Rajoni

Diskutimet për formimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, BDI nuk heq dorë nga ideja për kryeministër shqiptar

Pas konstituimit të përbërjes së re të parlamentit në Maqedoninë e Veriut, kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re. Partia shqiptare BDI, e cila ka fituar 15 mandate dhe pritet të jetë pjesë e qeverisë, nuk ka hequr dorë nga ideja për kryeministër shqiptar.
Featured image of article: Diskutimet për formimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, BDI nuk heq dorë nga ideja për kryeministër shqiptar Parlamenti në Maqedoninë e Veriut

MAQEDONI E VERIUT-Pas konstituimit të përbërjes së re të Paramentit, në Maqedoninë e Veriut kanë filluar përpjekjet për formimin e koalicionit qeverisës. Partia me më shumë mandate të deputetëve, LSDM ka bërë të ditur, se kanë filluar bisedimet serioze me liderët e partive politike dhe grupet e punës për një mandat të plotë katërvjeçar të një shumice të fortë në parlament dhe formimin e qeverisë. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ka konfirmuar, se në periudhën e ardhshme do të zhvillohen bisedime në disa nivele dhe se pret për 10 deri 15 ditë të ketë rezultat nga këto bisedime.

“Do të bisedojmë për një qeveri, e cila kujdeset për të gjithë qytetarët e çliruar nga paragjykimet etnike dhe e cila nuk ka kurrfarë dilemash – Maqedonia e Veriut, një shoqëri për të gjithë. Do të bisedojmë për një qeveri, e cila do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit. Kujdes të veçantë do t’i kushtohet vetingut të gjyqësorit dhe origjinës së kapitalit tek secili funksionar”, ka deklaruar Zaevi. Një nga prioritetet do të jetë edhe reforma serioze në administratë dhe ulja e saj me 20 për qind dhe numër më të vogël të ministrave.

Cilat parti shqiptare mund të jenë pjesë e qeverisë?

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë vendimtare për formimin e qeverisë së re. Në parlament janë gjithsej 33 deputetë shqiptarë nga partitë BDI, ASH-AA, BESA dhe PDSH. Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili ka 15 deputetë pret që të jetë pjesë e ekzekutivit. Nga kjo parti thonë, se ende nuk kanë hequr dorë nga ideja për kryeministër shqiptar. “Tani mund të fillojnë bisedimet, por akoma është herët për formimin e koalicionit qeveritar, ende nuk ka diçka konkrete në lidhje me bisedimet”, është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Edhe kryetari i ASH-së, Ziadin Sela thekson, se akoma nuk kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re, pasi ende nuk dihet mandatari. Ndërkohë kryetari i Alternativës Afrim Gashi thotë se presin që fillimisht të caktohet mandatari e më pas të shohin opsionet për përfshirje në ekzekutiv. Gashi theksoi se bisedimet eventuale për përfshirje në qeveri do të zhvillohen si koalicion, bashkërisht me Aleancën për Shqiptarët.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

PDSH është partia e parë shqiptare që filloi bisedimet me LSDM për formimin e koalicionit qeveritar. “Neve na u ofru mundësia për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme nga kryetari i LSDM-së Zoran Zaev. Ne si parti e pranuam ftesën, janë formuar grupet punuese”, ka thënë sekretari gjeneral i PDSH-së, Azem Sadiku.

VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga formimi i shumicës parlamentare

Por as lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk e përjashton mundësinë që disa deputetë të koalicionit të LSDM-së të mbështesin programin e partisë së tij. Ai do të përpiqet të formojë një shumicë parlamentare të ndërtuar mbi filozofi politike, e jo mbi tregti politike.

“VMRO-DPMNE, nëse do të jenë pjesë e shumicës parlamentare do të jetë e përqendruar vetëm në propozime, të cilat do të nënkuptojnë luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit. Do të flasim zëshëm në qeverinë e re të cilën shpresojmë se do ta formojë VMRO-DPMNE-ja dhe menjëherë me masa intensive do të përballemi me sfida, të cilat me të vërtetë i mundojnë qytetarët”, është shprehur Mickovski. Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, presidenti i shtetit ka detyrimin që në një afat prej 10 ditësh pas konstituimit të Parlamentit të japë mandatin për formimin e Qeverisë.

Marrë nga DW

Shto Koment