Aktualitet

Mund të bëjmë vetëm 500 testime në ditë. Por e dini sa e teston bota Covid-19?

  Shqipëria mund të kryejë deri në 500 analiza për koronavirusin në ditë, por që nga shpërthimi i epidemisë janë kryer vetëm 457 teste. Numri i testimeve është ndër më të ulëtit krahasuar me vendet e tjera që janë prekur nga koronavirusi në Europë. Në Greqi për shembull, ku ka më shumë se 100 të infektuar, autoritetet kanë testuar më shumë se 3000 persona. Qeveria greke ka hapur sot dy laboratorë të rinj, një në Athinë dhe një në qendër të Greqisë për të rritur numrin e testime për koronavirusin.
Featured image of article: Mund të bëjmë vetëm 500 testime në ditë. Por e dini sa e teston bota Covid-19? Foto ilustruese

TIRANË– E gjithë Europa dhe SHBA-ja kanë vendosur të rrisin numrin e testimeve për të evidentuar në kohë të gjitha rastet me koronavirus. Kryeministri britanik deklaroi po ashtu se do të rriste numrin e testimeve në vendin e tij, duke theksuar se numri real i të infektuarve në Britaninë e Madhe mund të arrijë deri në 10 mijë. Masat e fuqive perëndimore vijnë pasi OBSH-ja sugjeroi se testimet në masë ishin një faktor i rëndësishëm për izolimin që në fazat e para të një pacienti me koronavirus. Edhe Italia ka rritur prej një jave numrin e testimeve, duke çuar paralelisht edhe në zbulimin e 2000 mijë rasteve të reja për tre ditë rresht. Megjithatë, vende si Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut kanë një numër edhe më të vogël testimesh se Shqipëria, me rreth 150 analiza. Por a ka ardhur koha që Shqipëria dhe rajoni të rrisin nurmin e testimeve?

Ajo që mban rekordin për numrin e lartë të testimeve është Koreja e Jugut.  Gati 20,000 njerëz po testohen çdo ditë për koronavirus në vendin aziatik, më shumë se kudo tjetër në botë. Koreja e Jugut ka krijuar një rrjet prej 96 laboratorësh publike dhe private vetëm për të testuar të dyshuarit me koronavirus.

Zyrtarët e shëndetit publik besojnë se kjo qasje mund të shpëtojë jetë. Shkalla e vdekshmërisë për koronavirusin në Korenë e Jugut është 0.7%. Në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetit ka raportuar se është 3.4% por shkencëtarët vlerësojnë se shkalla e vdekjes është më e ulët sepse jo të gjitha rastet janë raportuar, pasi shumë e kalojnë koronavirusin si një grip të lehtë.

“Testet bëhen në një dhomë me presion negativ”, thotë Dr. Oh Yejin nga një laborator në Seul. “Kjo parandalon që çdo pikëz nga mostrat të shpëtojnë.”

I gjithë procesi i testimit në Korenë e Jugut zgjat rreth pesë deri në gjashtë orë, ndërsa në Shqipëri të paktën 8 orë.

Profesor Gye Cheol Kwon, kryetari i Fondacionit të Mjekësisë Laboratorike thotë se 70 laboratorë për testimet e koronavirusit po punojnë nga 24 orë në ditë.  Por kjo ka ardhur nga një përvojë e hidhur.

“Ne mësuam rrezikun e infeksioneve dhe pasojat e tij nga shpërthimi i Mersit në vitin 2015”, tha ai. Tridhjetë e gjashtë njerëz humbën jetën në Korenë e Jugut nga ky virus.

Kjo e detyroi Korenë e Jugut të rivlerësojë qasjen e saj ndaj sëmundjeve infektive. Qendrat e Koresë së Jugut për Kontrollin e Sëmundjeve madje ka krijuar një departament special për t’u përgatitur për më të keqen. Në këtë rast, përgatitja duket se është shpërblyer.

“Unë mendoj se zbulimi i hershëm i pacientit me teste të sakta të ndjekura nga izolimi mund të ulë shkallën e vdekshmërisë dhe të parandalojë përhapjen e virusit,” tha Kwon.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndryshe nga shumë vende të tjera, në Korenë e Jugut nuk ka mungesë tamponësh.

Katër ndërmarrjeve vendase u është dhënë miratimi për t’i prodhuar. Do të thotë që vendi aziatik ka aftësinë për të analizuar 140,000 mostra në javë.

Profesor Kwon beson se saktësia e testit Covid-19 në Korenë e Jugut është rreth 98%. Aftësia për të testuar kaq shumë njerëz e ka bërë vendin një model në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ne nuk mund të trajtojmë në spital të gjithë pacientët. Ata që kanë simptoma të buta duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mjekohen,” thotë Kwon. “Ne duhet të përqendrohemi tek testimet për të ulur nivelin e vdekjeve. Kështu duhet të bëjnë edhe vendet si Italia”.

Në Korenë e  Jugut, gjaku i pacientëve të rikuperuar gjithashtu po monitorohet dhe analizohet. Shkencëtarët kanë zhvilluar një proteinë “unike” që mund të zbulojë antitrupat dhe të ndihmojë në krijimin e një vaksine në të ardhmen.

Masat parandaluese që po merren në Korenë e Jugut deri më tani nuk kanë përfshirë karantina masive, bllokime në rrugë dhe asnjë kufizim në lëvizje edhe pse shkollat ​​mbesin të mbyllura dhe zyrat po inkurajojnë njerëzit të punojnë nga shtëpia.

Sidoqoftë, ngadalë, nga dita në ditë, shumë njerëz po dalin përsëri në rrugët e kryeqytetit, Seul. Restorantet, autobusët dhe metrosë kanë filluar të hapen përsëri. Shumica e njerëzve veshin maska ​​dhe janë vendosur kamera  termik në hyrje të ndërtesave kryesore.

Shishet e dezinfektuesve të duarve janë vendosur në ashensorë. Madje ka njerëz të veshur me rroba mbrojtëse në hyrje të metrosë që ju kujtojnë të lani duart.

Ky mund të jetë “normaliteti” i ri në Korenë e Jugut dhe të gjitha vendet e prekura. Dhe e vetmja mënyrë që të mbrosh veten dhe të tjerët është të testohesh në kohë.

Marrë nga GazetaSi

Shto Koment