Aktualitet

Dënuan dhunën te Astiri, Bashkia Tiranë-Vetëvendosjes: U votuat për të qeverisur Kosovën. Mos bëni deklarata dashakeqëse, aktivitstët janë sherrxhinj

Bashkia shprehet se deklarata e Vetëvendosjes është dashakeqëse dhe e pakuptimtë. Në reagimin e saj Bashkia i cilëson aktivistët, sherrxhinj dhe që penfojnë punën e zyrtarëve. Në fund Bashkia thekson se dënon çdo akt që bëhet kundër efektivëve.
Featured image of article: Dënuan dhunën te Astiri, Bashkia Tiranë-Vetëvendosjes: U votuat për të qeverisur Kosovën. Mos bëni deklarata dashakeqëse, aktivitstët janë sherrxhinj
Përditësuar:

TIRANË– Bashkia Tiranë i është përgjigjur deklaratës së qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, e cila me anë të një reagimi zyrtar, dënoi dhunën e ushtruar ndaj banorëve në Astir.

Bashkia shprehet se deklarata e Vetëvendosjes është dashakeqëse dhe e pakuptimtë. Në reagimin e saj Bashkia i cilëson aktivistët, sherrxhinj dhe që penfojnë punën e zyrtarëve. Në fund Bashkia thekson se dënon çdo akt që bëhet kundër efektivëve.

Ndër të tjera në Bashkia e Tiranës shkruan se Vetëvendosja është votuar për të qeverisur Kosovën dhe jo për të bërë djalin e Fahriut në Tiranë.

Në reagim thuhet më tej se PD-ja ka degraduar dhe se sipas Bashkisë Tiranë, nëse Vetëvendosja po përpiqet të marrë votat e PD-së duhet të distancohet dhe të tregojë që bën një tjetër lloj politike.

Reagimi i Bashkisë Tiranë

Bashkia e Tiranës është thellësisht e keqardhur për degradimin e rëndë në të cilin ka përfunduar Lëvizja Vetëvendosja dega Tiranë, e cila sot ndërhyri në punët e brendshme të qytetit për një projekt lokal, por jetik për kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. Unaza e Madhe është projekt 30 vjeçar, nuk i shërben qeverisë, por ndërtohet për të mirën e qytetarëve të saj, që kërkojnë të venë në punë, shkolla e spitale të pa penguar me muaj të tërë nga një grup dhunuesish.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Bashkia e Tiranës e cilëson deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje si të pakuptimtë, dashakeqe dhe të nxituar. Për këtë arsye, përfitojmë nga rasti të informojmë edhe Lëvizjen Vetëvendosja mëmë, se familjet që preken nga projekti i Unazës së Madhe dhe që kanë ndërtuar pa leje, ndër vite, në gjurmë të saj, po trajtohen me përparësi sipas ligjeve shqiptare në fuqi, shumica prej të cilëve janë dëmshpërblyer, madje shumë prej tyre i kanë marrë tashmë paratë e dëmshpërblimit në llogaritë e tyre bankare. Kurse, aktivistët, të cilëve kjo lëvizje iu referohet, janë të njëjtët aktivistë bllokues e sherrxhinj që janë përpjekur me të njëjtin zell të bllokojnë çdo punë të mirë në Tiranë, duke nisur që nga këndi i lodrave të Liqeni, Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri etj., e për më tepër nuk janë as banorë të zonës së Astirit.

Ne dimë se Vetëvendosja është votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut apo suflerin e Orjolës në Tiranë. Nëse Vetëvendosja kërkon të marrë votat e një PD-je të degraduar, kjo nuk bëhet duke e imituar atë, por duke treguar se bën tjetër lloj politike! Kurse sa për dhunën shtetërore ndaj dhunuesve të policisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës s’ka mbështetur dhe as ka ndërmend të mbështesë ndonjëherë ata që mund të sulmojnë policinë me gurë e me shishe në Kosovë për llogari të shkelësve të ligjit kur Albini të jetë në detyrë. Por, ka detyrë t’ia thotë publikisht kryeministrit në ardhje të Kosovës se Tirana është shtëpia e çdo shqiptari, jo shesh për përsheshet e atyre shqiptarëve që shkelin ligjin apo atyre që frymëzojnë dhe mbështesin shkelësit e ligjit, në Shqipëri, në Kosovë apo kudoqofshin në globin tokësor!

Bashkia e Tiranës është shpresëplotë se Lëvizja Vetëvendosja në Kosovë, pas deklaratës së pakuptimtë që bëri sot, do të jetë e aftë të reflektojë dhe të tregojë pjekuri për degët e saj, që me sa duket fatkeqësisht i kanë dalë jashtë kontrollit. Në të kundërt, nuk ka kuptim që kryetarët e VV vijnë rregullisht në Tiranë për të marrë përvoja, kur dega e tyre lokale saboton dhe degradon këtë raport të krijuar prej vitesh në mirëbesim mes Qytetit të Tiranës e VV Kosovë!

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë reagoi sot në mbështetje të banorëve të Astirit të cilët u ngritën në protestë për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Në një status në rrjetet soicale, Vetëvendosja shkruante se dhuna që po ushtrohet në Astir duhet të ndalet pasi mund të sjellë viktima.

(f.m/dosja.al)

Një Koment në “Dënuan dhunën te Astiri, Bashkia Tiranë-Vetëvendosjes: U votuat për të qeverisur Kosovën. Mos bëni deklarata dashakeqëse, aktivitstët janë sherrxhinj

  1. Ermut Mufka ka harruar të shkuarën e tij si kapó i G99, e cila i prodhoi si frut kryetarllëkun e bashkisë. Mbas 4 vite gënjeshtra, mashtrime, batërdi vjedhjesh, Ermut Mufka u votua nga 3% e popullit të kryeqytetit, praktikisht vetëm nga familja e tij dhe administrata e bashkisë, prandaj nuk ka tagër nga populli tirans të vazhdojë vjedhjen gjigande mbi fondet publike, ku vetëm tek Astiri janë 40 milion euro për 2 km rrugë. I uroj Ermutit dhw E Dramës ti provojnë në kurrizin e tyre e të familjeve të tyre gjithçka po u bëjnë banorëve të terrorizuar.

Shto Koment