Opinione

Dje KRIMI ngriti stekën, goditi dhe arriti deri tek prokurorët….për hesapet e tyre, heqin qafe edhe zyrtarin e lartë të shtetit

Ajo e djeshmja, është dëshmia se krimi është ngritur, sofistikuar dhe ka arritur deri aty, sa nëse i duhet për hesapet e veta, është në gjendje të heqë qafe dhe një zyrtar të lartë të shtetit, siç është një prokuror.
Featured image of article: Dje KRIMI ngriti stekën, goditi dhe arriti deri tek prokurorët….për hesapet e tyre, heqin qafe edhe zyrtarin e lartë të shtetit Prokurori Arjan Ndoja duke u zvarritur pas plagosjes

Padyshim që ka dicka që nuk shkon tek prokurori Ndoja. Shoqëria që ai kishte zgjedhur të drekonte, personi që kishte në makinë, një subjekt i mundshëm i punës së tij, tregojnë dicka. Zeri i Amerikës e quante dje figurë kontraverse. Por përtej këtyre hijeve, akti i djeshëm i atentatit ndaj tij, nuk mund të jetë e të trajtohet si pjesë e kronikës së zezë që prodhon vendi çdo ditë. Ajo e djeshmja, është dëshmia se krimi është ngritur, sofistikuar dhe ka arritur deri aty, sa nëse i duhet për hesapet e veta, është në gjendje të heqë qafe dhe një zyrtar të lartë të shtetit, siç është një prokuror.

Dora e krimit kishte shkuar deri më sot te rivalët, bankierët, avokatët, gjyqtarët, ndërsa nga dje e ngriti stekën deri te prokurorët, ata që merren me hetimin e grupeve kriminale.

Duhet të kuptojmë një gjë qartë, kur tentohet vrasja e prokurorit, është goditur sistemi i drejtësisë, është goditur vet shteti.

Arjan Ndoja mund të ishte si gjithë prokurorët e tjerë në Shqipëri, hetonte dosje kriminale, vjedhje, vrasje apo grabitje pronash. Po kur kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe nisën sulmet ndaj tij, emri i mori një jehonë tjetër.

Mjafton të kërkoje në google me Arjan Ndoja, për të kuptuar ç’po ndodhte.

Mbetet enigmë nëse Rama dhe Braçe e sulmuan prokurorin vetëm pse ai arrestoi drejtorin e Kadastrës në Durrës, apo pas sulmeve fshihen hetimet që Arjan Ndoja po bënte për pronat te Gjiri i Lalëzit.

Por në këtë rast, politika, qeveria, pushteti lanë gjurmë. Sot me siguri, Rama dhe Braçe do të donin të mos i kishin bërë ato deklarata.

Në çdo vend normal të botës, breshëria e kallashnikovit ndaj një njeriu të ligjit për të cilin shefi i qeverisë ka bërë thirrje për ndëshkim, e ka etiketuar si të paguar nga bandat, e ka bërë si tabelë qitje disa herë me radhë, do të përbënte skandal.

Aq më tepër në një vend si ky yni, kur lidhjet e politikës me krimin nuk kanë nevojë për fakte, aq më tepër në Durrës kur mpleksja e interesave elektorale me ato mafioze ka arritur kulmin, aq më tepër në sfondin e kallishverisheve dhe falsifikimeve në të cilat është implikuar Rilindja në këtë zonë, një ngjarje e tillë, e tmerrshme, do të linte shumë vend për dyshime”, thoshte dje në një koment, Andi Bushati, duke ngritur pyetjen, nëse deklaratat e politikës në këto nivele, janë frymëzim për krimin.

Po përtej aferave e hesapeve politko apo mes bandave, shqetësimi kryesor ngelet tek rendi dhe siguria.

Sot si qytetarë të këtij vendi, duhet të ndjehemi më të pasigurtë. Kur krimi guxon dhe godet një prokuror, imagjinoni sa të lehtë mund ta ketë të shkelë mbi qytetarët e thjeshtë, që u dalin si pengesë në rrugë, apo edhe vetë gazetarët që raportojnë çdo ditë për këto ngjarje kriminale.

Çfarë do të ndodhte nëse krimi do të guzonte të godiste një prokuror në një vend europian? E sigurt që gjithë strukturat shtetërore do të viheshin në lëvizje. Ndërkohë që në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja ka heshtje. Kryeministri nuk e ka dënuar sulmin. Sandër Lleshaj që komenton gjithçka, dhe është gati të luftojë kritikët, mediat, dhe opozitën 3 herë në ditë, s’ka nxjerrë asnjë fjalë, ndërkohë që patjetër ka përgjegjësi për këtë nivel pasigurie dhe për këtë terren që ka fituar krimi. Më e rëndë është ajo, se si kryprokurorja Arta Marku ka heshtur. Asnjë deklaratë për ngjarjen e rëndë dhe atentatin ndaj prokurorit.

Kjo heshtje, është e qëllimshme, është zgjedhje. Një zgjedhje po aq e rëndë sa ngjarja. Marrë nga Mapo.al

*Titulli është redaksional. Titulli në origjinal është “Plumbat e zhurmshëm dhe heshtja e qëllimshme e shtetit”.

Shto Koment