Dikur

Dëshmia e ish-komunistes: Si na i therrën shokët në Kampin e Prishtinës dhe tentativa e Sigurimit, për të eliminuar bashkëshortin tim pasi u largua nga ‘Shtëpia me Gjethe’…

Maskara ç’njerzore që kryen gjermanët ndaj të burgosurve shqiptarë në 23 tetorin e 1944-ës, ku pjesën më të madhe të tyre, i maskaruan me thika e bajoneta. Funksionet dhe detyrat që kreu Luigj Filipi pas mbarimit të Luftës, ku si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ai bënte një jetë shumë të thjeshtë dhe nuk shkoi kurrë me makinë në punë.
Featured image of article: Dëshmia e ish-komunistes: Si na i therrën shokët në Kampin e Prishtinës dhe tentativa e Sigurimit, për të eliminuar bashkëshortin tim pasi u largua nga ‘Shtëpia me Gjethe’… Foto ilustruese

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Luigj Filipit dhe bashkëshortes së tij, Aleksandra Priftit, të cilat gjatë periudhës së pushtimit 1939-’44, ishin dy nga komunistët aktivë të Qarkorit të Tiranës, duke marrë pjesë në disa aksione të bujshme, siç ishin dhe ai i rrëmbimit të Shtypshkronjës “Gutenberg”, që ndodhej fare pranë Kuesturës. Dëshmia e Aleksandra Filipit, se si u arrestuan nga gjermanët ajo dhe bashkëshorti i saj, Luigji, ku pasi u mbajtën disa kohë në burgun e Tiranës, në gushtin e vitit 1944, i nisën për në Kampin e Prishtinës, së bashku me shumë komunistë të tjerë nga Shkodra.

Maskara ç’njerzore që kryen gjermanët ndaj të burgosurve shqiptarë në 23 tetorin e 1944-ës, ku pjesën më të madhe të tyre, i maskaruan me thika e bajoneta. Funksionet dhe detyrat që kreu Luigj Filipi pas mbarimit të Luftës, ku si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ai bënte një jetë shumë të thjeshtë dhe nuk shkoi kurrë me makinë në punë. Emërim i tij në rradhët e Sigurimit të Shtetit te ‘Shtëpia me Gjethe’, dhe largimi që andej në mënyrë demonstrative, për shkak të makinacioneve që përdoreshin aty ndaj njerzëve të pafajshëm dhe tentativa e “kolegëve” të tij, për të eliminuar fizikisht.

“Pak kohë pasi unë me të fejuarin tim, Luigj Filipin, hymë në shtëpinë e tij që ndodhej diku tek Kodra e Kuqe, unë pashë xhandarët tek dritaret të cilët hynë brënda me zhurmë dhe na arrestuan mua, Filipin, e vëllanë e tij Markun. Pak minuta para se të vinin xhandarët për të na arrestuar, Luigji kishte fshehur tek tjegullat e shtëpisë disa nga dokumentet kryesore të Partisë, ndërsa unë fsheha në trup një letër që ai ma kishte dhënë për ta ruajtur”. Njeriu që dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Aleksandra Prifti, bashkëshortja e ish-komunistit të vjetër Luigj Filipi dhe e bija e dëshmorit Jovan Prifti, e cila rrëfen gjithë historinë se si u arrestua nga gjermanët në gushtin e vitit 1944, së bashku me Luigjin dhe vëllanë e tij Markun, të cilët më pas i dërguan në Kampin e Prishtinës.

Kush ishte Luigj Filipi, cila ishte e kalura e tij dhe çfar aksionesh kreu ai gjatë periudhës së Luftës? Cilat ishin funksionet e larta që ai mbajti pas mbarimit të Luftës dhe përse Sigurimi i Shtetit i ngriti grackën për ta eleminuar fizikisht dhe si mundi ai që të shpëtonte prej tyre?

Arrestimi i Luigjit nga gjermanët

Çfar ndodhi më pas me Luigj Filipin dhe të fejuarën e tij? Lidhur me këtë, bashkëshortja e tij, Sandra Prifti, ish punonjëse e laboratorit fotografik të ATSH-së, dëshonte: “Arrestimi i Luigjit, i imi dhe i vëllait të tij, Markut, u bë për arsye se gjermanët kishin të dhëna të sakta për të gjithë veprimtarinë tonë ilegale. Pasi na arrestuan në shtëpinë e Luigjit, ne të tre na çuan në Kuesturë dhe atje na mbajtën për rreth një javë, duke na pyetur për lidhjet tona dhe aktivitetin që kishim kryer. Mua më pyesnin se çfar lidhje kisha me Filipin, dhe kur u thosha se e kisha të fejuar, ata nuk më besonin, duke më thënë: ‘Kështu thoni ju komunistët sa herë që u kapim’. Gjatë atyre ditëve që na mbajtën në Kuesturë, unë munda të zhdukja në ËC një letër shumë konspirative, të cilën ma dorëzoi Luigji pak para ardhjes së gjermanëve, duke menduar se isha femër dhe ata nuk do të më kontrollonin në trup ku e kisha fshehur. Pasi na mbajtën për një javë aty në Kuesturë, mua, Luigjin dhe vëllanë e tij Markun, na dërguan në burgun e Tiranës. Pas një jave aty sollën dhe motrën time, Ksanthipin, së bashku me Vitoren, motrën e Luigjit. Në atë kohë aty në atë burg ndodheshin dhe shumë komunistë e aktivistë të Lëvizjes Antifashiste, si babai i Vasil Shantos me të bijën Bojkën, Kostë dhe Taqi Mema, dy vëllezërit Papuçiu nga Fieri, Av. Sulo Bogdo, Kin Dushi, Gjikë Kuqali, Spiro Velko, Ramazan Shijaku, Niko Avrami, Gaqo Floqi, Grigor Gjika, Xhelal Glina etj”, tregon Aleksandra për ish-komunistët që mbaheshin të izoluar nga gjermanët në burgun e Tiranës në gushtin e vitit 1943.

Nga Tirana në Prishtinë

Pasi i mbajtën për rreth dy-tre muaj në burgun e Tiranës, Luigj Filipin, së bashku me vëllain, Markun, e motrën Vitoren, si dhe të fejuarën e tij, Aleksandrën, e motrën e saj Ksanthipin, i dërguan në kampin gjerman të Prishtinës, së bashku me shumë komunistë të tjerë të burgosur që mbaheshin aty. Lidhur me këtë Sandra tregonte: “Më 26 gusht të vitit 1944, ne të burgosurit politik që mbaheshim në burgun e Tiranës, na urdhëruan të dilnim të gjithë në oborr, ku drejtoria e burgut së bashku me gjermanët na bënë apelin, duke na thirrur të gjithëve emrat për prezencën e tyre. Më pas me disa kamionë ushtarak në të cilën ndodheshin nga një oficer e dy ushtarë gjerman të armatosur, autokolona u nisëm drejt rrugës nacionale të Veriut, ku pas çdo makine qëndronte nga një autoblindë gjermane. Ne nuk kishim dijeni se ku pa na çonin dhe transferimin tonë nga burgu i Tiranës e mësuam vetëm në mbrëmjen e 25 gushtit, ku para burgut u mblodhën shumë nga familjarët e të dënuarve. Kur autokolona mori rrugën në drejtim të Milotit, kuptuam se po shkonim drejt qytetit të Shkodrës, por përsëri nuk e dinim destinacionin e saktë se për ku n’a kishin nisur. Kur mbërritëm në Shkodër, bashkë me ne u bashkuan edhe disa të burgosur të tjerë që kishin qenë në burgun e atij qyteti, ku midis të cilëve më kujtohen: Llazar Siliqi, Sabah Hilmia, Gac Mazi, Stefan e Vasil Pistoli, Seit Boshnjaku e Qemal Jashari, si dhe motrat Marie Varfi dhe Despina Trimçiev. Të nesërmen, udhëtuam drejt rrugës Pukë-Kukës-Prizren dhe në mbrëmje autokolona e makinave gjermane mbërriti në fushë të hapur aty ku ishte kampi”, kujtonte Aleksandra Filipi atë ditë të largët të gushtit 1944, kur të burgosurit politik të Tiranës u dërguan në Kampin e Prishtinës.

Masakra e Prishtinës

Gjatë asaj periudhe që Sandra me Luigjin ndodheshin të izoluar në kamp, ndodhi dhe një nga masakrat më të mëdha të gjermanëve: pushkatimi i 104 të burgosurve shqiptar. Lidhur me këtë ngjarje Sandra tregonte: “Ishte dita e 23 tetorit të vitit 1944, një ditë e bukur në mëngjes, që si për çudi në mesditë koha u vërenjt e filloi një shi i hollë sikur parashikonte se diçka do të ndodhte. Barakat e rrethuara me tela me gjëmba që dikur kishin qënë stalla kuajsh, përbënin dhe strehën e të burgosurve. Aty ishim disa qindra të burgosur dhe gjermanët na kishin ndarë në kausha të veçantë. Në një kaush ishin të burgosurit të Shkodrës dhe pak më tej ai i grave. Trajtimin që na bënin gjermanët aty ishte kafshëror, sepse na fusnin në punë të rënda dhe na ushqenin shumë keq. Sëmundjet, torturat dhe puna e rëndë, e pakësonin çdo ditë numrin e të burgosurve, por celula e komunistëve që vepronte në ilegalitet të plotë, mundohej ta mbante lart moralin e shokëve. Në atë kohë, gjermanët ishin egërsuar shumë nga disfatat që kishin pësuar në Frontin e Lindjes dhe nga frika e ndonjë revolte të brendëshme në kamp, ata organizuan masakrën e ekzekutimit të 104 shokëve tanë. Nga që në këtë kamp gjermanët nuk dispononin krematoriume e dhoma me gaz, e vetmja mënyrë për të ushtruar terror në ekzekutimin e të dënuarve, ishin thika dhe plumbi, të cilat ata nuk i kursyen asnjëherë kundër shokëve tanë. Në mëngjesin e 23 tetorit, ata duke uluritur si bisha, dhanë urdhër që të burgosurit të rreshtoheshin përpara kapanoneve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërsa ne u rreshtuam në kollonë për pesë, menduam se ata na kishin nxjerrë për të marrë ndonjë masë të rëndë disiplinore dhe kurrësesi nuk na shkonte mëndja, se do të ndodhte ajo masakër që ndodhi më pas. Mbasi u rreshtuan të gjithë, ata zgjodhën 100 shokë e shoqe nga rradhët tona, të cilët i veçuan në një anë. Ndër shokët që u vranë veç, ishte dhe Spiro Velko (Kosova) me profesion mësues, i cili ishte dhe përgjegjësi i celulës së Partisë në kamp. Ndër shokët e tjerë që më kujtohet aty, ishin dhe Musa Agolli e Hektor Shyti. Fillimisht ata boshatisën kaushin e grave, që po të hipje në tavan, komunikonte me kaushin e të dënuarve shkodranë.

Nazistët pasi i kryen të gjitha formalitetet, morën nga rreshti edhe 100 shokë të tjerë dhe i çuan në një luginë aty afër, ku nën kërcënimin e kërbaçit i detyruan të hapnin një gropë të madhe në formë kanali. Pas hapjes së gropes, shokët i kthyen në kapanonet e tyre dhe për pak minuta aty mbretëroi një heshtje e plotë. Më pas nga kapanoni i grave ku i kishin futur shokët tanë, gjermanët filluan t’i nxirrnin ata dy e nga dy dhe pasi i kalonin tek zyrat ku i zhvishnin lakuriq, i çonin dhe i pushkatonin atje ku ishte hapur gropa e madhe. Disa nga shokët që ishin në kaush, kur e kuptuan se ç’po ndodhte, hipën në tavan dhe kaluan në kaushin tjetër të shkodranëve. Ndërsa Musa Agolli dhe Spiro Velko mundën të kalonin, Hektor Shyti mbeti në tavan, sepse i hynë gozhdat e dërrasave në bark, ngaqë ishte i shëndoshë. Kur dëgjuan ulërimat e tij, gjermanët hynë brenda dhe pasi e nxorrën jashtë, e therrën me thika. Pas kësaj, ata u futën në kaushin e shkodranëve, ku morën Musa Agollin dhe Spiro Velkon. Spiron e ekzekutuan të parin, ndërsa klithmat e Musait u ndien shumë të fuqishme. Pas një heshtje varri, gjermanët nxorrën nga kaushi Shyqëri Greblleshin, i cili u përlesh me ta dhe mbeti i vdekur ashtu lakuriq i copëtuar nga thikat, plumbat e bajonetat e tyre. Më kujtohet se kur gjermanët hynë në kaushin e grave, rrobat e tyre ishin me njolla gjaku të shokëve tanë.

Masakra zgjati rreth një orë e gjysëm dhe midis 104 shokëve tanë, mbetën të vrarë: Musa Agolli, Spiro Velko, Hektor Shyti, Xheladin Fishta, Shyqëri Greblleshi, Gjikë Kuqali etj. Pas asaj masakre, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, gjermanët na nxorrën me zor nga kaushi për të na dhënë darkën që përbëhej nga 120 gr. buk”, e përfundon rrëfimin e saj Aleksandra Filipi, lidhur me masakrën që kryen gjermanët në kampin e Prishtinës, në 23 tetorin e vitit 1944, ku ajo ishte së bashku me bashkëshortin e saj Luigj Filipin.

Luigj Filipi, guerilasi që rrëmbeu shtypshkronjën “Gutenberg”

Sipas dëshmive të znj. Aleksandra Filipi, bashkëshoirti i saj, Luigji, lindi në 18 tetor të vitit 1918 në qytetin e Shkodrës dhe origjina e hershme e familjes së tij është nga Vranina. I ati i Luigjit quhej Filip Jaku dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ai shërbente si përkthyes i austro-hungarezëve, pasi njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja. Filipi dhe bashkëshortja e tij, Maria, përveç Luigjit kishin dhe tre fëmijë të tjerë: Vitoren, Zinën dhe Markun. Luigji mësimet e para i mori në Kolegjin Françeskan të qytetit të Shkodrës, ku kishte shokë të ngushtë Nikolla Shurbanin, dhe një nga profesorët që kujdesej më shumë për të, ishte Padër Gjergj Fishta.

Nisur nga gjëndja shumë e keqe ekonomike në të cilën jetonte në qytetin e Shkodrës, aty nga fillimi i viteve ’30, babai i Luigjit, Filip Jaku, u shpërngul nga ai qytet dhe u vendos në Tiranë, duke marrë një shtëpi me qera tek Kodra e Kuqe. Për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij, Luigji, i cili i ndërpreu studimet në vitin e tretë të Kolegjit Françeskan, kur erdhi në Tiranë, nuk e vazhdoi më shkollën, por u fut në punë si tipograf në Shtypshkronjën “Luigj Gurakuqi”. Ai e njihte mirë profesionin e tipografisë, pasi qysh në bankat e Kolegjit Françeskan të Shkodrës, ai kishte bërë praktikën mësimore në Shtypshkronjën “Nikaj” të atij qyteti. Aty nga vitet 1936-’37, Luigji u lidh me degën e Grupit Komunist të Shkodrës që vepronte në Tiranë, për shkak të pjesmarrjes së tij në krye të aktiviteteve sindikaliste të punëtorëve të shtypshkronjave. Në ato vite, ai u zgjodh Kryetar i Sindikatave të shtypshkronjave dhe organizoi disa greva kundër punëdhënësve dhe administratës shtetërore.

Si rezultat i asaj veprimtarie sindikale, ai u pushua nga puna dhe nuk u lejua që të punonte më në asnjë prej shtypshkronjave që kishte nisur që me krijimin e grupeve të para, ai e vazhdoi edhe pas pushtimit fashist, ku që në ditët e para të prillit të vitit 1939, ai ishte një nga organizatorët e demostratave antifashiste që u zhvilluan në Tiranë. Luigji ishte shok e mik i ngushtë i Vasil Shantos e Qemal Stafës, që nga vitet kur ata kishin jetuar në Shkodër dhe atë miqësi ai e ruajti edhe gjatë kohës që ata erdhën në Tiranë. Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, Luigj Filipi u lidh ngushtë me Gogo Nushin që drejtonte Qarkorin e Tiranës dhe bashkë me Mihali Durin, mori pjesë në disa prej aksioneve më të rëndësishme që kryen asokohe gueriljet komuniste të Tiranës, ku Luigji ishte një nga antarët më aktiv. Aty nga viti 1942, pasi Luigji u pranua në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë-së, Qarkori Komunist i Tiranës dhe personalisht Gogo Nushi, i ngarkuar atij detyrën e organizimit të dy çetave partizane të Dajtit dhe Erzenit, të cilat ai i kreu me sukses.

Duke qenë se Luigji kishte një përvojë të madhe pune si tipograf, detyra kryesore që i’u ngarkua atij nga Qerkori Komunist i Tiranës, ishte përgatitjen e teknikës për shtypin e PKSH-së. Në kuadrin e asaj detyre që i’u ngarkua gjatë asaj periudhe, Luigji kreu dhe aksionet më të guximshme, siç ishin ato për rrëmbimin e Shtypshkronjave “Gutemberg” dhe asaj “Dielli”, e cila ndodhej ngjitur me oborrin e Kuesturës. Për shkak të veprimtarisë së tij ilegale, Luigj Filipi u arrestua dhe u burgos nga italianët që në fillimin e vitit 1942. Pas lirimit nga burgu, atij i’u ngarkuan detyra e përgatitjes së teknikës për nxjerrjen e gazetës “Zëri i Popullit”, numrin e parë të së cilës ai e përgatiti në Gurin e Muzhaqit në Çermenikë, së bashku me Sofokli Budon dhe vëllezërit, Andon e Qirjako Deçka. Në muajin gusht të vitit 1944, Luigji u arrestua në shtëpinë e tij së bashku me të fejuarën, Aleksandre Priftin dhe vëllanë e tij, Markun. Pasi u mbajtën për një javë në Kuesturë, në 25 gusht të atij viti, ai u internua në kampin gjerman të Prishtinës, së bashku me të fejuarën Aleksandrën, motrën e saj, Ksanthipin, si dhe vëllanë e tij, Markun e motrën Vitoren. Nga ai kamp ata u liruan nga në fundin e vitit 1944. Pas mbarimit të Luftës, Luigji punoi në detyra të rëndësishme, si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe Kryetar i Këshillit Popullor të Tiranës. Duke qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe komunist idealist, gjatë gjithë asaj periudhe që Luigji punoi në krye të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ai nuk pranoi asnjëherë që të shkonte në punë me makinën e tij. Për këtë ai shprehej: “Si mund të vete unë me makinë në punë, kur aty tek dera e Komitetit, më presin me dhjetra fshatarë që na kanë strehuar gjatë Luftës, të cilat na kërkojnë një thes miell se i kanë fëmijët pa bukë”?! Aty nga viti 1948, Luigji u caktua të punonte në Sigurimin e Shtetit tek “Shtëpia me Gjethe” dhe akoma pa mbushur një vit në atë detyrë, ai dha dorëheqjen dhe u largua që andej, për shkak të makinacioneve që përdoreshin aty ndaj njerëzve të ndershëm. Për largimin e tij në mënyrë demonstrative nga Sigurimi i Shtetit, atij i’u ngrit një grackë, ku do të eleminohej fizikisht me anë të një aksidenti automobilistik. Por një natë para se ai të nisej me “shërbim”, Luigji u lajmërua nga një mik i tij i ngushtë, për grackën e ngritur prej Sigurimit dhe ai nuk doli fare nga shtëpia, duke u bërë si i “sëmurë”. Pasi u largua nga Sigurimi i Shtetit, Luigji i’u kthye profesionit të tij të vjetër të tipografit, duke punuar si teknik dhe si Drejtor i Ndërrmarjes Tipografike, deri sa doli në pension në vitin 1976.

Nga ajo kohë e deri sa u nda nga jeta në 19 gusht të vitit 2002, Luigj Filipi mbeti një njeri i thjeshtë dhe tepër i zhgënjyer nga ideali komunist, që ai kishte përqafuar që në rininë e tij, familjarisht.

Marrë nga Memorie.al

Shto Koment