Aktualitet

Doli sot nga spitali, Gjykata e Tiranës shtyn seancën ndaj ish-kryebashkiakut, shkak mungesa e Agim Kajmakut

  • Kajmaku lë spitalin dhe shkon në shtëpi, detyrim të paraqitet 2 herë në muaj në Prokurori
  • Shtyhet seanca për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun. Shkak për shtyrjen e seancës së sotme është bërë mosprania fizike e Kajmakut në seancë, i cili ka dalë mëngjesin e sotëm nga spitali.
    Featured image of article: Doli sot nga spitali, Gjykata e Tiranës shtyn seancën ndaj ish-kryebashkiakut, shkak mungesa e Agim Kajmakut Agim Kajmaku

    TIRANË– Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur që të shtyjë për të hënë seancën e verifikimit të masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Shkak për shtyrjen e seancës së sotme është bërë mosprania fizike e Kajmakut në seancë, i cili ka dalë mëngjesin e sotëm nga spitali.

    Megjithatë Kajmaku ka qënë i përfaqësuar nga avokati i tij në sallë, ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar shpallje të moskompetencës dhe dërgim në Gjykatën e Apelit.

    Një ditë më parë, për Kajmakun u ndryshua masa e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje”. Ka qenë vetë organi i akuzës, i përfaqësuar nga Arta Marku që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se Kajmaku nuk mund të qëndronte në burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    Kështu Agim Kajmaku ka fituar sërish lirinë pas shumë kohësh në arrati. Sipas vendimit të marrë nga organet e drejtësisë, ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku duhet të paraqitet 2 herë në muaj në prokurori.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, që prej vitit 2019 është përballlur me disa akuza. Në fillim ishte Partia Demokratike, ajo që akuzoi Kajmakun së kishte fshehur një dënim që kishte marrë në Greqi. Edhe pse opozita publikoi fakte dhe dokumente për dënimin e tij në Greqi dhe për ndërrimin e emrin në Jorgo Toto, ai vijoi detyrën. 

    PD shtoi presionin kundër tij dhe kërkonte me ngul largimin e tij nga detyra. Nga ana tjetër Prokuroria kishte bërë verifikimet dhe kishte dorëzuar dokumentet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe po përgatitej shkarkimi i tij. Kajmaku pasi KQZ vendosi që t’i hiqte mandatin dyshohet se firmosi disa dokumente në kundërshtim me ligjin. Ai shkarkoi dy nënkryetarët e Bashkisë Vorë dhe u arratis.  Ndaj ish-kreut të Bashkisë së Vorës janë ngritur tre akuza, ajo e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të tyre dhe ajo e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.

    (k.m/dosja.al)

    Shto Koment