Sociale

Denoncimi i fermerit: Skandal me farën e domates, po i blejmë të skaduara

Megjithëse kanë bërë të gjitha letrat, kanë hapur edhe NIPT-e, fermerët sorollaten për të marrë nga farmaci bujqësore farëra të kontrolluara.
Featured image of article: Denoncimi i fermerit: Skandal me farën e domates, po i blejmë të skaduara Domatet e dëmtuara

TIRANË- Fiks Fare denoncoi skandalin e radhës në bujqësi, ku farmaci bujqësore iu servirin fermerëve farëra të skaduara dhe të pakontrolluara. Pas investigimeve në seri për përdorimin e simulantëve hormonalë në perimet e stinës, emisioni investigativ faktoi se farërat po i çojnë drejt falimentit këta fermerë.

Megjithëse kanë bërë të gjitha letrat, kanë hapur edhe NIPT-e, fermerët sorollaten për të marrë nga farmaci bujqësore farëra të kontrolluara.

Një fermer nga fshati Dushk i Lushnjes, i cili me familjen punon prej vitesh në sera për kultivimin e domates, ka hasur në një shqetësim, që i ka kushtuar miliona lekë dëme. Domatja që ai priste për ta hedhur në treg dhe për të marrë frytet e punës, i ka dalë e deformuar. Ai thotë se ky prodhim është jashtë standardit dhe se faji është i farës. Edhe pse ai është i regjistruar dhe ka NIPT askush nuk e merr përgjegjësinë se i kujt është faji.

Rolandi thotë se i kanë dalë me probleme vetëm domatet që ka marrë farën në një agronom në Lushnje. Sipas tij, problemi është vetëm me këtë farë që ka marrë te farmacia e agronomit Anastas Qorri. “Po i hedh në kanal mijëra ton domate. Nuk kanë treg. E kam takuar dhe s’më ka dhënë zgjidhje. Bëji analizat më thotë. I ka bërë vetë dhe mua nuk mi jep” thotë ai.

Pas ankesës, qytetari shkon të takojë agronomin, i cili i thotë që “të bëjë analizat”. Më tej i pohon se ai dhe firma i kanë bërë analizat dhe ka dalë që nuk është problem i farës, por është mungesë shërbimesh. Madje, i lexon e-mailin dhe i thotë qytetarit se i ka ardhur fleta nga laboratori dhe pretendon mungesë të shërbimesh, madje njëherë e ngopur me ujë njëherë e pangopur nga uji.

Qytetari i thotë je mirë, se më parë i ka thënë mos i jep ujë shumë se e ka nga uji. Agronomi i thotë se nga analizat doli që fara s’ka asnjë gjë.

“Neve kemi për detyrë të shpërblejmë nëse del që është faji i farës. Bëji analizat dhe nëse institucioni në Durrës thotë që është faji i farës, dhe të gjitha shpenzimet dhe detyrimet e munguara do merren 100 %” i thotë agronomi.

Pas kësaj bisede, gazetarët e Fiks Fare i drejtohen farmacisë së z.Anastas Qorri. “Unë i kam thënë të bëjë analiza në një institucion, siç është Instituti i Mbrojtjes së Bimëve në Durrës, ose jashtë shtetit. Po i tha që fajin e ka fara, unë jam i detyruar, unë dhe firma, që të jemi përgjegjës për atë punë. Mua përgjigjja nga firma më ka ardhur që nuk është faji farës” këmbëngul agronomi. Më tej shton se ka shkuar disa herë se sera e Rolandit.

“Kam marrë kolegët tanë shqiptarë, të Institutit të Mbrojtjes së Bimëve dhe të Drejtorisë së Bujqësisë Lushnjes, t’i jap me emra, Dhimitër Qorri drejtori, që është agronom i mbrojtjes së bimëve në Lushnje, më i miri dhe kemi konkluduar që nuk është faji i farës. I kam thënë unë që nuk është faji i farës, me ato çfarë kam bërë” shton më tej agronomi. Fiksi e pyes nëse Drejtoria e Bujqësisë së Lushnjes ka bërë apo jo analiza, ndërsa ai përgjigjet se “jo s’janë përgjegjës ata për atë punë”.

Ai shton se agronomët dolën në këtë konkluzion “nga ana teknike”.

Fiksi pyeti në Drejtorinë e Bujqësisë pikërisht z.Dhimitër Qorri, nëse kishte shkuar apo jo te sera e Rolandit. Ai tha jo, madje kjo drejtori nuk kishte bërë asnjë analizë. Drejtori tha se nuk është marrë ndonjëherë me këtë punë, pasi Drejtoria e Bujqësisë Lushnje, nuk e ka tagrin të bëjë analiza për bimët. Ai thotë se nuk kam të drejtë të kontrollojë. Në fund thotë se drejtoria është vetëm për këshillim.

Pas këtyre pretendimeve, Fiks Fare shoqëroi Rolandin në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve në Durrës për të analizuar domaten. Në përgjigjen me shkrim, ky institut thotë se “bima kishte virus”. Ndërkohë, laborantja i thotë fermerit në telefon se “nga analizat dyshon për virus ose problem gjenetik, nga fara”.

(Marrë nga Top Channel)

Shto Koment