article: Punonjësit e Poçemit në ditën e katërt të grevës së urisë, shfaqin probleme shëndetësore (VD) Punëtorët në grevën e urisë

MALLAKASTËR– Punonjësit e stacionit elektrik dhe të pompimit në Poçem kanë hyrë sot në ditën e katërt të grevës së urisë, pasi kërkojnë 27 rrogat që nuk i kanë marrë.  Mëngjesin e kësaj të diele situata ka qenë më e qetë, por në mbrëmjen e së shtunës një prej grevistëve ka pasur komplikacione me shëndetin, luhatje të tensionit, ku rreth orës 3 të mëngjesit ka marrë edhe ndihmë mjekësore. Grupit të grevistëve të Poçemit u është bashkuar edhe një mësues veteran, i cili e konsideron si jo të drejtë neglizhencën e institucioneve përkatëse, në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi.

Ky nënstacion ka 18 punëtorë, të cilëve iu është prishur kontrata me 31 dhjetor 2019 nga ku furnizohet me energji dhe rafineria e naftës në Ballsh, që po ashtu kanë shprehur mbështetjen për këtë grevë. Dy ditë më parë, ata janë shprehur se të hënën do të futen në grevë urie pasi kanë 6 muaj para marrë rrogat.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator, dhe punëtorët prej asaj kohe kanë dalë në protestë. Naftëtarët kanë dalë disa herë në protestë në Fier, ku kanë kërkuar që të marrin pagat e tyre, por nuk janë dëgjuar nga autoritetet. Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rifinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat, çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje, e cila ka kaluar më pas për eksport. Kjo grevë urie ka sjellë edhe reagime nga ana e opozitës. Ish-deputeti i PD-së Luan Baçi ka deklaruar se pushtetarët i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se askush nuk pyet për ta. Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u bëri thirjre strukturave të LSI-së në Fier që t’iu qëndrojnë pranë punëtorëve

(A.C. J.V. Dosja.al)

Shto Koment