
SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zonja e parë Melania, drejtuan për herë të fundit, ceremoninë shtetërore të ndezjes së pemës së Krishtlindjeve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Donald Trump, i cili vazhdimisht është përpjekur të marrë meritat për krijimin në kohë rekord të vaksinës kundër koronavirusit, tha në fjalën e tij se vaksina ishte një mrekulli Krishtlindjesh.
“Jemi vetëm pak ditë larg shpërndarjes së miliona dozave të një vaksine të sigurt e të efektshme, e cila do t’i japë fund pandemisë e do të shpëtojë miliona jetë njerëzish. Është vërtetë një mrekulli Krishtlindjesh, një prej arritjeve më të mëdha shkencore në histori”, tha Trump.
Presidenti i uroi amerikanëve Krishtlindje të gëzuara, ndërsa Zonja e Parë shtypi butonin që ndriçoi pemën madhështore.
(kle.mu./dosja.al)