Aktualitet

Djegia e mandateve, Bushati: Një e keqe e domosdoshme, kjo është taktika e ndërkombëtarëve

Analisti Andi Bushati, e quan vendimin e Opozitës për të djegur mandatet, si një të keqe të domosdoshme, ndërsa qëndrimin e ndërkombëtarëve si një trysni mbi më të dobëtin për të arritur në një zgjidhje.
Featured image of article: Djegia e mandateve, Bushati: Një e keqe e domosdoshme, kjo është taktika e ndërkombëtarëve Analisti Andi Bushati

Analisti i njohur Andi Bushati, ka reaguar lidhur me vendimin e Opozitës për të djegur mandatet dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve kundër. Sipas Bushatit vendimi i marrë nga opozita është një “e keqe e domosdoshme”.

“Unë e quaj djegien e mandateve një të keqe të domosdoshme, por njerëzit nuk duhen gënjyer, që sot djegim mandatet e nesër çlirohet Shqipëria. Ka një rrugë dhe kalvar të gjatë para. Djegia e mandateve do t’i bëjë shqiptarët të gjykojnë jo më unë jam me Ramën për inat të Saliut por a duhet që në shekullin e 21 Shqipëria të kthehet në sistem monopartiak? Këta ndërkombetarët që e vënë theksin tek stabiliteti më shumë se tek drejtësia, që e shohin Shqipërinë me syze rozë dhe thonë po mirë po pranojmë disa defekte të vogla ka ardhur koha të ndërgjegjësohen”, u shpreh analisti në rubrikën “Opinion” në News 24.

Sipas Bushatit, përfaqësuesit e trupës diplometike në Tiranë, nuk duhet të shohin vetëm shpërthimin dhe dhunën në protestë por duhet të shohin çfarë ka shkaktuar revoltën e qytetarëve.

Ai shprehet se ky qëndrim është një trysni mbi më të dobëtin, taktikë kjo e ndërkombëtarëve për të zgjidhur problemin.

“Dy muajt e parë ne do dëgjojmë reveshe të forta kundër Bashës. Taktika e ndërkombëtarëve është: trysno më të dobtin që të arrish ta zgjidhësh problemin. Por çfarë na tregoi çadra? Të gjithë diplomatët e quajtën rrugë radikal, por në 2 muaj çadër problem kaloi deri tek kancelarja Merkel. Një goditje e fortë radikale e çon hallin nga disa ambasadorë qoftë të squllët apo të blerë, më lart se ata, pra tek institucionet ndërkombëtare”,- vijoi ai.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pak më parë ambasada e SHBA-ve dhe e BE-së, dolën kundër vendimit të Opozitës për djegie mandatesh. SHBA-të u bënë thirrje, të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. (Lexo këtu)

Nga ana tjetër ambasadori i BE-së Luigi Soreca, u shpreh se kjo nuk çon në drejtimin e duhur dhe është kundër interesit të qytetarëve, ndërsa kërkon që mazhoranca dhe opozita të dialogojnë për të ulur tensionin. (Lexo këtu)

Një ditë më parë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën për të djegur mandatet, si zgjidhja e vetme për të rikthyer ligjshmërinë në zgjedhje, ndërsa paralajmëruan për zgjedhje të parakohshme. (Lexo këtu)

(B.B/ Dosja.al)

Shto Koment