
SHBA-Facebook dhe Twitter kanë vendosur paralajmërime poshtë një video 46-minutëshe të publikuar nga Donald Trump, në të cilën presidenti përsërit akuzat për manipulim të votuesve në zgjedhjet e nëntorit, ku fitues u shpall Joe Biden.
“Ky mund të jetë fjalimi më i rëndësishëm që kam bërë ndonjëherë,“-ka shkruar Donald Trump në fillim të videos.
Në video, Trump shfaqet nga Salla Diplomatike, ku ka folur sërish për manipulim ndonëse anëtarë të administratës së tij, përfshirë edhe prokurorin e përgjithshëm Uilliam Barr, që konsiderohet aleat i ngushtë i Trump, kanë përsëritur se nuk ka prova për manipulim të zgjedhjeve.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me nderimin e votave të 74 milion Amerikanëve që votuan për mua. Ka të bëjë me sigurimin që amerikanët mund të kenë besim në këto zgjedhje. Dhe në të gjitha zgjedhjet e ardhshme,”-ka thënë ai.
Pavarësisht etiketimit të Facebook dhe Twitter të videos së presidentit, se faktet nuk janë të vërteta me qindra mbështetës të tij e kanë pëlqyer atë.
Videoja e Trump vjen një ditë pasi Uilliam Barr ka thënë se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së nuk kishte zbuluar prova të mashtrimit të gjerë të votuesve që do të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Joe Biden, është shpallur fitues me 306 vota të kolegjit elektoral, në krahasim me Donald Trump i cili mori 232. Sidoqoftë, Trump nuk ka pranuar rezultatin dhe ka nisur beteja të ligjore në disa shtete, por edhe pas një rinumërimi nuk janë gjetur fakte për manipulim të votave.
(k.a/dosja.al)