Aktualitet

Dominojnë lindjet, pavarësisht Covid-19, më pak vdekje këtë tremujor se në 2019

Të dhënat tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2020 është 6.124, duke shënuar një rënie me 8,0 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019.
Featured image of article: Dominojnë lindjet, pavarësisht Covid-19, më pak vdekje këtë tremujor se në 2019 Foto ilustruese

TIRANË– Pavarësisht egërsimit të COVID-19 në dy muajt e fundit dhe vdekjeve të shkaktuara prej tij, të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujroin e dytë të këtij viti numri i vdekjeve ka shënuar një rënie prej 3,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019.

Të dhënat tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2020 është 6.124, duke shënuar një rënie me 8,0 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019.

Por, gjatë këtij tremujori, numri i lindjeve tejkalon me 1.135 numrin e vdekjeve.

Në tremujorin e dytë 2020 shtatë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqe, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Në tremujorin e dytë 2020 vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 709 numrin e vdekjeve, ndërsa ajo më e vogël regjistrohet në qarkun e Vlorës, ku vdekjet tejkalojnë me 80 numrin e lindjeve.

Lindjet

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në tremujorin e dytë 2020 dy qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ndërsa në dhjetë qarqe ka pasur rënie. Në tremujorin e dytë 2020 numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.973 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 121 lindje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Gjirokastrës me 5,2 %, rënien më të madhe e ka qarku i Kukësit, me 37,0 %.

Vdekjet

Në tremujorin e dytë 2020 shtatë qarqe të vendit kanë shënuar rënie të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ndërsa pesë qarqe kanë shënuar rritje. Në tremujorin e dytë 2020 numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 117 vdekje, ndërsa ai më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.264 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të dytë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Beratit, me 24,4 %, ndërsa rritjen më të madhe në përqindje e ka qarku i Gjirokastrës, me 9,9 %.

Marrë nga GazetaSi

(f.m/dosja.al)

Shto Koment