Bota

Demonstrata e madhe që çoi në rënien e Murit të Berlinit

Me 4 nëntor 1989 u mbajtën demonstratat më të mëdha në historinë e Gjermanisë lindore (RDGJ). Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë. Vetëm pesë ditë më vonë ra Muri i Berlinit.
Featured image of article: Demonstrata e madhe që çoi në rënien e Murit të Berlinit Pamje nga Gjermania

Një kohë të gjatë flitej në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ) për këtë mundësi. Prej muajsh njerëzit dilnin gjithnjë e më shumë në rrugë. Në Lajpcig mbaheshin protesta çdo të hënë – njerëzit kërkonin udhëtim të lirë dhe lirinë e shprehjes së mendimit. Gjithnjë e më shumë njerëz ia kthenin shpinën vendit të tyre, që në gjuhën e regjimit të RDGJ-së komunist quhej “refugjatët e Republikës”.

Si u shemb RDGJ

Erich Honecker, njeriu më i fuqishëm prej vitit 1973, ishte rrëzuar nga pushteti më 18 tetor. Por as pasardhësi i tij Egon Krenz nuk kishte mbështetje në popull. Në këto kushte me 4 nëntor 1989 u mbajt demonstrata më e madhe e lejuar në historinë e RDGJ. Iniciatorë ishin aktorët dhe njerëzit e teatrit në lindje të Berlinit. Ata i referoheshin neneve 27 dhe 28 të Kushtetutës – pra të drejtave për lirinë e shtypit, shprehjen e lirë të mendimit dhe mbledhjen në protesta. Këto nene kanë ekzistuar në historinë 40-vjeçare të RDGJ vetëm në teori.

Kushtetuta e shkelur kaq gjatë me këmbë këtë ditë filloi të implementohet në sheshin Alexanderplatz në Berlin. Edhe sot 30 vjet më vonë flitet për shifra të ndryshme: Vlerësohet se në demonstrata kanë marrë pjesë mes 200.000 deri në një milion demonstrues. Demonstruesit qëndronin para një kamioni të shndërruar në skenë, ndërsa atje mbajtën fjalim rreth 20 persona – aktorë, këngëtarë, shkrimtarë, priftërinj – por edhe përfaqësues të regjimit.

Ndër ta edhe Günter Schabowski

Njëri prej tyre vetëm pesë ditë më vonë u bë i shquar në mbarë botën, me 9 nëntor 1989: Günter Schabowski, shefi i partisë SED në Berlin (Partia Socialiste e Unitetit në Gjermaninë Lindore). Në një konferencë shtypi ai paralajmëroi ligjin për lirinë e udhëtimit, që papritur solli deri tek rrëzimi i Murit të Berlinit. Në protestën e 4 nëntorit, Schabowski ishte në shënjestër të kritikave të ashpra të demonstruesve. Madje edhe kur tha se “duhet kultivuar kultura e dialogut!” Krerët e RDGJ e kishin humbur kaherë çdo lloj kredie. Vetëkritika e Schabowskit u zhduk në morinë e fishkëllimave.

Prifti Friedrich Schorlemmer reformoi hymnin

Njëri prej atyre që dëgjoi me vëmendje fjalët e Schabowskit për mundësinë e një fillimi të ri, ishte kritiku i regjimit Friedrich Schorlemmer. Teologu nga Wittenbergu, qyteti i origjinës së reformatorit Martin Luther, citoi me një ndryshim të lehtë titullin e hymnit të RDGJ: “Në vjeshtën e vitit 1989 jemi ngritur nga gërmadhat dhe jemi riorientur drejt të ardhmes.” Nën këto përshtypje kërkonte ai nga njerëzit që të mbeten në vend dhe të ndihmojnë rindërtimin e vendit. “Tani kemi nevojë për secilën dhe secilin.”

Aktor i ri Jan-Josef Liefers është bërë i njohur më vonë në serialin “Tatort”. Asokohe pyeti krerët e SED: “Përderisa krerët e SED reagojnë vetëm ndaj presionit, mendoj se nuk mund të bëhet fjalë për rolin e dikurshëm të partisë.” Fjali të këtilla dëshironte të dëgjonte masa prej qindra njerëzve të mbledhur. Duartrokitja ishte e fuqishme.

Legjenda e Stasit flet për “botën e derrave”

Vetëkritik ishte edhe ish-shefi i Stasit Markus Wolf. Deri në vitin 1986 ai kishte shërbyer në shërbimin sekret të shtetit. Markus Wolf ishte ai që tha, se RDGJ e ka humbur lidhjen me realitetin. “Përkundër kritikave në radhët e veta, udhëheqja jonë ka jetuar deri me 7 tetor në një botë derrash”. Këtë ai e mendonte në ditën e themelimit të RDGJ-së.

Me rastin e 40 vjetorit të Republikës, udhëheqja ka inskenuar për herë të fundit festimin e themelimit të shtetit. Protestat e opozitarëve janë shuar në mënyrë brutale. Ish-nëpunësi i shërbimit sekret Wolf tha se krerët e partisë kanë dështuar, ndërkohë që njerëzit filluan të iknin nga vendi.

Marianne Birthler: “Shpresa, fantazia, humori…”.

Protestat kaluan të qeta, ndonëse krerët e Stasit paralajmëronin se do të shpërthejë dhuna. Vetëm disa ditë më parë, shefi i Stasit, Erich Mielke, kishte urdhëruar njësitet e shërbimit sekret “përgatitjen e masave teknike dhe përdorimin e tyre për nevojat e evitimit të sulmeve.” Brengat e Mielkes ishin të panevojshme, sepse demonstruesit ishin “jashtëzakonisht të bukur”, siç u shpreh aktivistja Marianne Birthler, në një libër të shkruar vite më vonë. Shefja e mëvonshme e autoriteteve për dokumentet e shërbimit sekret, në Alexanderplatz atë ditë foli për dhunën e regjimit komunist dhe shpresën që po “rritej prej javësh në RDGJ”. Birthler tha se po zgjohen “shpresa, fantazia, humori…”.

“Ngjarja me pasoja për Evropën”

Shërbimi sekret, Stasi ka pranuar më vonë në një raport se “rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapsht”. “Forcat armiqësore”, për të cilat fliste shefi i Stasit Mielke, mund të shiheshin në të gjitha anët. Në një pikë ai megjithatë kishte të drejtë: Demonstrata e 4 nëntorit 1989 ishte “një ngjarje me pasoja të mëdha për Evropën”. Vetëm pesë ditë më vonë, më 9 nëntor, ra Muri i Berlinit.

Marrë nga DW

Shto Koment