Sport

Djarmati: “Statistikat janë thjeshtë një numër, Kukësi nuk mund të krahasohet me Vllazninë”

"Eshtë një ndeshje e vështirë për ne. Do të kishte që mirë të kishim luajtur me Kukësin para dy-tri javësh, kur kjo skuadër nuk ishte konsoliduar ende ashtu si duhet. Por synimet tona shkojnë shumë lart dhe shpresojmë ta kalojmë sa më mirë”
Përditësuar:

SHKODER – Në konferencën e shtypit të prag të ndeshjes me Kukësin, ka dalë drejtori sportiv kroat i Vllaznisë, Matko Djarmati. Ai është shprehur entuziast për një rezultat pozitiv në takimin e nesërm, i cili do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 16:45, në kuadër të të javës së 5-të të Superiores. Ja si i është përgjigjur ai pyetjeve të gazetarëve:

Djarmati, nesër ndaj Kukësit në ballafaqimin e radhës, Vllaznia është në krye dhe me siguri që kjo sfidë bëhet edhe më interesante?

“Së pari, ju uroj gëzuar Festën e Pavarësisë dhe ju uroj të kaloni një fundjavë të mirë dhe unë shpresoj që nesër pas ndeshjes, shkodranët po ashtu të kenë një fundjavë edhe më të mirë. Sa i takon Kukësit, kjo është një ndeshje e vështirë për ne. Do të kishte që mirë të kishim luajtur me Kukësin para dy-tri javësh, kur kjo skuadër nuk ishte konsoliduar ende ashtu si duhet. Por synimet tona shkojnë shumë lart dhe për rrjedhojë e konsiderojmë një ndeshje të radhës dhe shpresojmë ta kalojmë sa më mirë”.

Statistikat e përballjeve Vllaznia-Kukësi, i japin të drejtë kuksianëve në pretendimet e tyre për ta fituar këtë ndeshje. Sa vlejnë këto statistika për ju?

“Statistikat janë thjeshtë një numër. Historia e Vllaznisë kurrësesi nuk mund të krahasohet me atë të Kukësit, është e pakrahasueshme. Me statistika dhe gjithçka tjetër jemi shumë herë më lart sesa Kukësi. Nëse flasim për Kukësin e ri, të këtyre 10 viteve të fundit, padiskutim që është një investim kolosal nga presidenti i vet, por besoj se me këtë nisje që i kemi bërë kampionatit, jemi diçka më përpara se kundërshtari ynë”.

Kukësi vjen pas një fitoreje të rëndësishme me Laçin. Ua vështirëson edhe më shumë punën kjo?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Nuk kemi të bëjmë më me atë skuadër me 10 lojtarë, me të cilët ka luajtur në ndeshjen e parë. Ka gjetur edhe portierin, një djalë të ri, Tafajn, i cili nga portier i tretë, tashmë është portier i parë. Ka konsoliduar mbrojtjen, ndonëse nuk kanë këtë radhë Horiç, por kanë lojtarë të tjerë të mirë në kërtë repart. Kanë një sulm të frikshëm me Ibrahimin, Limajn, Leira, një brazilian shumë i lezetshëm, por besoj se edhe ne jemi gati dhe e kemi studiuar shumë mirë kundërshtarin, unë, trajneri dhe gjithë lojtarët. E njohim formacionin e Kukësit, e dimë mënyrën si luan ai, jemi të gatshëm dhe padyshim favoritë për të fituar sepse luajmë në shtëpi”.

Drejtor, mbrëmë ka ardhur një lajm i mirë, ai i dhënies së dakortësisë për privatizimin e Vllaznisë. A është përçuar edhe ky lajm te skuadra?

“Ky është një lajm i mirë për klubin dhe besoj se do të jenë drejtuersit e tjerë të klubit që do të flasim për këtë çështje. Për mua nuk ndryshon asgjë. Jam tërësisht i fokusuar te Kukësi nesër, te Bylisi javën tjetër, vetëm këtu jam i përqëndruar. Unë që ditën  e parë kur kam ardhur këtu, kam dashur të flas vetëm për sport dhe asgjë tjetër dhe do të provoj ta izoloj edhe skuadrën nga kjo gjë”.

Nesër Vllaznia do të jetë e detyruar të ndryshojë për herë të parë formacionin, si rrjedhojë e mungesave. Do ndikojë kjo te skuadra?

“Kjo për herë të parë që nuk do ta fillojmë një ndeshjen kampionati me një 11-she stabël. Por, në adresën time ka patur shumë kritika pse kisha sjellur 15 lojtarë në skuadër. Kjo është arsyeja pse kemi sjellë 15 lojtarë dhe kemi ndërtuar një ekip me 125 lojtarë, sepse në çdo moment sa here të ketë ndryshime, të mos ketë ulje të nivelit të lojës. Nesër nuk do të kemi Isajevskin dhe Da Silvan, por unë nuk besoj se do të ndihet mungesa e tyre”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment