AktualitetSociale

‘Dinjiteti s’ka çmim’/ Elton Debreshi: Si më hoqi nga puna Samir Mane se kërkova të drejta për minatorët, paguhemi 500 mijë lekë të vjetra, e punojmë me normë (VD)

Elton Debreshi, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar në Bulqizë rrëfen për Dosja.al sesi u pushua nga puna, pasi guxoi të bëhej kryetar i sindikatës. Debreshi rrëfen klimën, kushtet, abuzimet dhe situatën e krijuar në kompaninë e njeriut më të pasur në Shqipëri, Samir Mane, “Albchrome”.

TIRANË– Është zgjuar sot, dhe pas 6 vitesh është i papunë. Elton Debreshi, është hashtag trend top 1 në Facebook pas shkarkimit të tij të beftë nga detyra si minator në Bulqizë për llogari të kompanisë ‘AlbChrome’. I riu, që guxoi të bëhet kryetar i një shoqate që ka në fokus mbrojtjen e minatorëve përballë pronarëve, u përball me fuqinë e pushtetit 5 ditë pasi “çoi kokën”.

Dosja.al pyeti  Debreshin, për situatën e krijuar në kompaninë e biznesmenit më të pasur në Shqipëri, Samir Mane, i cili njihet jo pak edhe për bamirësitë e tij me njerëzit në nevojë… por si sillet AlbChrome me punonjësit e tij?

Për këtë përgjigjien e parë e marrim nga Elton Debreshi, punonjës prej 6 vitesh i kompanisë, që tregon me detaje situatën e krijuar në minierën e Bulqizës.

“Unë kam 6 vite që jam pjesë e Albchrome. Raportet me eprorët kanë qenë të rregullta, përveç përplasjeve që kemi patur kohë pas kohe përsa u përket normave. Kemi kërkuar ndihmë nga sindikata ekzistuese disa herë, por ata nuk na janë përgjigjur pozitivisht dhe nuk e kanë vënë ujin në zjarr për të na ndihmuar në këtë drejtim, ndaj edhe ka lindur nevoja për themelimin e sindikatës së re.”-shpjegon Eltoni.

Më tej, ai na rrëfen kapacitetet e AlbChrome që janë të konsiderueshme.

“Në Albchrome punojnë rreth 650 punonjës. Ata paguhen mesatarisht tek 500 mijë lekë të vjetra. E shtuna dhe e diela janë ditë pushimi.”-thotë Debreshi.

Por ditët e pushimit, kompesojnë vizitat mjekësore, ndërkohë që aksidentet në punë janë të panumërta…

“Për 6 vite, kompania na ka bërë vetëm një herë vizita shendetesore. Kjo është bërë këtë vit. Këto 6 vite punë, sa jam unë në punë, në kompaninë tonë, përveç shumë aksidenteve dhe lëndimeve të punëtorëve që kanë ndodhur, si 3 kinezët,Renato Alimani, apo edhe Petrit Gjoni, që humbi shikimin.”-thotë ai.

Ndërkohë që përballë mekanizmave të egër të kapitalizmit, në lojë hyn edhe indoktrinimi.

“Ekziston në mënyrë konstante presioni se po e ngrite zërin për të drejta dhe në rast se kërkon kushte më të mira pune, rrezikon të humbasësh edhe vendin e punës. Rasti im, është rasti më skandaloz në të cilin e ka futur veten kompania së fundmi, duke shkelur ligjin me të dyja këmbët. Pavarësisht se ata e kuptojnë paligjshmërinë e veprimit të tyre, kjo bëhet vetëm e vetëm që të tremben punëtorët që masivisht po i bashkohen sindikatës tonë e kanë filluar të ngrejnë zërin.”-thotë Debreshi.

E ja si përgjigjet kapitalisti kur punonjësi kërkon më shumë të drejta, por edhe dinjitet. ..

“Dy ditë pas shpalljes së sindikatës, kompania më ftoi në zyrat e saj në Tiranë, për të më paraqitur vërejtjen me shkrim, gjasme për mungesa për të pajustifikuara, të cilat u hodhën poshtë që në momentin e parë që unë iu paraqita raportin e mjekëve, përfshirë atij të kompanisë. Dje, më datë 22 nëntor, kompania më dërgon letrën e njoftimit për pushim të menjëhershëm nga puna, me justifikimin e shkeljes së etikës së punës në mënyrë të përsëritur, por pa ndjekur asnjë nga procedurat ligjore të parapara edhe në kontratë, por edhe në Kodin e Punës. Aktualisht jam i papunë pavarësisht se jam kryetar i Sindikatës së sapokrijuar.”-sqaron Eltoni.

Ndërkohë që Sindikata për Minatorët e Bashkuar të Bulqizës zotohet se do të vijojë punën për përmbushjen e misionit për më shumë të drejta dhe respekt…  A do t’ja dalin këta të rinj të provojnë se dinjiteti s’ka çmim? Kjo është motoja e tyre, por edhe e jona, për më shumë barazi dhe transparencë.

(F.g./dosja.al)

Shto Koment