Politike

Dështon ‘shporta e bebes’, asnjë nënë e re nuk ka përfituar nga projekti i Bashkisë Tiranë prej 10 muajsh, justifikimi për pandeminë e Covid-19

Pasi e ka mbajtur të fshehtë për afro 10 muaj mosdhënien e kësaj shporte, Bashkia e Tiranës, e justifikon mos zbatimin e vendimit të datës 5 Shkurt me situatën e emergjencës së krijuar nga pandemia e Covid-19, e cila në fakt hyri në fuqi më shumë se një muaj më vonë.
Featured image of article: Dështon ‘shporta e bebes’, asnjë nënë e re nuk ka përfituar nga projekti i Bashkisë Tiranë prej 10 muajsh, justifikimi për pandeminë e Covid-19 Shporta e bebes

TIRANË– Të gjithë kanë dëgjuar për shportën e bebes gjatë këtij viti, por asnjë nënë e re në realitet ende nuk e ka parë cfarë përmban ajo. Kjo pasi Bashkia e Tiranës e cila e lancoi projektin në fillim të muajit shkurt dhe e miratoi dhe me vendim të Këshillit Bashkiak, ende nuk ka dhënë shportën e parë me produktet që supozohej se do tu vinin në ndihmë prindërve të të porsalindurve në 3 muajt e parë të jetës. Për këtë shportë Bashkia hoqi dorë dhe nga bonusi prej 5 mijë lekësh që jepej më herët për cdo bebe që lindte në dy maternitetet publike të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Glozheni”. Pasi e ka mbajtur të fshehtë për afro 10 muaj mosdhënien e kësaj shporte, Bashkia e Tiranës, e justifikon mos zbatimin e vendimit të datës 5 Shkurt me situatën e emergjencës së krijuar nga pandemia e Covid-19, e cila në fakt hyri në fuqi më shumë se një muaj më vonë.

Ndodhur në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke qënë se Këshilli i Ministrave me vendimin nr.243, datë 24.3.2020 vendosi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, të gjitha institucionet shtetërore dhe publike kanë ndërmarrë angazhimin e tyre sipas fushave të përgjegjësisë dhe kapaciteteve që zotërojnë për të përballuar situatën e emergjencës, si dhe për të mbështetur qytetarët e prekur nga fatkeqësia. Agjencia e Prokurimit Publik me anë të shkresës nr. 2245 prot., datë 12.03.2020, Njoftimit nr. 2371 prot., datë 31.03.2020 ka njoftuar pezullimin e të gjitha procedurave të prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit për ato objekte prokurimi, të cilat nuk lidhen ngushtësisht me situatën e pandemisë dhe për ato objekte që nuk janë të domodoshme,” thuhet në relacionin shoqërues të projektvendimit për ndryshimin e vendimit të Këshilli Bashkiak për shportën e bebes.

Në këto kushte Bashkia ka menduar si zgjidhje që për të gjitha foshnjet e lindura deri në fund të muajit tetor të rikthejë bonusin prej 5 mijë lekësh.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pavarësisht masave që janë ndërmarrë për hartimin e procedurave të detajuara në lidhje me zbatimin e këtij projekti dhe praktikës së procedurës së prokurimit publik deri në lidhjen përfundimtare të kontratës, për shkak të kufizimeve të krijuara nga situata e pandemisë është hasur një problematikë, pasi përfitimi i  “Shportës së bebes” është bërë i pamunduar për disa muaj rradhazi, duke filluar që prej muajit shkurt. Gjendur në këto kushte, Bashkia e Tiranës duhet të krijojë mundësinë që për nënat e reja të cilat kanë kanë sjellë në jetë foshnjet që prej muajit shkurt 2020, deri në shtator 2020, pavarësisht se nuk kanë mundur të përfitojnë produktet e domosdoshme për mirërritjen e  fëmijëve të tyre në tre muajt e parë, sërish të kenë mundësinë e përfitimit të pagesës që mbulon shportën e bebes prej 5000  lekë, duke mos e humbur këtë të drejtë, për shkak të vështirësive që pësoi vendi në këtë periudhë pandemie. Gjithashtu ky ndryshim do passjellë ndryshime në buxhet në lidhje me efektet financiare, pasi cdo lindje në periudhën 1 shkurt- 28 Tetor 2020 do të kompesohet me vlerën 5000 (pesë mijë) lekë, në vend të “Shportës së bebes”, thuhet më tej.

Dosja.al

Shto Koment