Bota

Demokracia sociale: Çfarë ka mbetur në Europën Qendrore?

Me rënien e partisë SMER-SD të Sllovakisë, social demokratët në të gjitha vendet e grupit të Visegradit janë në rrezik. Dhe e djathta radikale po forcohet gjithnjë e më shumë.
Featured image of article: Demokracia sociale: Çfarë ka mbetur në Europën Qendrore? Grupi i Visegradit i përbërë nga kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki, ai i Sllovakisë Igor Matoviç, ai i Hungarisë Viktor Orban dhe ai i Republikës Çeke Andrej Babis,.

Të shtunën, qeveria e fundit (të paktën nominalisht) e udhëhequr nga e majta midis shteteve të Visegrad Four (V4) la detyrën.

SMER-SD e Sllovakisë humbi më shumë se një të tretën e votave të saj dhe pothuajse një të katërtën e vendeve të saj në parlament në zgjedhjet parlamentare të 29 shkurtit, duke fituar kështu numrin më të ulët të votave që nga zgjedhjet e para të partisë në 2002.

SMER-SD ia la vendin një koalicioni prej katër partish, kryesisht të krahut të djathtë të udhëhequra nga OLANO e populistit Ivo Matoviç, i cili i dyfishoi votat e tij nga 11 për qind në 25 për qind – shumë më tepër sesa 18 për qind që mori SMER-SD – me një program të paqartë pothuajse tërësisht të përkushtuar në shkatërrimin e atij që Matoviç pretendon se është një sistem korrupsioni i ndërtuar nga ish-kryeministri Robert Fico.

Humbja zgjedhore e SMER-SD pason poshtërimet e partive të tjera të majta në rajon vitet e fundit: Aleanca Demokratike e Majtë e Polonisë, ose SLD (në 2005); Partia Socialiste Hungareze, ose MSZP (2010); dhe Partia Social Demokrate çeke (CSSD), e cila ra nga 32 për qind në 2006 në 7.3 për qind në zgjedhjet e vitit 2017, por u bashkua në koalicion me partinë ANO të miliarderit populist Andrej Babis.

Kjo nuk është hera e parë që e majta ka dalë jashtë pushtetit në të gjitha shtetet V4 që nga rënia e komunizmit në 1989 – por ndoshta është momenti i saj më i zymtë.

Edhe krahasuar me Europën Perëndimore, gjendja e së majtës në Europën Qendrore duket e rëndë. Tani duket e pamundur që një parti social demokrate të udhëheqë një qeveri në V4 në të ardhmen e afërt.

Dhe ndryshe nga Europa Jugore, nuk ka parti të reja të majta të forta që mund të zënë vendin e tyre.Në vend të kësaj, e djathta radikale po forcohet gjithnjë e më shumë.

Tani fusha kryesore e betejës politike në shumicën e vendeve po zhvendoset në atë midis qendrës së djathtë dhe/ose liberalëve nga njëra anë dhe autoritarëve të krahut të djathtë si Viktor Orban i Hungarisë dhe Jaroslaë Kaczynski i Polonisë ose populistëve teknokratë të qëndrës si Babis nga ana tjetër.

E majta është margjinalizuar dhe i gjithë spektri politik është zhvendosur në të djathtë. Kjo ngre rrezikun se shqetësimet e grupeve më të varfëra dhe të pafavorshëm do të shpërfillen, duke akumuluar ankesa që në të ardhme mund të shpërthejnë në mënyrë të rrezikshme.

Kjo gjithashtu krijon probleme për BE-në, sepse socialdemokratët tradicionalisht kanë qenë mbështetësit më të fortë të Brukselit në rajon. Autoritarët e krahut të djathtë dhe eurozeptikët e qendrës së djathtë tani mbizotërojnë skenën politike dhe po përdorin si armë emigracionin, si dhe çështjet  gjinore dhe multikulturore kundër BE-së.

Trashëgimia e vitit 1989

Ish-kryeministri sllovak Robert Fico. Foto: Facebook/Robert Fico

Suksesi i së majtës në vendet V4 gjatë tre dekadave të fundit tani duket si një lajthitje.

Në 30 vjet nga rënia e komunizmit, SLD ishte në fuqi në Poloni për tetë vjet (1993-97 dhe 2001-2005) dhe MSZP e Hungarisë për 12 vjet (1994-98 dhe 2002-2010). CSSD e Republikës Çeke ka qenë në qeveri për 15 vjet (1998-2006 dhe që nga viti 2013), megjithëse vetëm 12 vjet si lider i koalicionit, dhe SMER-SD e Sllovakisë për 12 vjet (2006-2010 dhe 2012-20).

Në vitin 1989, do të kishte qenë e e thjeshtë të eliminoje të majtën. Socialistët ose socialdemokratët – të cilët kudo përveç Republikës Çeke ishin ish-parti komuniste të riemëruar – u përjashtuan në fillim të viteve 1990 ndërsa e djathta triumfuese drejtoi tranzicionin ekonomik dhe atë politik.

Përveçse u diskreditua nga trashëgimia komuniste, e majta u dobësua edhe nga mënyra sesi “terapia e shokut” dëmtoi organizatat e punëtorëve, siç janë sindikatat, të cilat ishin tashmë të brishta për shkak të mënyrës se si ato ishin manipuluar nën sistemin komunist.

Ndryshe nga kjo, pas vuajtjes fillestare, partitë e krahut të djathtë qenë gjithashtu në gjendje të përfitonin nga drejtimi i transformimit ekonomik pasi standardet e jetesës u rritën fuqishëm, ndërsa privatizimi dhe kthimi i pronave shtetërore te përkrahësit e saj krijuan një establishment të ri mirënjohës ndaj të djathtës.

Megjithatë, e majta qe në gjendje të riorganizohej, duke përfituar nga zhvendosja dhe zhgënjimi i tranzicionit për disa grupe punëtorësh dhe pensionistësh – si dhe nga mënyra se si partitë qeverisëse të krahut të djathtë ishin bërë të korruptuara. Nga fundi i viteve 1990, ajo ishte forca kryesore në qeveri kudo përveçse në Sllovaki.

Një dekadë më vonë, nga viti 2010-2012, e majta ishte përsëri jashtë pushtetit kudo, ndërsa Europërqendrohej në krizat globale financiare dhe të eurozonës. Por kësaj radhe, e majta e pati shumë më të vështirë të rimerrte veten.

Në Poloni, SLD, e cila kishte fituar 41 për qind të votave në 2001, nuk ka arritur kurrë të arrijë 15 për qind të votave që atëherë dhe madje ka qenë jashtë parlamentit midis vitit 2015 dhe 2019.

Në Hungari, MSZP, e cila kishte fituar 43 për qind të votave në 2006, ka rënë në çdo zgjedhje pasuese dhe arriti të merrte vetëm 12 për qind të votave në koalicion me të Gjelbrit në 2018.

E vetmja pika e ndritshme për të majtën ka qenë Republika Çeke dhe Sllovakia, por tani mund të shohim që këto dy vende mezi po mbijetojnë.

SMER-SD fitoi një fitore dërrmuese me 44 për qind të votave në 2012 pasi qeveria e krahut të djathtë kolapsoi, por fitoi vetëm 18 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar. Ajo u la në hije nga partitë e tjera dhe shumë vëzhgues vënë në dyshim të ardhmen e saj afatgjatë.

Ndërkohë, edhe pse CSSD çeke ishte në gjendje të drejtonte një koalicion me partinë ANO që nga viti 2013 edhe pse votat e saj në të vërtetë ranë, votat e saj ranë me dy të tretat në zgjedhjet e vitit 2017, duke marrë vetëm shtatë për qind të tyre.

Askund nuk duket se e majta do të udhëheq ndonjë qeveri tani së afërmi.

Në Republikën Çeke dhe Hungari, socialdemokratët po marrin nga më pak se 10 për qind të votave, duke rënë nga përkatësisht 32 për qind dhe 43 për qind, dhe janë në vendin e pestë.

Në Poloni, SLD po del e treta me diku tek rreth 15 për qind të votave, por vetëm pasi u bashkua me partinë e vogël të majtë Wiosna për të formuar Nowa Lewica (E majta e re) dhe pasi krijoi një koalicion me një tjetër, Razem.

Çfarë shkoi keq?

Kryeministri i Sllovakisë, Igor Matoviç.

Demokracia sociale është në tërheqje pothuajse kudo në Europë, të vetmet pika të ndritshme për të janë në gadishullin Iberik, ku ajo është në koalicion me ekstremin e majtë, dhe bastioni i saj tradicional është midis vendeve nordike.

Ashtu si homologët e tyre në Europën Perëndimore, socialdemokratët në vendet V4 janë përpjekur të përballen si me klimën më të ashpër ekonomike pas krizës globale financiare ashtu edhe me zhvendosjen drejt politikës nativiste pas krizës së refugjatëve dhe emigrantëve të vitit 2015, por në mënyra krejtësisht të ndryshme.

Në të gjitha vendet e V4, socialdemokratët kishin pranuar logjikën e modelit neoliberal të transformimit ekonomik të tregut të lirë dhe nuk arritën të sigurojnë një alternative ndryshe.

Në Poloni, pasi SLD u kthye në pushtet në vitin 1993, ajo në thelb vazhdoi “terapinë e shokut” të ekonomistit dhe burrit të shtetit Leszek Balceroëicz, i cili si ministër financash rishikoi ekonominë postkomuniste të Polonisë.

Në Hungari, MSZP ka qenë zakonisht më e rreptë, duke vënë në zbatim paketën shtrënguese të ministrit të financave Lajos Andras Bokros në vitin 1995 dhe një plan stabilizimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë krizës globale financiare.

Në Republikën Çeke, CSSD është përqendruar në ruajtjen e mirëqenies së vendit sesa në ndryshimin e modelit ekonomik të vendosur nga kryeministri i djathtë Vaclav Klaus. Ajo madje privatizoi të gjithë sektorin bankar pas krizës financiare të vendit 1997-1998, diçka të cilës Klaus i ishte trembur gjithnjë.

Në Sllovaki, qeveria Fico 2006-2010 bëri ndryshime vetëm kozmetike në ekonominë e ndërtuar nga qeveritë e Mikulas Dzurinda (1998-2006). Nën qeverinë e dytë dhe të tretë Fico, ministri i financave Peter Kazimir fitoi reputacion si një nga anëtarët më të ashpër të Eurogroupit për qëndrimin e tij ndaj krizës që po kalonte Greqia.

Kjo donte të thoshte se pas krizës financiare globale, e majta ishte në një pozitë të dobët për t’iu përgjigjur pakënaqësisë në rritje të popullit si me shtrëngimin e vazhdueshëm të masave, ashtu edhe me mënyrën se si modeli ekonomik me paga të ulëta dhe i udhëhequr nga investitorët e huaj nuk kishte arritur të mbyllte hendekun me Europën Perëndimore.

Populistët e krahut të djathtë të partisë Fidesz të Viktor Orbanit në Hungari dhe partisë Ligj dhe Drejtësisë të Jaroslaë Kaczynski në Poloni vodhën idetë e braktisura nga e majta duke rritur shpenzimet sociale, duke përdorur kompani shtetërore për të ri-shtetëzuar ekonominë dhe duke vendosur taksa të veçanta për kompanitë e huaja.

Ata e portretizuan këtë si një qasje politike që ishte në dobi të popullit dhe i mundësonte vendit rimarrjen e sovranitetit.

E majta kishte pasur shumë frikë të zemëronte Brukselin dhe investitorët e huaj; e djathta radikale e shijoi këtë, edhe pse Orban u tregua gjithashtu i kujdesshëm që të jepte stimuj bujarë për investitorët gjermanë të automobilave nga të cilët Hungaria mbetej e varur.

Kontrasti me të majtën u shënua. Në Hungari, reputacioni ekonomik i MSZP ishte shkatërruar nga ndikimi i krizës financiare globale dhe kur Orban më pas fitoi një lum votash në 2010, ai grisi planin e stabilizimit të FMN-së dhe ndoqi rrugën e tij, duke krijuar një grupazh të ri oligarkësh miqësorë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në Poloni, e cila nuk pësoi një recesion, kur Kaczynski u kthye në pushtet në vitin 2015, ai qe në gjendje të demonstronte se vendi mund t’i lejojë vetes të drejtojë politika shumë më bujare përsa i takon mirëqënies sesa kishin lejuar më parë qeveritë e qendrës së djathtë apo ato të së majtës.

Ndryshe nga Europa Perëndimore, punëtorët në vendet V4 në të vërtetë kishin gëzuar rritje pagash që nga vitet e para të transformimit dhe dukeshin ende kryesisht të pa shqetësuar nga globalizimi ose ndryshimi teknologjik.

Megjithatë, konvergjenca me Europën Perëndimore ishte ngadalësuar që nga kriza financiare globale dhe shumë punëtorë dhe të varfër ruralë menduan se pasuria e re nuk ishte ndarë në mënyrë të drejtë.

E majta kishte vazhduar të ruante besimin e saj te buxhetet e balancuara dhe investimet e huaja, edhe kur modelit po i mbaronte vrulli. Populistët e djathtë ishin shumë më të shpejtë në ndryshimin e kursit, duke blerë mbështetje nëpërmjet shpenzimeve të mëdha, ndërsa heshtnin pakënaqësinë ndaj investitorëve të huaj dhe elitave post-komuniste të biznesit (edhe nëse kjo zhvendosje shpesh ishte më shumë retorike sesa reale).

Në momentin që e djathta populiste ndoqi këtë rrugë, e majta e pati të vështirë ta vazhdonte atë.

Disa liderët të majtë, si Fico dhe kryeministri i CSSD-së Bohuslav Sobotka, u përpoqën ta bënin këtë, duke rritur shpenzimet sociale, duke kritikuar investitorët e huaj për pagat e ulëta dhe duke kërcënuar vendosjen e taksave speciale. Megjithatë, kjo dukej gjithmonë si diçka që bëhej me gjysmë zemre dhe me vonesë, dhe të dy liderët ishin në koalicione ku ishte e vështirë të çoje para masat më radikale.

Rritja e politikës së identitetit

Jarosław Kaczyński dhe Viktpr Orban. Foto: Wikimedia Commons.

Emigrimi masiv ka qenë sfida tjetër e madhe me të cilën është përballur e majta këtë dekadë.

Disa parti të majta, veçanërisht CSSD-ja çeke dhe MSZP-ja hungareze, fillimisht morën një qasje liberale socialdemokrate të Europës Perëndimore për këtë problem, ndërsa SLD-ja polake dhe SMER-SD-ja e Sllovakisë morën një qëndrim më nativist.

Por përfundimisht klima politike u bë aq helmuese saqë të gjithë socialdemokratët e V4 u bënë armiqësor ndaj emigracionit, edhe pse asnjë nga vendet nuk ishte shënjestër dhe vetëm Hungaria ishte në rrugën e tranzitit.

E majta u bashkua me të djathtën radikale për të refuzuar përpjekjet e BE-së për të rishpërndarë azilkërkuesit me kuota dhe për të kërkuar masa më të ashpra për të parandaluar mbërritjen e refugjatëve në BE.

Por kjo ishte një çështje që i përshtatej natyrshëm axhendës populiste të krahut të djathtë, duke simbolizuar konkretisht kërcënimin e supozuar të jashtëm për kombin dhe sovranitetin e tij. Ndryshimet e vonuara nuk i dhanë asnjë votë të majtës dhe thjesht e bënë atë të dukej e dobët.

Kur e majta u përpoq të përdorte çështjen e emigracionit si armë, ajo shpesh konstatonte se kjo ishte një thikë me dy presa dhe ofronte shumë pak përfitime.

Kryeministri sllovak Robert Fico u treguar pothuajse aq i shpejtë sa Orbani i Hungarisë për të parë potencialin elektoral të fushatave kundër emigracionit. Kritikët thonë se ai shfrytëzoi racizmin dhe islamofobinë në ndihmë për rizgjedhjen e tij në 2015, por kjo taktikë solli gjithashtu forcimin e partisë neo-fashiste LSNS, e cila doli e treta në zgjedhje me tetë për qind të votave.

Fico thjesht e kishte zhvendosur fushën e betejës elektorale në çështjen e preferuar të së djathtës ekstreme. Në zgjedhjet e vitit 2020, taktika e Fico-s nuk funksionoi për herë të dytë, pasi të gjitha partitë tani po bënin fushatë kundër emigracionit.

Në Çeki, Hungari dhe Poloni, e majta i kishte futur vendet e tyre në BE në vitin 2004 dhe mbetej më pro-BE-ja nga partitë kryesore. Vetëm në Sllovaki e majta mori një qëndrim më ambivalent, edhe pse SMER-SD u bë më entuziaste pasi e çoi vendin në Eurozonë në 2009.

Tani, ndërkohë që e djathta radikale dhe ajo tradicionale nxituan të fajësonin Brukselin për asistim të emigrantëve (dhe favorizimin e pakicave vendase), social demokratët u kritikuan si tradhtarët lokalë të Brukselit, ndërsa e djathta paraqitej si mbrojtëse e popullit dhe sovranitetit.

E djathta radikale i bashkoi të gjitha këto shqetësime, duke përdorur frikën për humbjen e identitetit, për ta shndërruar pakënaqësinë ekonomike në një çështje nacionaliste. Edhe më shpejt sesa në Europën Perëndimore, partitë social demokrate të V4 zbuluan se baza e tyre e përbërë nga të varfërit dhe klasa punëtore u shkatërrua.

Ky trend ishte edhe më shqetësues për social demokratët e V4, pasi ata shpesh nuk kishin arritur të tërhiqnin një numër të rëndësishëm votash nga klasa e mesme, përveç punonjësve të sektorit publik. Profesionistët urbanë kanë qenë të prirur të votojnë për partitë liberale ose të djathtën të qendrës, me më radikalët që zgjedhin partitë e reja alternative siç janë Piratët (në Republikën Çeke) ose parti të vogla të reja liberale/të majta (në tre vendet e tjera).

Humbja e klasës punëtore do të nënkuptonte pra vdekje politike, sepse e majta varet gjithnjë e më shumë nga votuesit e moshuar të cilët po ndërrojnë jetë.

Një nga kontrastet më të mëdha me Europën Perëndimore është se sondazhet e kryera tek të rinjtë zakonisht e tregojnë të majtën si të parëndësishme, me votuesit e rinj urbanë që shpesh preferojnë parti liberale ose të reja progresive, ndërsa të rinjtë rurale votojnë për populistët ose të djathtën ekstreme. Për të rinjtë, në vend që të shihet si një alternativë progresive, e majta konsiderohet thjesht si një pjesë e establishmentit të vjetër të korruptuar.

Drejt një të majte të re

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri i ri slloven Janez Jansa.

Kjo dobësi në mesin e profesionistëve urbanë dhe të rinjve reflekton pjesërisht faktin se social demokratët e V4 kanë qenë të ngadaltë për të përqafuar çështjet e Gjelbra ose problemet gjinore dhe shpesh paraqiten më konservatorë sesa partitë e qendrës.

Strukturat e partisë mbeten të dominuara nga aktivistët e vjetër, shumë prej të cilëve ishin ish-komunistë. Liderët përpiqen të kontrollojnë tensionin midis mbështetësve tradicionalë të klasës punëtore të partive dhe simpatizantëve më të rinj, më të arsimuar dhe progresivë urbanë.

Të dy ish-partitë komuniste që kanë ndërruar emër, SLD-ja e Polonisë dhe MSZP-ja e Hungarisë, e mishërojnë këtë tension.

SLD-ja mbajti një mentalitet establishmenti deri në humbjen e saj katastrofike në 2005, edhe pse partia tani është zhvendosur në të majtë si pjesë e grupit parlamentar Noëa Leëica Razem.

Ndryshe nga kjo, Partia komuniste Socialiste e Punës e Hungarisë kishte udhëhequr tranzicionin demokratik dhe partia e saj pasuese, MSZP, kishte gjithnjë një krah të fortë progresiv. Megjithatë, shumë nga figurat kryesore të saj, përfshirë ish-kryeministrin Ferenc Gyurcsany, janë ndarë që nga viti 2010 dhe partia e tij Koalicioni Demokratik aktualisht renditet më mirë sesa MSZP-ja.

Si për ironi, është në ish-Çekosllovaki, ku partitë social demokrate janë të reja ose rilindin, ku idetë më progresive të krahut të majtë kanë bërë më pak progres, ndoshta për shkak të suksesit më të gjatë dhe më të qëndrueshëm të së majtës.

CSSD-ja çeke vazhdon të përçahet nga një konflikt midis social demokratëve progresivë të stilit europian perëndimor si ish-kryeministri Sobotka dhe tradicionalistëve si presidenti aktual Milos Zeman. Është ende e paqartë se cilën rrugë do të marrë partia.

Si partia më e re social demokrate, SMER-SD e Sllovakisë është më tradicionale për çështje kulturore, madje u bashkua me LSNS-në neo-fashiste në shkurt për të votuar ratifikimin e Konventës së Stambollit për të drejtat e grave.

Retorika raciste e liderit të SMER-SD Robert Fico dhe bashkëpunimi me partitë radikale të krahut të djathtë ka bërë që partia të jetë më e veçuar midis social demokratëve të rajonit dhe e ka bërë që ajo të jetë dy herë në prag të dëbimit nga grupi i Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Europian.

Megjithatë, SMER-SD ka qenë gjithashtu më e suksesshmja nga partitë social demokrate të V4 gjatë dy dekadave të fundit.

Fico mësoi nga Orbani dhe trajtoi shqetësime të ngjashme edhe me retorikë të mprehtë. Por dështimi i SMER-SD për të marrë vota nga votuesit e rinj profesionistë urbanë apo për të ruajtur bazën e saj të votuesve urbanë më të varfër dhe më pak të arsimuar në zgjedhjet e muajit të kaluar, tregon se përpjekja për të mposhtur populistët e krahut të djathtë në lojën e tyre nuk funksionon në Europën Qendrore, në të paktën jo në planin afatgjatë.

shpresa kryesore për të majtën duket se janë koalicionet me partitë e tjera PROGRESIVE, si në Poloni dhe Hungari, ku social demokratët mund të ofrojnë rrjetet dhe përvojën e fortë të partive të tyre.

Bashkëpunimi gjithashtu mund të ndihmojë në lëvizjen e partive drejt një qasje më moderne europiane drejt çështjeve kulturore dhe racore. Një platformë me një politikë ekonomike më të majtë, së bashku me politika sociale më progresive, si dhe mbështetje për BE-në, mund të sjellin ende një mbështetje të rëndësishme – ose pakicë.

Një zhvendosje e tillë do të jetë e dhimbshme dhe mund të çojë në ndarje apo edhe shpërbërje të partive të vjetra dhe krijimin e formacioneve të reja si në Poloni.

Në disa vende, të tilla si Republika Çeke dhe Sllovakia, e majta gjithashtu duket se nuk ka aleatë të mundshëm për të realizuar një program të tillë. Por të menduarit radikal dhe masat drastike duket se janë e vetmja mënyrë sipas të cilës demokracia sociale do të mbetet e rëndësishme në Europën Qendrore.

Marrë nga BIRN

Shto Koment