Politike

Dorëheqja e Sakos, Rama i bën ‘bisht’ pyetjes, ia hedh fajin gazetarëve: Gjeneratorë tmerri, i luajtët mendsh njerëzit (VD)

Teksa inspektonte nga larg, një prej gazetareve të pranishme, e pyeti kreun e qeverisë Edi Rama për dorëheqjen e kryebashkiakes së Durrësit disa orë më parë.

DURRËS– Kryeministri Edi Rama, bashkë me kryepolicin Ardi Veliu dhe kreun e Emergjencave Civile, Haki Çakon pa nga afër shembjen e hotel “Mira Mare”, i cili shkaktoi viktima gjatë tërmetit.

Teksa inspektonte nga larg, një prej gazetareve të pranishme, e pyeti kreun e qeverisë për dorëheqjen e kryebashkiakes së Durrësit disa orë më parë.

Ndërsa në fjalën e tij, Rama e fokusoi përgjigjen e tij tek situata pas tërmetit duke fajësuar mediat se po përhapnin panik tek njerëzit. 

PYETJA: Kemi një dorëheqje të kryetares së bashkisë në një kohë emergjence, a është normale kjo?

EDI RAMA: Ajo që mendoj se është me rëndësi, është që në këto momente të jepni sa më shumë energji pozitive. Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj që rrini në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanësh, sepse njerëzit janë të tmerruar. Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim dhe ato që mbushen me kronika sikur këtu ka rënë bomba në çdo shtëpi. Nuk ka rënë bomba në çdo shtëpi ka raste që s’janë dëmtuar fare. Ndaj është misioni juaj që të thoni; nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur apo jo muri, por rëndësi ka që; a janë prekur apo jo kolonat? Kemi angazhuar gjithë këtë rrjet ndërkombëtar që njerëzit ta kenë me dy vula.Nëse nuk na ndihmoni, mos na e bëni punën të vështirë duke hedhur helm. I luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por i drejtohem atyre që iu drejtojnë ju nga redaksitë. 

Ditën e sotme, kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako dha dorëheqjen pas gafave që lëshoi lidhur me pasojat e tërmetit. Ajo u shpreh se kishte marrë shumë komente negative dhe nuk e përballonte dot stresin. 51 persona të vdekur, 913 të plagosur dhe 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit. Kërkimet në Thumanë  dhe Durrës  janë mbyllur. Toka vijon të dridhet ndërsa viktimat po përcillen një e nga një për në banesën e fundit.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment