Diaspora

Dërgimi i mjekëve në Itali, shqiptarja letër Ramës: Në çastet më të errëta kemi krijuar virtytet tona

Ajo falenderon shtetin shqiptar për dërgimin e një ekipi mjekësor prej 30 mjekësh e infermierësh në Itali dhe vë në dukje krenarinë e Diasporës shqiptare për vendin e tyre.
Featured image of article: Dërgimi i mjekëve në Itali, shqiptarja letër Ramës: Në çastet më të errëta kemi krijuar virtytet tona Kozeta Proko

ITALI– Mjekja shqiptare Kozeta Proko në provincën e Trevizos, falenderon shtetin shqiptar për dërgimin e një ekipi mjekësor prej 30 mjekësh e infermierësh në Itali dhe vë në dukje krenarinë e Diasporës shqiptare për vendin e tyre.

“I nderuar Kryeministër Rama, Në botë 30 mijë viktima me COVID-19, një e treta e vdekjeve vetëm në Itali! Ritme të larta infeksioni ne Spanjë, Britani dhe Gjermani Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetësh, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë. Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, ne veçanti ne mjekëve shqiptarë qe jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenar! Këta kolegë, me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës, janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar…ndihmesën e mikut në ditë të vështira. Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqiptarët kemi treguar virtytet tona më të mira. Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh. Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem të gjithë ju të tjerëve të qëndroni në shtëpi! Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërise ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj. Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…QËNDRONI NË SHTËPI!!!”, shprehet mjekja Proko në letrën e saj drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. 

Proko është shefe e sektorit të hematologjisë dhe autoimunitetit, laboratori i Analizave të Castelfranco Veneto dhe Montebelluna.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë, në Shqipëri janë 212 persona të infektuar me Covid-19 dhe numri i viktimave ka shkuar në 10. 40 nga të prekurit janë shëruar, por harta e infektimit është zgjeruar. Mirdita i është bashkuar listës së fundmi, me 1 të infektuar, ndërsa epiqendra është në Tiranë me 121 të infektuar. 4 pacientë tek Infektivi ndodhen në intubim. Autoritetet kanë vetëm një thirrje për qytetarët: Qëndroni brenda!

(f.m/dosja.al)

Shto Koment