AktualitetSociale

Denoncuan rastin “Tirja” tek ‘Shefqet Ndroqi’/ Paralajmërimi i Saimir Kodrës: Do të faktojmë gjëra të tjera të tmerrshme

VIDEO
Vajza e një zonje 55-vjecare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin, se një sanitare e këtij spitali, Tire Alldervishi, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.
Featured image of article: Denoncuan rastin “Tirja” tek ‘Shefqet Ndroqi’/ Paralajmërimi i Saimir Kodrës: Do të faktojmë gjëra të tjera të tmerrshme Foto ilustruese

Ditën e djeshme emisioni “Stop” publikoi një rast skandaloz korrupsioni në spitalin Covid 2. Vajza e një zonje 55-vjecare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin, se një sanitare e këtij spitali, Tire Alldervishi, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.

Nga ky denoncim ka pasur reagime. Drejtuesit e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj, publikuan këtë të mërkurë reagimet e personazheve të ndryshëm publikë. Megjithatë qëllimisht ata nuk publikuan asnjë reagim të politikanëve.

“Jo rastësisht nuk u morëm, sepse për shkak tuajin të njërit apo tjetrit është kjo situatë që është sot. Në një emërues të përbashkët jeni të gjithë fajtorë pjesë e Tires, nga i pari tek i fundit. Me reformat tuaja keni lënë në punë Tiren, ose keni futur si Tirja në punë. I bëj apel atyre që kanë qoftë edhe një mesazh të vetëm që vërtetojnë që i kanë marrë 100 mijë lekë, 50 Euro ose 50 mijë lekë m’i dërgoni dhe m’i sillni sepse është momenti që ta godasim fort si fenomen. Do kemi akoma njerëz të afërt që duhet të shtrohen nëpër spitale. Janë njerëz që gëlojnë aty përditë. Patjetër ka edhe njerëz të ndershëm që nuk dua t’i ngatërroj me këtë punë”, tha Kodra.

Ai paralajmëroi se emisioni “Stop” është në rrugë e sipër për të faktuar disa raste të tjera denoncimesh në spitalet Covid.

“Jemi në rrugë e sipër për të faktuar gjëra të tjera po aq të tmerrshme. Një ndër to është sot që thjesht për të futur telefonin brenda do 50 mijë lekëshin vetëm roja. Tjetra, të gjitha po i them llafe, do Zoti do të më vijnë me fakte dhe prova. U ka vdekur i afërmi në datën 6 për shembull, dhe vetëm në datën 7 apo 8 u merrnin para dhe ilaçe që të shpëtonte jeta e të afërmve të tyre ndërkohë që ai kishte ndërruar jetë. Do Zoti, lutuni që njerëzit që kanë këto materiale të kenë guximin dhe t’i sjellin jo vetëm për mua, për emisionin apo kushedi çfarë, por t’i largojmë njëherë e mirë këta njerëz të shëmtuar, këta njerëz të pisët. Janë njerëz të pisët, nuk janë mjekë, nuk janë infermierë, nuk janë shefa pavijonësh, nuk janë drejtorë, nuk janë as… që të mos e them shqip fare”, tha Kodra.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë të martën në mbrëmje, “Stop” publikoi komunikimet mes vajzës së të ndjerës dhe punonjëses së spitalit “Shefqet Ndroqi” që tregonin qartë abuzimin me detyrën në spital dhe pazarin me jetën e pacientes. E ndjera ishte ankuar, se Tirja i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale, ajo detyrohej t’i kryente në krevat.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lëshoi një deklaratë, ku dënoi me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Gjatë ditës së mërkurë ka reaguar edhe vetë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke shkarkuar sanitaren dhe dënuar aktin e saj.

Ndërkohë paraditen e të mërkurës është arrestuar sanitarja 58-vjeçare Tire Alldervishi, që i mori qytetares 8 milionë lekë për t’i shpëtuar nënën nga koronavirusi, por që e kishte lënë të vdiste, duke mos i dhënë as bukë e as ujë.

Po ashtu Prokuroria e Tiranës ka deklaruar se po vijon hetimet për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me një rast sporadik, apo me një skemë të mirëfilltë përfitimi në kurriz të të sëmurëve me Covid.

Marrë nga tvklan.al

Shto Koment