Dikur

Ditari politik i Enver Hoxhës, maj ’81: Në prag të çlirimit, Miladin Popoviç u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së

Ditari i plotë i Enver Hoxhës, nga porositë e dhëna Ramiz Alisë për t’i dërguar të gjitha faqet e gazetave të huaja nga e gjithë botë që kishin pasqyruar dhe komentuar ngjarjet e KosovëS.
Featured image of article: Ditari politik i Enver Hoxhës, maj ’81: Në prag të çlirimit, Miladin Popoviç u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së Enver Hoxha

TIRANË– Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket datës 8 maj të vitit 1981, ku ndodhet ditari politik i udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, me shënime për ngjarjet e Kosovës të cilat kishin filluar që në ditët e para të pranverës së atij viti, fillimisht me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore dhe më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë.

Ditari i plotë i Enver Hoxhës, nga porositë e dhëna Ramiz Alisë për t’i dërguar të gjitha faqet e gazetave të huaja nga e gjithë botë që kishin pasqyruar dhe komentuar ngjarjet e Kosovës, përgatitjen për një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” lidhur me ato ngjarje në periudhën mars-prill 1981, përgjigjen për politikanin dhe ish-diplomatin serb, Milosh Miniç, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë, i cili kishte bërë një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë”, duke deklaruar se: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetangazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”, etj.

“Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur. Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë. Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë. Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në ditarin politik të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, që mban datën 8 maj të vitit 1981, ku ai ka mbajtur shënime lidhur me ngjarjet e Kosovës, të cilat kishin filluar që në ditët e para të marsit të atij viti, kur rinia studentore e Kosovës doli në protesta dhe demonstrata të cilave më pas i’u bashkua edhe populli i Kosovës, duke kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë qëndrimin që mbajti udhëhqja e Shqipërisë komuniste dhe personalisht Enver Hoxha ndaj udhëheqjes komuniste të Jugosllavisë, na njeh ky dokument arkivor që Memorie.al po e publikon të plotë duke filluar nga ky numër.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Mos vallë Moshe Pijade ka dashur t’i japë një grusht Federatës Jugosllave apo të minojë Jugosllavinë? Ca më pak nuk ka se si të jetë kështu, siç pretendon zoti Miniç, kur akuzohen pa të drejtë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Partia e Punës e Shqipërisë që nuk e kanë bërë këtë kërkesë, nuk ia kanë dhënë këtë grusht serioz Federatës Jugosllave dhe nuk kanë kryer asnjë akt brutal të ndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë. Këto dokumente që gjenden në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, janë të drejta dhe nuk mund të fshihen. Por a janë zbatuar? Jo, ato nuk janë zbatuar plotësisht. Pas kësaj, në parantezë, duhet të vëmë citatet se si që gjatë luftës populli i Kosovës dhe i Metohisë, i cili përfaqësohej nga Fronti Nacionalçlirimtar Shqiptar i Kosovës e Metohisë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë të Krahinës së Kosovës e Metohisë, bëri mbledhjen e tij të parë në Bujan, ku mori një vendim (dhe këtu ky të citohet), i cili, duke u konsideruar si një vendim i përfaqësuesve të popullit të Kosovës në luftën kundër okupatorëve më 1944, u paraqit në Beograd, po pikërisht atje ai u hodh poshtë. Pastaj të vihet letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dërguar Komitetit Qarkor të Kosovë-Metohisë, ku i shpjegon se vendimi që kishte marrë mbledhja e Bujanit nuk ishte plotësisht i drejtë dhe të jepen arsyet që thuhen pse nuk është i drejtë (arsyet që shkruhen në letër).

Të vihen më tej citatet e Miladin Popoviçit dhe të thuhet se në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë ndodhen dorëshkrimet e tij dhe një nga këto dokumente ndodhet edhe në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Pas çlirimit ose në prag të çlirimit, Miladin Popoviçi u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së ose i OZNA-s, sikurse quhej në atë kohë. Pas kësaj ngjarjeje shkoi në Kosovë ushtria, shqiptarëve atje i’u mblodhën armët dhe me ta u mbushën kampet e përqendrimit. Më poshtë të vihet citati i Dushan Mugoshës, i cili shkoi në Beograd dhe “në emër të popullit të Kosovës» kërkoi që krahina e Kosovës t’i aneksohej Serbisë. Ky është dokumenti i parë ku Dushani thotë, në fakt, se nuk e ka marrë pëlqimin e popullit të Kosovës për arsye të shtetrrethimit ushtarak, por do ta marrë më vonë. Pra ai nuk çoi atje zërin e popullit të Kosovës, por zërin e një shovinisti serb. Më vonë, pas tre muajve vjen dokumenti tjetër që paraqiti Dushani në mbledhje, ku pretendon se e kishte marrë pëlqimin e popullit të Kosovës, që ky të bashkohej me Serbinë, duke mbetur një provincë e saj. Këtu të vëmë në dukje organizimin e gënjeshtrës rreth të ashtuquajturit vullnet të popullit të Kosovës dhe të “vetëvendosjes”. Në bazë të të gjitha këtyre ngjarjeve duhen shpjeguar demonstratat paqësore të Kosovës, të cilat u kthyen më pas në demonstrata politike. Të gjitha këto ngjarje, që janë të dokumentuara, zotërinjtë e Beogradit i fshehin, prandaj të mos përpiqen aspak të thonë që shkaktarët ose organizatorët e tyre janë “reaksionarë”, “irredentistë”, “nacionalistë”, “shovinistë”. Por të gjithë këta që vumë në dukje më sipër çfarë janë?

Dhe përse nuk u bë kjo analizë në Komitetin Qendror të Lidhjes? Ç’hyjnë këtu akuzat kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë që s’ka ngritur kurrë çështje territoriale. Pasi të themi të gjitha këto, të dalim me konkluzionin: Ne mendojmë se udhëheqja jugosllave ka humbur gjakftohtësinë, gjë që s’është aspak as në interesin e vetë Jugosllavisë, as në interesin e marrëdhënieve të saj me Shqipërinë, as në të mirën e sigurimit ballkanik dhe të Evropës, për të cilin udhëheqja jugosllave, që është një nga protagonistet “më të shquara” të lëvizjes së Helsinkit, bën shumë zhurmë. Me këtë rast ne mund të shprehim edhe një herë idenë që Shqipëria socialiste ka deklaruar dhe është e vendosur që, në rast se sulmohet Jugosllavia nga një fuqi imperialiste agresive, ajo do të gjendet krah për krah me të. Të theksohet se udhëheqja jugosllave duhet të kuptojë se shqiptarët, qofshin këta të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, qofshin këta të Krahinës Autonome të Kosovës ose të Republikës së Kosovës, si edhe ata të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, do të jenë medoemos krah për krah me popujt e Jugosllavisë për të mbrojtur kufijtë e Federatës. Të themi se shqiptarët e Jugosllavisë nuk mund të jenë as kundër popujve të Jugosllavisë, ca më tepër kundër vëllezërve të tyre shqiptarë, me të cilët do të luftojnë në një llogore.

Këtë gjë nuk dëshiron ta kuptojë udhëheqja jugosllave, po logjika e kësaj politike të drejtë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë është kjo dhe s’mund të jetë tjetër. Udhëheqësit jugosllavë, të cilëve nuk u pëlqen kjo situatë dhe kanë qëllime të tjera nga ana e tyre, mund të mendojnë të kundërtën. Po ata bëjnë gabim, prandaj do t’i dënojnë popujt jugosllavë. I vështruar ky problem në këtë prizëm ne themi se shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë përbëjnë një faktor stabilizues në çfarëdo statusi shtetëror që mund të jenë në Jugosllavi. Udhëheqja jugosllave, duhet thënë në artikull, do të jetë mirë të bëjë çmos që popullin shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, për të mirën e vendit, ta bëjë mik në rrugë të drejtë dhe jo armik. Edhe ne, vëllezërit e tyre në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, luftojmë që të jemi miq me popujt vëllezër të JugosIlavisë, prandaj u themi edhe atyre që të jenë miq me këta. Të përdoret pastaj edhe ajo që ka thënë Titoja, kur i ngrita çështjen e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara nga shqiptarë në Jugosllavi, se “tani nuk është koha për të ngritur kufijtë shtetërorë” dhe më pas vazhdoi të thoshte se “ato janë territore që i përkasin Shqipërisë”, ndërsa më vonë u ka thënë kosovarëve se, ke qëndruar në Jugosllavi, ata do të jenë njësoj sikur të ishin në Shqipëri. Me këtë Titoja nuk mohon çështjen që Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarë nuk mund të jenë në Shqipëri, po atëherë ishte një situatë e tillë që këtë gjë “e pengonte shovinizmi serb, prandaj nuk mund të realizohej kjo e drejtë”. Bile Titoja u thotë edhe këtë shqiptarëve që “ju jeni një faktor me rëndësi për të forcuar Federatën Jugosllave”. Mua më duket se në këtë kontekst ne i japim një përgjigje tjetër plotësuese dhe dërrmuese udhëheqjes jugosllave. Me argumentet që kemi artikulli duhet të bëhet i fortë dhe akoma më i qetë nga dy të parët. Me Ramizin rashë dakord që artikullin ta botojmë nga fundi i javës tjetër./Memorie.al

Etiketa:

Shto Koment