Politike

“Do heqim akcizën për naftën e fermerëve”/ Premtimi i pambajtur i Ramës, kryeministri e kishte pjesë të programit të 2013-ës, fshihet gjithçka në faqen e PS-së

Rama ka premtuar që në vitin 2013 për për lehtësime taksash për fermerët, si heqje akcizës për karburantin. Ditën e djeshme ai e ribëri këtë premtim edhe pse kanë kaluar 7 vite.
Featured image of article: “Do heqim akcizën për naftën e fermerëve”/ Premtimi i pambajtur i Ramës, kryeministri e kishte pjesë të programit të 2013-ës, fshihet gjithçka në faqen e PS-së Edi Rama dhe programi i fshirë në faqen e PS-së

TIRANË– Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama bëri disa premtime elektorale për sektorin e bujqësisë. Rama premtoi se do të ulë çmimin e naftës për fermerët dhe se do të heqë taksën e qarkullimit dhe karbonit për bujqësinë. Kështu, kreu i qeverisë publikoi disa hapa, që nga heqja e akcizës deri tek mënyra sesi fermeri do të tërheqë naftën.

Por, këto premtime Edi Rama i ka bërë që në fushatën elektorale të vitit 2013. Nëse i hedh një sy të shpejtë programit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane 2013-2017” , shfaqen qartë premtimet e ribëra, edhe pse kanë kaluar 7 vite.  Pra,  siç do ta shikoni edhe më poshtë të detajuar, Rama ka premtuar që në vitin 2013 për lehtësime taksash për fermerët, si heqje akcizës për karburantin.
Por jo vetëm kaq.Premtimet e 7 viteve më parë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane janë fshirë nga faqja e zyrtare e Partisë Socialiste. 
Programi i fshirë në faqen e PS-së

PROGRAMI I PS NË 2013-ën

Inputet bujqësore dhe punimi i tokës, zënë një peshë kryesore në koston e përgjithshme dhe për këtë arsye:
• Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanët, materialin gjenetik shtazor, plehrat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
• Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.
• Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
• Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.
• Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.
• Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, përbën një tjetër përparësi. Ulja e kostos së lëndëve të para është thelbësore, prandaj do të përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave. Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit. Për këtë arsye:
• Do të zgjerohet parku i mjeteve të nevojshme publike dhe private, të duhura për mirëmbajtjen e sistemit kullues dhe vaditës të vendit.
• Do të miratohen tarifat e reja të furnizimit me energji elektrike për sistemin e kullimit dhe të vaditjes.
• Do t’u jepet një rol më i madh komunave në mirëadministrimin e burimeve ujore dhe rrjetit ujitës dhe kullues.
Synojmë të investojmë 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes. Konsolidimi i titujve të pronësisë mbi tokën është baza e nxitjes së investimeve në bujqësi. Mbështetja financiare e bujqësisë është e domosdoshme për të patur pritshmëritë e programuara për zhvillimin rural. Për këtë:
• Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin,
• Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural,
• Do të mbështeten me përparësi ngritja e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtise me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale,
• Do të mbështeten me fonde të garancisë, zbatimi i skemave të sigurimit të prodhimeve nga dëmtimet natyrore të kulturave bujqësore dhe blegtorisë,
• Do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim,
• Do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Në fushën e ushqimit dhe të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së tij, do të ndiqet një përqasje e integruar sipas parimit “nga ferma në tavolinë”. Për këtë do të merren masa për:
• Të vënë në funksion të plotë sistemin e identifikimit dhe të regjistrimit të blegtorisë;
• Të modernizuar sistemin e identifikimit, sinjalizimit të sëmundjeve infektive dhe parazitare në bimë dhe kafshë;
• Të zgjeruar mbulesën vaksinale në blegtori për të parandaluar dëmtimet në kafshë dhe shpendë dhe pasojat mbi shëndetin publik;
• Të mbikëqyrur tregjet e kafshëve si dhe kontrolluar procesin e përpunimit dhe shpërndarjes te tyre për mish në tregjet e vendit;
• Të promovuar të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit, të cilat zbatojnë sisteme të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore si dhe për të caktuar afate mbi ndërmarrjet që ende nuk i përfshijnë këto standarde në teknologjinë e prodhimit.
• Të përfunduar akreditimin ndërkombëtar të qendrave kombëtare të referencës në fushën e sigurisë ushqimore.
Një përmirësim thelbësor do të ketë në informacionin bujqësor, hartografinë e kulturave dhe racave sipas rajoneve, si dhe përcaktimit të nevojave të specialiteteve të bujqësisë. Për këtë:
• Do të përfundojë harta e rajonalizimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe e racave të ndryshme që do të mbështeten me financime publike;
• Do të përcaktohen nevojat për specialitete të reja dhe do të plotësohen nevojat me specialistë të bujqësisë, si dhe do të hartohet një program 4-vjeçar i edukimit dhe i formimit profesional në fushën e bujqësisë;
• Do të zbatohet programi i promovimit dhe i shpërndarjes së pervojës së historive të suksesit në bujqesi, blegtori dhe agropërpunim;
• Do të kryhet një inventar i plotë, si dhe do të mbikëqyret shkalla e zbatueshmërisë për të gjithë projektet në fushën e bujqësisë.
Peshkimi, është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje. Për këtë kërkohet një rishikim i skemave të furnizimit me naftë pa akcizë, për t’i bërë më të efektshme. Do të mbështetet rifreskimi i flotave të peshkimit dhe pajisja e tyre me mjete të peshkimit në thellësi, për të bërë të mundur furnizimin me lëndë të parë, të fabrikave të përpunimit të peshkut në vend. Do të ngrihen markatat e peshkimit për të harmonizuar interesat e peshkatarëve dhe të tregtarëve. Do të zhvillohet akuakultura. Do të hapet eksporti për molusqet drejt vendeve të BE.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment