Aktualitet

Dekriminalizimi, ministrja Gjonaj ‘mban peng’ dosjen për kryebashkiakun Qerim Ismailaj

Partia Demokratike, e cila e inicioni procesin, duket se e ka “harruar” betejën për të identifikuar kryebashkiakët dhe zyrtarët e tjerë me të shkuar kriminale.
Featured image of article: Dekriminalizimi, ministrja Gjonaj ‘mban peng’ dosjen për kryebashkiakun Qerim Ismailaj Qerim Ismailaj, kreu i Bashkisë Mallakastër

TIRANË- Pesë muaj pas akuzave publike, sipas të cilave kryebashkiaku i Mallakastrës ka shkelur ligjin “Për Dekriminalizimin”, asgjë nuk ka lëvizur. Qerim Ismailaj vijon të jetë në krye të punëve lokale, në zyrën e bashkisë. Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka nisur verifikimet që në Janar 2020, ende nuk ka një konkluzion. Partia Demokratike, e cila e inicioni procesin, duket se e ka “harruar” betejën për të identifikuar kryebashkiakët dhe zyrtarët e tjerë me të shkuar kriminale.

Qerim Ismailaj mban detyrën e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës që prej votimeve mono-partiake të 30 Qershorit 2019. Në Janar 2020, Partia Demokratike në opozitë publikoi disa fakte, të cilat, sipas saj, dëshmonin se Qerim Ismailaj ishte dënuar në Greqi me 3 vjet burg, në vitin 2000. Sipas dokumentave të siguruara nga PD, kryetari i Bashkisë së Mallakastrës ishte shpallur fajtor dhe dënuar për rrahje (plagosje). Ky dënim nuk rezulton i deklaruar nga Qerimaj në formularin e ‘Dekriminalizimit”, dorëzuar prej tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Qerimaj, i vendosur nën akuzë publike, mohoi deklarimet e opozitës, duke u shprehur në media se “nuk kam asnjë dijeni për dënim”. Në vijim të këtyre deklarimeve, Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimet në zbatim të ligjit të “Dekriminalizimit”. Qerim Ismailaj u detyrua të paraqesë shenjat e gishtërinjve, të cilat do t’i bashkoheshin kërkesës së Prokurorisë Shqiptare drejtuar autoriteteve greke, për të verifikuar nëse kryebashkiaku aktual i Mallakastrës ka qenë apo jo i dënuar në shtetin fqinj. Prej asaj kohe, nuk ka pasur asnjë zhvillim, megjithëse procedura e marrjes së përgjigjes, në rastet rutinore, nuk zgjat më shumë se 3 muaj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Por, për Qerim Ismailajn duket se procedurat po zgjasin përtej çdo afati normal për një verifikim të thjeshtë. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme deklaruan për “Boldnews.al” se ende nuk kanë marrë përgjigje nga autoritetet greke mbi dyshimet e ngritura publikisht. E dhëna, e siguruar nga Partia Demokratike, nuk duket se ishte e vështirë për t’u siguruar. Ndaj, edhe fakti që Prokuroria e Përgjithshme nuk e ka marrë ende një përgjigje për Qerim Ismailaj, ngre një pikëpyetje edhe mbi kanalet zyrtare të përcjelljes së informacionit.

Të gjitha kërkesat për ndihmë juridike të Prokurorisë Shqiptare në drejtim të autoriteteve të huaja dhe anasjelltas, kalojnë më parë nga Ministria e Drejtësisë. “Boldnews.al” nuk arriti të siguronte një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, nëse pranë saj ka mbërritur përgjigja e autoriteteve greke mbi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për rastin e Qerim Ismailaj. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ka lënë mënjanë nxitjen dhe presionin politik mbi institucionet shtetërore, për të aktivizuar procesin e nisur dhe ende të papërfunduar për kryebashkiakun e Mallakastrës. Qerim Ismailaj po përfundon vitin e parë të mandatit të siguruar në 30 Qershor.

(Marrë nga Bold News)

Shto Koment