Politike

Kuvend/ Deputeti i PD: Drejtori i Burgjeve kërcënon policet femra, ju nis email-e, burrave iu thotë ‘kaqola’

Deputeti i PD, Lefter Maliqi është shprehur sot në Kuvend se Drejtori i Burgjeve abuzon me detyrën duke iu dërguar email-e kërcënuese policeve femra.

TIRANE-Deputeti i ardhur me listat e Partisë Demokratike në Kuvend, Lefter Maliqi, ka thënë sot në Kuvend, se drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, kërcënon policet femra duke ju dërguar emaile.

Deklarata e Maliqit u bë gjatë interpelancës me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lidhur me situatën në burgjet e vendit. Ai tha se Ismaili iu thotë policëve “kaqola”.

Pjesë nga fjala e Lefter Maliqit:

Shpresoj që lufta kundër korrupsionit të jetë reale. Më bëhet qejfi që këtu lexuat dhe folët për analizën e drejtorisë së Burgjeve për 2018. Keni dhe kemi bërë punë të mira, por një pjesë të pyetje ju nuk iu përgjigjët. Edhe për drejtorët e burgjeve që janë shumica ushtarakë të aftë, por fatkeqësisht i ka vendosur politika, por kthyer në magazinerë emërime, transferime, leje. Ju keni lëvizur për një vit 3 drejtorë të përgjithshëm, mikun tim Arben Cukon, por për shkak të zemrës së madhe dhe bindjes partiake arriti që të jetë edhe për fajin e të tjerëve pas hekurave. Sollët Stefan Cipën, filloi me pasion, por katër muaj e mbajtët, nga 26% e investimeve e coi 100%. Donte të kursente, tha do të hap një pus uji në burgun e Fierit dhe 30% të ushqimeve në burgje të tenderave që bëheshin, pasi një pjesë të ushqimit të burgosurve ua conin familjarët. Stefani bëri edhe zyrën e bukur, mua më tha më hoqën se do të më cojë kryetar bashkie, por i thash e ke gabim, pasi këta nuk i duan njerëzit që punojnë. Meqë u dhimbset, ky njeri është me meritë aty, drejtori aktual i burgjeve? Cfarë shkolle ka mbaruar pasi më rezulton se deri në 2001 ka qenë polic? A e keni parë të kaluarën e tij, është liruar për bashkëpunim në përgjim, ku akuzohej Sokol Kociu në lidhje me drogën që e bëri publik këngëtarja. Është shkarkuar në 2004 për paaftësi. Tani bëhet drejtor i përgjithshëm i burgjeve, nuk i njeh, për katër muaj ka shkuar vetëm një Fier, por con e-mail, shantazhon, drejtorët nuk i pret. Kërcënime dhe shantazhe me drejtorin e policisë së burgjeve. Tenderat në drejtorinë e burgjeve bëhen te ministria e Brendshëm. Administrata kërkon mbështetje. Merreni dhe pyeteni të shikoni nivelin, ai kërcënon policet femra, iu nis emaile, iu thotë dordolec policeve. U thotë policëve kaqola, quan kandar burgun e Vaqarrit. Ky njeri ka marrë edhe kompetenca të jashtëzakonshme. Ai shantazhon të gjithë punonjësit dhe drejtuesit, ka kërkuar të shkarkojë dy- tre herë kunatin e n/ kryetares së Kuvendit. Një ditë mund të plasë me këtë situatë. Ndërhyni në administratë sa nuk është vonë.

Ndërkohë që nuk ka munguar përgjigjia nga ministrja Gjonaj, e cila i është përgjigjur se për këtë çështje, duhet të kishte reaguar kur ishte drejtor.

“Do doja ti kishit denoncuar shkeljet kur ishit zv.Drejtor. Sistemi i burgjeve ka probleme, kjo është e padiskutueshme. Nëse keni fakte, referojuni organeve ligjzbatuese”-tha Gjonaj.

Ditën e sotme është zhvilluar seanca plenare në Kuvend, ku në rend të ditës ka qenë interpelanca e kërkuar nga deputeti Lefter Maliqi me ministren Etilda Gjonaj, si edhe dekreti i Metës për Vettingun në Polici, dekret ky që u rrëzua nga mazhoranca socialiste. Në seancë u betuan edhe 12 deputetët e rinj të opozitës, si dhe nuk mungoi debati nga deputetët Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni që akuzuan dyshen Rama-Basha se kanë bërë marrëveshje në kurriz të shqiptarëve. Pretendimi i tyre, u mohua nga Balla dhe Spiropali.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment