Politike

‘Djegia e Kuvendit’, Meta: S’kam thënë asnjëherë gënjeshtra, kam informacione të plota

Meta tha se ka pasur informacione të plota dhe nuk kishte pse të gënjejte, pasi sipas tij ai kurrë nuk ka thënë asnjë gënjeshtër.

TIRANË- Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat ka folur dhe njëherë për skenarët për djegien e Kuvendit. Meta tha se ka pasur informacione të plota dhe nuk kishte pse të gënjejte, pasi sipas tij ai kurrë nuk ka thënë asnjë gënjeshtër.

Keni tronditur opinionin publik për djegien e Kuvendit? A mundet Presidenti të japë më shumë informacion se kush ishin ata që do digjnin Kuvendin?

Kjo është e vërtetë, unë nuk kam thënë asnjë herë ndonjë gënjeshtër. Nuk mund të them diçka më shumë në respekt të ligjit. Komisioni ka të gjitha mundësitë që të njihen me atë informacion. Nuk besoj se kjo gjë ka ndodhur para 100 vitesh, ndoshta se kemi bërë pushime dhe na duket sikur situata ka qenë shumë e thjeshtë dhe e qetë. Ajo që mund të them është se në këtë dokument do të jepen të gjitha momentet e atyre ditëve. Do shikoni që ka qenë një situatë shumë e çmendur dhe këtë gjë e ka treguar dhe raporti i OSBE-së.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat është shprehur i bindur se nuk shkarkohet. Meta tha se të hënën do publikojë dokumentet që do të dërgohen në Venecia. Ai tha se takimi me anëtarët e Komisionit ishte shumë i frytshëm dhe është i gatshëm që të shkoj në Venecia në 11 tetor. Meta më tej u shpreh se i gjithë debati për shkarkimin e tij bëhet për ta shmangur debatin për datën 18 tetorin.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment