Politike

Dështimi i ‘Zgjedhores’/ SHBA e BE “dush” opozitës, i ‘bindin’ më në fund. Nesër sërish takim të Këshillit Politik. Kim: Mbani fjalën para popullit!

  • Rama i jep kohë opozitës: Presim edhe sot, tonën e kemi bërë!
  • Ndërkombëtarët të pakënaqur me dështimin e marrëveshjes për Reformën Zgjedhoren. Ambasadorët e SHBA, BE-së dhe Britanisë kanë reaguar kundër klasës politike dhe kërkojnë marrëveshje. Kim, Soreca dhe Duncan bindën Bashën për një tjetër mbledhje ditën e nesërme.
    Featured image of article: Dështimi i ‘Zgjedhores’/ SHBA e BE “dush” opozitës, i ‘bindin’ më në fund. Nesër sërish takim të Këshillit Politik. Kim: Mbani fjalën para popullit! Lulzim Basha, tryeza e Këshillit Politik, Yuri Kim dhe Luigi Soreca

    TIRANË- Pas më shumë se 4 muaj diskutimesh, Këshilli Politik dështoi në arritjen e një marrëveshje mes palëve për Reformën Zgjedhore. Një ditë pas dështimit, ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj politikës dhe kërkojnë që të arritet konsensusi ashtu siç ishte premtuar më parë.

    Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, i kujtoi maxhorancës dhe opozitës premtimin që do arrinin në konsesus dhe datën që ata kishin vënë më herët, 31 majin. Pas këtij reagimi, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca shkroi se duhet marrëveshje sa më parë, pasi është kush për integrimin.

    Një reagim të fortë pati dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Norman Duncan, i cili arriti të ulte palët në tavolinë pak muaj më parë. Ai shkruan se sot është dita për ta vënë popullin e Shqipërisë në vendin e parë dhe për të gjetur terrenin e përbashkët të nevojshëm për të ecur përpara.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Edhe Presidenti Ilir Meta është shprehur i zhgënjyer me palët, pasi është shprehur se priste që të arrihej konsensusi. Meta ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Austrisë dhe shkruan se nëse realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të integrimit pa zvarritje.

    Por ndërkombëtarët nuk e kanë lënë vetëm me një reagim tregimin e pakënaqësisë së tyre. Kim, Soreca dhe Duncan i zbarkuan në zyrë, kryedemokratit Basha. Pas më shumë se 60 minutash diskutime, PD-LSI i kanë kërkuar PS mbledhje të Këshillit Politik ditën e nesërme në orën 17:00.

    (A.B. Dosja.al)

    • 18:19

      Bylykbashi e Vasili kërkojnë mbledhjen e Këshillit Politik: Të takohemi nesër në 17:00

      Anëtarët e Këshillit Politik nga opozita, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kërkojnë që të takohen nesër me Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdari. Sipas informacioneve, mësohet se Baylykbashi dhe Vasili kërkojnë që nesër në orën 17:00 të kenë një takim të radhës për të gjetur gjuhën e përbashkët.

      Tryeza e Këshillit Politik

      Vendimi për këtë kërkesë ka ardhur pas takimit që ka pasur Lulzim Basha me aleatët dhe me ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë. 

      “Përshëndetje, në vijim të diskutimeve të deritanishme dhe faktit që mbledhja e datës 31 maj 2020 nuk u zhvillua, me synim gjetjen e konsensusit për cështjet  e përcaktuara në axhendën e Këshillit Politik, propozojmë mbledhjen e Këshillit nesër, datë 2 qershor 2020, në orën 17.00. Përfaqesuesit e Opozitës së Bashkuar: Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili“, shkruhet në kërkesë. 

    • 12:34

      ‘Zgjedhorja’/ Rama i jep kohë opozitës: Presim edhe sot, tonën e kemi bërë! Në Francë isha për punë, inertet do t’i heqë Ushtria

      Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike dhe Gazmend Bardhit, për një udhëtim luksi në Francë të dielën. Përmes rrjeteve sociale, Rama shkruan se është kthyer në Shqipëri që të shtunën. Ai shpjegon se ka qenë një vizitë e shkurtër më pak se 1 ditë, informale e nivelit të lartë.

      Teksa përfundon këtë sqarim për demokratët, Rama ndalet edhe debati për Reformën Zgjedhore. Kreu i qeverisë, thotë se maxhoranca do të presë edhe sot opozitën, dhe thekson se PS e ka bërë pjesën e saj. Rama sqaron edhe heqjen e inerteve nga sheshet e rindërtimit, dhe thotë se me këtë detyrë është angazhuar ushtria.

    • 12:25

      Vasili i përgjigjet ambasadores amerikane: Opozita s’ka kushte të reja, asnjë lëshim për grabitjen e votave

      Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ka kthyer përgjigje ambasadores Amerikane, Yuri Kim, pas deklaratës së fortë të diplomates, që apeloi për “mbajtje të fjalës para shqiptarëve dhe jo kushte të reja”. Vasili, një nga përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, përmes rrjeteve sociale, thotë se opozita e bashkuar nuk ka asnjë kusht të ri, por kërkon vetëm identifikim biometrik dhe administrim të zgjedhjeve, me garantim të votës së lirë.

      Petrit Vasili, nenkryetar i LSI

      REAGIMI I PLOTË: 

      Zero kushte te reja nga opozita e bashkuar per reformen zgjedhore. Kushte te reja bllokuese te konsensusit nga hajdutet e zgjedhjeve te Dibres, te zgjedhjeve 2017 dhe votimeve moniste te 2019, per te legjitimuar vjedhjen e votave Identifikimi biometrik dhe administrimi i zgjedhjeve qe garanton voten e lire nga vjedhjet jane aty prej javesh.

      Asnje leshim nuk do ti behet grabitjes se votave. Rilindja kerkon te mbushe kutite, te numeroje vete dhe te nxjerre po vete rezultatin. Fajtore per shkaterrimin e zgjedhjeve eshte vetem rilindja qe duhet te heqe dore menjehere nga shkaterrimi i reformes zgjedhore.

    • 11:19

      Maliqi: Duhet revoltë popullore, Rama nuk e njeh votën e lirë

      Deputeti i opozitës së re, Lefter Maliqi ka reaguar sot, një ditë pasi dështoi Reforma Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, Maliqi tha se ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk do të ndodhë dhe për këtë të bën fajtore maxhorancën. Ai kërkoi mbështetje nga faktori ndërkombëtar, duke thënë se ata duhet të bëjnë presion pasi Rama nuk largohet nga pushteti me votë, por vetëm me revoltë të madhe popullore.

       “Shqiptarët u bënë tre vjet e më shumë pas tepsisë dhe timonit që shikojnë vetëm tym të zi, varfëri dhe Ka ardhur koha e një ngritje të madhe se pasiguria në vend është shumë e madhe, vetëm këto dy ditë kemi vrasje e tritol, përdhunime të turpshme. Ky kryeministër nuk ikën nga pushteti me votë të lirë por vetëm me revoltë popullore dhe ndërhyrje të fortë ndërkombëtare. Është peng i krimit dhe korrupsionit, e ka mbjellur Shqipërinë me drogë. Ky njeri nxjerr vetëm tym të zi në çdo familje shqiptare, nuk do reformë, ky e shkatërroi reformën në drejtësi.

       Ky kryeministër është i lidhur kokë e këmbë me krimin, korrupsionin dhe drogën, përhap edhe panik për të ulur imazhin e presidentit se kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese sepse e sheh pengesë për të ardhmen e tij politike. Ka dy rrugë për të dalë nga kjo krizë, është revolucioni demokratik që në vjeshtë duhet të shpërthejë ose ndërkombëtarët të lënë diplomacinë dhe të vendosin gishtin mbi njeriun që po pengon reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, që njollosi këtë vend, po vret demokracinë dhe kthen diktaturën në Shqipëri. Ky njeri nuk tërhiqet, nuk e njeh votën e lirë. Ka ardhur momenti të largohet me ceremoni se nuk ikën ndryshe. Nuk ka pandemi, po e shfrytëzon politikisht. Jam i bindur se rrotaconi do të ndodhë, fiton opozita e bashkuar por duhet mobilizim total ndaj këtij njeriu të papërgjegjshëm”, u shpreh ndër të tjera Maliqi.

    • 11:56

      Ambasadorët e SHBA, BE-së dhe Britanisë takim urgjent në zyrën e Bashës, ç’po ndodh pas mesazhit të fortë të Yuri Kim?

      Ambasadorët e ShBA, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe do të zhvillojnë një takim urgjent në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.  Burime për Dosja.al bëjnë me dije se Yuri Kim, Luigi Soreca, Norman Duncan, do të shkojnë në zyrën e kryedemokratit në orën 15:00, fill pas përfundimit të takimit me aleatët e partive opozitare.

      Takimi vjen një ditë pas dështimit të mbledhjes së Këshillit Politik për të hartuar një Reformë Zgjedhore. Ambasadorja Yuri Kim ka patur një reagim të ashpër për këtë çështje. Paraditen e të hënës, diplomatja amerikane lëshoi një mesazh të prerë për Partinë Demokratike, ku kërkoi që të mbahet fjala e dhënë para shqiptarëve, dhe të mos dilet me kërkesa të reja, referuar propozimit të opozitës për një qeveri kujdestare 100 ditë para zgjedhjeve.

    • 11:30

      Ambasadori britanik: Vijeni popullin shqiptar në vendin e parë që të ecni përpara

       Ambasadori britanik Norman Duncan u ka bërë thirrje palëve politike në Shqipëri që të vënë popullin të parin në mënyrë që të ecin drejt Bashkimit Europian. Përmes një statusi në rrjetet sociale, një ditë pas dështimit të Reformës Zgjedhore, Duncan këmbëngul në përfundimin e kësaj të fundit. 

      Norman Duncan

      Këshilli Politik u krijua për të sjellë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në Shqipëri për të përmbushur kërkesat e ODIHR. Sot është dita për ta vënë popullin e Shqipërisë në vendin e parë dhe për të gjetur terrenin e përbashkët të nevojshëm për të ecur përpara vendin,”- shkruan Duncan.

    • 11:19

      Soreca ultimatum: Përfundojeni tani, është kusht për futjen në BE

      Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka reaguar një ditë pas takimit të fundit të Këshiloit Polititik, ku palët përfunduan mbledhjen pa arritjen e një marrëveshjeje. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Soreca shkruan se përfundimi i Reformës Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR është kusht i domosdoshëm për të ecur përpara me integrimin në BE.

      Luigi Soreca, ambasadori i BE

      “Përfundimi i Reformës Zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR është kusht i domosdoshëm për të ecur përpara me integrimin në BE. Një marrëveshje e menjëhershme nga të gjitha palët në Këshillin Politik është e mundshme dhe duhet të përfundohet tani për të filluar me negociatat e pranimit në BE sa më shpejt të jetë e mundur,”- shkruan Soreca.

    • 11:14

      Meta takon ambasadorin austriak: Nëse do realizohej me konsensus, Austria do na mbështeste në integrimin pa zvarritje në familjen europiane

      Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh një ditë pas dështimit të Reformës Zgjedhore. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta ka publikuar disa foto ku shihet se ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, Christian Steiner, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Krah fotove, Meta shkruan se nëse realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të integrimit pa zvarritje të mëtejshme të Shqipërisë në familjen europiane.

      Ilir Meta me ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner

       

      “Kënaqësi të prisja sot Ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, Sh.T.Z Christian Steiner, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira tradicionale midis dy vendeve dhe e falenderova për mbështetjen e Austrisë në përpjekjet e Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Theksova se realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të integrimit pa zvarritje të mëtejshme të Shqipërisë në familjen europiane. Gjithashtu vlerësova trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike e tregtare dypalëshe, asistencën austriake në edukimin profesional, si dhe kërkova që eksperienca e shkëlqyer e Shkollës së Mesme profesionale të Shkodrës të shtrihet edhe më gjerë në vendin tonë,”– shkruan Meta.

    • 10:47

      Basha në orën 14:00 mbledh në seli aleatët

      Sot në orën 14:00 kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me aleatët, për dështimin e Reformën Zgjedhore.

      Nuk dihet se për çfarë do të diskutohet saktësisht dhe cilat janë planet e reja të opozitës.

    • 10:26

      Yuri Kim thirrje PD-së: Jo kushte të reja, është koha për të mbajtur fjalën para shqiptarëve

      Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim ka reaguar pas dështimit të përmbylljes së Reformës Zgjedhore brenda 31 Majit. Nëpërmjet një postimi në Twitter ajo shprehet se  palët duhet t’i japin fund pozicioneve të papajtueshme. Ajo thekson se tashmë ka ardhur koha që palët ta mbajnë fjalën para shqiptarëve dhe të mos vendosin më kushte të reja. Një mesazh ky për PD-në, pas propozimit për qeveri kujdestare.

      Yuri Kim, Edi Rama dhe Lulzim Basha

      Të gjitha palët kanë treguar lëvizje dhe ato janë jashtëzakonisht të afërta. Ju vendosët një qëllim, ju vendosët një afat më 31 maj. Tani është koha që të ndaloni të insistoni për pozicione jo të zbatueshme  dhe mos vendosni  kushte të reja. Koha për t’ua mbajtur fjalën ndaj njerëzve tuaj. Koha për të ofruar.”, shprehet ajo.

    • 8:46

      Zëri i Amerikës: S’ka marrëveshje, të shohim si do të interpretohet dështimi

      Në Shqipëri, Reforma zgjedhore duket të ketë mbetur ende në udhëkryq, me palët që fajësojnë njëra-tjetërn për mospërmbylljen e procesit brenda afatit që ato vetë kishin vendosur. Edhe mbledhja e të dielës që përfundoi në mbrëmje, la gjithshka pezull, me gjithë ndërhyrjen e një përfaqësuesi të ambasadës amerikane, i cili fillimisht u takua me përfaqësuesin socialist Damian Gjiknuri dhe atë demokrat Oerd Bylykbashi, për t’u ulur më pas dhe me dy anëtarët e tjerë të Këshillit politik, Petrit Vasili dhe Rudina hajdari.

      Nga deklarimet e bëra nga palët në mbyllje të takimit, e vetmja gjë e qartë ishte se nuk ishte gjetur gjuha e përbashkët. Ndërsa për pikat që i ndajnë, u dhanë versione të ndryshme. Pavarësisht se opozita bëri propozimet e saj për çështjet kryesore dhe ofroi konsensus, PS nuk ishte e gatshme për të arritur konsensus për çështje të rëndësishme, duke synuar të mbajë privilegjet e saj.

      Tryeza e Këshilli Politik

      Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën dhe për një proces zgjedhor që krijon besim dhe legjtimitet për të gjithë aktorët në lojë. Ne jemi të gatshëm për të vazhduar punën për të gjetur këtë konsensus dhe jemi në pritje që PS të tregojë gatishmëri për të bërë hapat e saj drejt konsensusit, siç kemi bërë ne koncensionet e nevojshme”, deklaroi demokrati Oerd Bylykbashi.

      Por një tjetër panoramë ofroi socialisti Damin Gjiknuri. “Sot kemi një kuadër gati të përfunduar, me të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, por mbi të gjitha dhe me disa kërkesa thelbësore që ditët e fundit opozita i kishte kthyer në një kusht. Ne kemi gjetur hapësirën dhe do ti përfshijmë ato, por nuk mundet që pasi biem dakort e reflektojmë një pjesë të mirë dhe të kërkesave që quheshin parakushte, dhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të fillohet e të ndryshohet duke dalë më kërkesa të reja”, u shpreh Gjiknuri, duke deklaruar se shumë shpejt ai do të bëjë publike të gjitha kërkesat që siç tha ai ka paraqitur opozita dhe se i janë marrë ato parasysh.

      Zoti Bylykbashi nënvizoi se “ne jemi të gatshëm të punojmë për të arritur zgjedhje me kompromis pa hequr dorë nga garancitë themelore. Le ti japim kohë PS të kuptojë pse nuk mund të jetë Kolegji që të vërë vulën e njomë mbi tabelën e rezultatit, që të kuptojë se KQZ nuk do jetë ai institucion i turpshëm që është sot, që është pronë e saj. Jemi përpara një modeli të ri, po nuk mund të jetë i tëri pronë e PS, të kuptojë që procesi i ngritjes së një administrate, e cila garaton profesionalizimin dhe depolitizimin, nuk mund të jetë fals, nuk mund të jenë komisionerë të PS të maskuar si të pavarur, dhe e gjitha kjo duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me garantimin 100 të identifikimit biometrik të votuesve. Në momentin kur do të kemi një kompromis mbi gjithë këtë aks të procesit, sigurisht që dhe hapësira dhe për çështjet e tjera është e thjeshtë”.

      Por sipas zotit Gjiknuri “shqetësimet kryesore te opozitës janë reflektuar. Opozita ka një problem me vettingun e nuk do të njohë. Nga njëra anë vettingu pranohet se është detyrim kushtetues, te zgjedhjet thonë jo, nuk duhet. Rekomandimet e ODIHR-it, me garanci shtesë që do opozita, që të ketë njeri politik që ta ndjekë, është pranuar. Pyeteni zotin Bylykbashi nëse është realizuar 100 përqind identifikimi biometrik, a kanë më probleme?”, deklaroi përfaqësuesi socialist.

      Palët u deklaruan të gatshme të ridiskutohen, por duket se nuk është lënë asnjë takim i ri. Madje zoti Gjiknuri, la të kuptohet se do të vijohet me procedurën parlamentare. “Dyert e dritaret e komunikimit për opozitën janë të hapura për të vazhduar e për të mbyllur dhe ato pak gjëra për të cilat ata kanë filluar të ndryshojnë mendje. Opozita të na bashkangjitet, që ta çojmë përpra këtë process. Parlamenti është legjitim, i ka votat, dhe pritja nuk mund të jetë pa fund”, paralajmëroi zoti Gjiknuri.

      Si ambasada amerikane ashtu dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, nxitën ditët e fundit palët për një marrëveshje duke vlerësuar, qëndrimet në Këshillin Politik. Mbetet të shihet se si do të interpretohet prej tyre, dështimi mbrëmjen e së dielës.

    • 8:25

      Ralf Gjoni: Gjiknuri, Bylykbashi e Vasili janë anti- shqiptarë

      Deputeti i opizitës së re, Ralf Gjoni i ka quajtuar Damian Gjiknurin, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilinm si anti- shqiptarë, pasi sipas tij nuk duan lirinë e votës. Ky reagim i tij vjen pas dështimit të Këshillit Poltik të Reformës Zgjedhore, ku palët nuk u dakortësuan për këtë reformë kaq të rëndësishme.

      Ralf Gjoni, deputet

      “A ka mbetur më ndonjë idiot në Shqipëri të besojë se këta duan lirinë e votës së shqiptarëve? Këta përfaqësojnë frymën anti-amerikane dhe anti-evropiane, e për rrjedhojë, janë anti-shqiptarë! #MjaftMeLojëra “, shprehet ai në një postim në Fscebook.

    Shto Koment