Editorial

Dhuna elektorale, oguri i zi që na ndjek

Përveç kësaj, qeverisë pikërisht në momentin më “oportun” iu bashkangjitën edhe zgjedhjet të cilat duke qenë se janë në kushte të pabarabarta, të pazakonta dhe të paqëndrueshme, po gjenerojnë mosbesim të madh.
Featured image of article: Dhuna elektorale, oguri i zi që na ndjek

Duket se tërmeti dhe pandemia i kanë ardhur për shtat qeverisë njësoj si Hirushes këpuca prej qelqi. Jam e bindur se ne ende nuk e kemi kuptuar se sa serioze është kriza në të gjitha aspektet.

Përveç kësaj, qeverisë pikërisht në momentin më “oportun” iu bashkangjitën edhe zgjedhjet të cilat duke qenë se janë në kushte të pabarabarta, të pazakonta dhe të paqëndrueshme, po gjenerojnë mosbesim të madh.

Brenda kësaj fushate, po flitet për vaksinën në mënyrën më mizore të mundshme dhe pandemia po përdoret totalisht për qëllime politike nga “shërbëtorët e mëdhenjë të kombit”.

Sot kemi një fushatë totalisht të polarizuar ku pushteti po shfrytëzon çdo mjet për të fituar sërish duke filluar nga fatkeqët e tërmetit dhe të vdekurit e pandemisë e duke shkuar deri tek kriminelët që i paskërkemi të shumtë në numër.

Pushteti i sotëm autoritar i kësaj qeverie, ka vendosur edhe një herë në lëvizje dhe ka promovuar një atmosferë polarizimi, duke gjeneruar ortekë mesazhesh kundër kujtdo që nuk mendon si ata, duke klithur se nëse nuk jemi si ata “duhet të na vijë turp”, se kërkimi i së vërtetës është thjesht dhe vetëm turpëzim.

Polarizimi i fjalimeve, duke vendosur gjithmonë në qendër të tyre se i keqi, armiku, atë që duhet ta eleminojmë e kemi gjithmonë përballë, është një nga faktorët kryesorë që nxisin dhunën politike, e kjo e fundit është bërë mjeti më i mirë i konkurrencës politike elektorale dhe një shprehje e qartë e bashkëjetesës jodemokratike midis qeverisë dhe kundërshtarëve të saj.

Në momentin kur qeveria nuk mundet ta mbajë pushtetin sipas standardeve demokratike, duke bindur votuesin se ajo është një mundësi e mirë për të qeverisur dhe se i ka përmbushur premtimet e saj, alternativa e vetme për të mbajtur pushtetin mbetet vetëm një: vjedhja e votës duke përdorur dhunën.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas kënvështrimit tim, e gjitha kjo do të thotë se kemi rënë në dorën e nivelit më të lartë të dhunës politike, në të cilën po zhytet edhe ky proces zgjedhor.

Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë ne, qytetarëve të thjeshtë, është varësia e politikës ndaj krimit të organizuar i cili i kthen proceset zgjedhore në mundësi ku grupet kriminale përpiqen të përfitojnë për të rikonfiguruar strukturat qeveritare në favor të tyre.
Dhuna politike ka qenë dhe siç duken bathët do të vazhdojë të jetë edhe në këto zgjedhje, sfida jonë më e madhe të cilën kemi tridhjetë vjetë që nuk po e fitojmë dot.

Përgjakja e fushatës risolli sërish përpara nesh frazën “le të flasin organet kompetente”, po cilat janë këto organe që nuk janë në dorë dhe të ndikuara nga politika?

Mosndëshkimi që ka karakterizuar deri më sot krimin politik dhe elektoral është mjeti më i mirë në mbrojtje të vazhdimësisë së këtyre krimeve.

Zgjedhjet tona do të vazhdojnë të jenë gjithmonë të futura në zonë të kuqe.

Të mëdha apo të vogla, por gjithmonë të pranishme, aktet e dhunës politike do të vazhdojnë të përshkojnë dhe t’i ngarkohen në kurriz proceseve tona zgjedhore.

Në këtë situatë i vetmi veprim dinjitoz, i detyrueshëm dhe i guximshëm i yni, si qytetarë, është të votojmë me ndërgjegje, mendim dhe me bindjen se vendi ynë në një ditë të vetme na beson dhe na jep mundësinë që ta shpëtojmë nga krimi, e nëse as këtë nuk e bëjmë dot, atëherë… në djall vafshim.

Etiketa:

Shto Koment