Politike

Dështimi me negociatat, Hajdari: Qeveria të reflektojë për dokumentin e KE

Në një reagim në Facebook, Hajdari shprehet se është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë  afër Evropës është shtyrë sërish.
Featured image of article: Dështimi me negociatat, Hajdari: Qeveria të reflektojë për dokumentin e KE Rudina Hajdari, deputete

TIRANË- Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari, ka reaguar pas dështimit për të marrë një datë për hapjen e negociatave. Në një reagim në Facebook, Hajdari shprehet se është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë  afër Evropës është shtyrë sërish.

Sipas deputetes demokrate kushtet e Bundestagut dhe rekomandimet e KE duhet parë mirë nga politika shqiptare. “Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi”, shton Hajdari.

REAGIMI I PLOTË

Vendimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave, siç ju të gjithë e dini tashmë, është negativ edhe këtë vit dhe vjen për të disatën herë. Është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qënë një hap më afër Europës shtyhet për një moment tjetër. A ka ndonjë përgjegjës në këtë vënd për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike? Përparësitë që ne duhet të kemi shtohen gjithnjë e më shumë. Pesë prioritetet e Komisionit Europian, vijojnë me 9 kushtet e Bundestagut, shtohen me Azilkërkuesit në Francë.

Sot Zoran Zaev njoftoi dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është ceshtje morali politik dhe përgjegjësie e lartë institucionale. Po këtu tek ne a ka moral politk dhe përgjegjësi institucionale minimale? Sot është e rëndësishme që Qeveria Shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e tjera kushtetuese dhe të krijuara me ligj, të marrin në dorë përfundimet e Këshillit Europian, të reflektojnë seriozisht mbi çfarë përmban ky dokument.

Çdo fjali e këtij dokumenti është një udhëzues i mirë për politikat e ardhshme, prandaj i kërkoj qeverisë shqiptare të marrin masat e menjëhershem që të hartojë një plan të detajuar masash, për të gjitha pikat e këtij dokumenti, duke përfshire shqetësimet e secilit prej vendeve anëtare që kanë qënë kundër hapjes se negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë. Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Plani duhet të përmbajë hapa konkret, dhe proaktive sikurse edhe e rekomandojnë të gjitha dokumentat e organeve të Bashkimit Europian pë Shqipërinë. Kuvendi i Shqipërisë së shpejti do të fillojë shqyrtimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2020. Në këtë buxhet duhet të specifikohet qartë si do të përballohen shpenzimet për përmbushjen e këtyre detyrimeve.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të monitoroje në detaj çdo masë të marrë nga qeveria dhe duhet të kërkojë nga ajo rezultate konkrete. Qeveria dhe institucionet e tjera kushtetuese duhet të sjellin në vemendje se diskutimi “është në mirë të Europës apo jo”, nuk është i frytshëm por standarti europian është udhërrefues për mirëqënien e çdo qytetari shqiptar, i cili duhet të jetë i barabartë para ligjit me çdo qytetar tjetër të këtij vendi, pa asnjë dallim.

Tashmë është e qartë në të gjitha aspektet, si politike ashtu edhe ekonomike e sociale, si brenda vendit dhe jashtë vendit se çfarë pritet nga ne. Prandaj angazhimi duhet jetë serioz dhe jo deklarativ. Duhet të ulemi në tryezë të flasim për cdo pikë, pa dallimi politike, apo të cdo lloj përkatësie tjetër, ku në qëndër të vëmendjes duhet të mbajmë qytetarin shqiptar, familjet shqiptare, fëmijët e këtij vendi dhe duhet të pyesim çfarë të ardhme po i japim? Hyjmë apo nuk hyjmë në Europë, për mua ka rëndësi qytetari dhe në qoftë se vendosim në plan të parë atë, ju siguroj që dera e Europës do të jetë e hapur.

Dështojnë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Donald Tusk konfirmoi se pas diskutimeve të gjata nuk nuk vendos për një “PO”. Pritet që në orët në vijim që KE të shpallë përfundimet. Meta u shpreh se asgjë s’ka përfunduar dhe nuk duhet humbur shpresa. Ndërsa Hahn u shpreh se vendimi është një zhgënjim, BE nuk mbajti premtimin.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment