Sociale

Dibër/ 74-vjeçari pa një çati mbi kokë, jeton në kushte ekstreme, apel shtetit: Më siguroni një banesë

Adem Kaci nga fshati Lurë i Bashkisë Dibër, jeton ku të mundet, pasi shtëpia që kishte, i është rrënuar plotësisht

DIBËR- Një 74-vjeçar në Dibër jeton në kushte mjaft të vështira ekonomike, pasi banesa që kishte është pothuajse jashtë funksionit dhe e amortizuar.

Adem Kaci nga fshati Lurë i Bashkisë Dibër, jeton ku të mundet, pasi shtëpia që kishte, i është rrënuar plotësisht. 74-vjeçarin e gjejmë para hyrjes së dy institucioneve të rëndësishme në Dibër, siç është Prefektura dhe Këshilli i Qarkut.

Ai tregon se është zhvendosur në Peshkopi, pasi nuk ka banesë në Lurë që të mundet të jetojë. Adem Kaci shprehet se e gjithë jeta e tij ka kaluar në vuajtje që në regjimin e kaluar komunist, duke bërë disa vite burg nën akuzën e tentativës së arratisjes jashtë vendit, ku e kanë arrestuar në kufi me ish Jugosllavinë.

Kaci rrëfen se një pjesë të kohës e kalon pranë llixhave, ndërsa më pas strehohet këtu, ku ushqehet apo kalon orët e gjumit. Dyert e pushtetit vendor nuk i janë hapur, ndërsa institucionet e tjera edhe pse e shohin heshtin, siç është Shërbimin Rajonal Social apo edhe Prefektura e Këshilli i Qarkut.

Ademi i bën apel shtetit që t’i mundësojë një banesë ose të rindërtohet ajo që ka në fshatin Lurë, pasi vetë e ka të pamundur ekonomikisht sepse është person i vetmuar, i cili nuk ka familje apo të afërm që të mund të përkujdesen për të.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment