Rajoni

Dështon takimi i ekspertëve maqedono-bullgar, dy vendet ende larg konsensusit

Pala bullgare, sipas anëtarëve maqedonas të komisionit, ka refuzuar të nënshkruajë konkluzionet edhe të mbledhjeve të tjera për shkak të përdorimit në to të mbiemrit “maqedonas”, madje edhe para përdorimit të gjuhës.
Featured image of article: Dështon takimi i ekspertëve maqedono-bullgar, dy vendet ende larg konsensusit Dragi Gjorgiev dhe Angel Dimitrov

Ekspertët e historisë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë zhvilluar të premten një takim online lidhur me kontestet për personalitetet nga e kaluara, dhe për çështje që lidhen me historinë, por takimi ka përfunduar pa asnjë marrëveshje konkrete.

Pala bullgare, sipas anëtarëve maqedonas të komisionit, ka refuzuar të nënshkruajë konkluzionet edhe të mbledhjeve të tjera për shkak të përdorimit në to të mbiemrit “maqedonas”, madje edhe para përdorimit të gjuhës.

“Kolegët bullgarë po përpiqen të imponojnë rrëfimin etno-kombëtar dhe ekskluziv bullgar si të vetmin që duhet të studiohet në librat shkollorë në Maqedoninë e Veriut. Shumica e ekipit bullgar në Komision nuk mendon se ky është sistemi arsimor i një vendi tjetër dhe se nuk mundet që një shtet t’i diktojë një shteti tjetër atë që do të mësohet në shkollat në Maqedoni (të Veriut)”, ka deklaruar bashkëkryetari maqedonas i Komisionit, Dragi Gjorgiev.

Dështimin e takimit e ka konfirmuar edhe bashkëkryetari bullgar i Komisionit, Angel Dimitrov.

“Rezultati i takimit të 11-të është zero. Ne nuk kemi bërë një hap të vetëm para. Një arsye për këtë, megjithëse duket teknike, është akoma politike. Kolegët tanë nga pala maqedonase refuzojnë të nënshkruajnë procesverbalin. Ata u përpoqën të vendosnin mbiemrin ‘maqedonas’ kudo, që nuk është në përputhje me praktikën e vendosur. Duke refuzuar të nënshkruajmë procesverbalin, puna jonë vihet në pikëpyetje, sepse pa një dokument mbi atë që u diskutua dhe cilat vendime u morën në mbledhjet tona, bëhet e pasigurt gjithçka tjetër”, ka deklaruar bashkëkryetari bullgar i Komisionit, Angel Dimitrov.

Paraprakisht kryeministri maqedonas Zoran Zaev kishe shprehur besimin se Komisioni do të arrijë sukses që shihej si mundësi e mirë për kapërcimin e dallimeve me Bullgarinë, e cila ka bllokuar kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Maqedonia e Veriut ka emëruar Vllado Buçkovskin, ish-kryeministër, si të dërguar të posaçëm për Bullgarinë. Buçkovski të premten është nisur për në Sofje në bisedime me zyrtarët bullgarë, por detaje nga kjo vizitë nuk janë dhënë.

Bullgaria konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke kërkuar nga autoritetet që të pranojnë se ato kanë rrënjë bullgare.

Zyrtarët maqedonas kanë thënë se për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin nuk do të ketë negociata.

Opozita maqedonase ndërkohë tani disa ditë po organizon protesta kundër siç ka thënë “shitjes së interesave kombëtare e shtetërore” nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev. Ajo ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Marrë nga REL

Shto Koment