Politike

Zaev përsërit thirrjen e fortë: Nëse s’ka datë për negociatat, bie qeveria

Nëse Franca nuk zbut qëndrimet e prera ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas Kryeministrit Zaev, mesazhi për rajonin do të jetë dekurajues.
Featured image of article: Zaev përsërit thirrjen e fortë: Nëse s’ka datë për negociatat, bie qeveria Zoran Zaev

MAQEDONI E VERIUT- “Nëse liderët e BE-së marrin një vendim negativ për fillimin e negociatave, qeveria e Maqedonisë së Veriut do të jetë e vdekur”. Kështu, ka deklaruar në Vjenë, në një deklaratë për Agjencinë serbe të lajmeve TANJUG kryeministri Zoran Zaev.

“U premtuam deputetëve, u thamë të votojnë për ndryshimin e emrit, për ndryshimin e kushtetutës, për të pranuar Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, për shkak se BE-ja na premtoi se do të ketë një datë për negociata, e jo menjëherë të bëhemi anëtare. Në këtë drejtim besoj se do të mbajnë llogari të mos u lënë hapësirë palëve të treta  dhe nuk do të lejojnë që të kthehet nacionalizmi radikal në vend”, u shpreh Zaev.

Nëse Franca nuk zbut qëndrimet e prera ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas Kryeministrit Zaev, mesazhi për rajonin do të jetë dekurajues.

“Nëse e dënojnë shembullin më të mirë, si do ta motivojnë Vuçiçin, Thaçin në Kosovë ose Bosnjë e Hercegovinën. Në rajonin tonë interesa kanë Turqia, Rusia dhe Kina. Por ata nuk ofrojnë sundim të së drejtës dhe demokraci, këtë e kemi parë dhe duam demokraci”, tha kryeministri Zaev.

Teksa ka komentuar takimin e djeshëm ministror në Luksemburg, Kryeministri Zaev ka shprehur keqardhje që Ministrat e BE-së nuk kanë pasur guxim të mjaftueshëm që të marrin një vendim për të motivuar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ministrat e Jashtëm të BE janë mbledhur dje në Luksemburg për të përgatitur draftin me konkluzionet kryesore në axhendë për samitin e 17-18 Tetorit, ku do të vuloset edhe fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nëse do të hapen apo jo negociatat. Mbledhja e djeshme nuk ka pasur asnjë rezultat. Hahn tha se kundër janë 3 vende dhe po punohet me to.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment