Politike

Deputetët holandezë: Rikthimi i vizave për Shqipërinë është i parealizueshëm, luftoni krimin

  • Balla: Kriminaliteti s’kanë ngjyrë dhe atdhe, ta luftojmë bashkë
  • Hajdari: Opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave
  • Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi gjatë dëgjesës se shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë po demonizohen nga mediat, ndërsa kriminelët nuk kanë as ngjyrë dhe as atdhe.

    HOLANDË– Rikthimi i vizave për Shqipërinë, është diçka e parealizueshme! Ky konfirmim vjen nga vetë deputetët holandez të Komisionit për çështjet e BE, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me deputët e shqiptarë.

    Në këtë seancë ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Rudina Hajdari dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë Adia Sakiqi. Ata janë shprehur të vetëdijshëm se një gjë e tillë, nuk mund të realizohet, por e interpretuan si një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.

    Kjo seancë dëgjimorë u vlerësua nga Kryetari i Komisionit Weldman si e hapur dhe mjaft e dobishme për vazhdimin e dialogut dhe për të informuar mbi përpjekjet reale që po bën Shqipërisë për realizimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe meritimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.

    Deputetet e Komisionit kërkuan vlerësimin e delegacionit shqiptar nëse është apo jo gati Shqipëria për hapjen e negociatave.

    “Po, Shqipëria është gati për çeljen e negociatave në qershor sepse i ka bërë në mënyrë shembullore detyrat e saj të shtëpisë. Me reformën në drejtësi, si kryereforma e integrimit, Shqipëria ka dhënë një shembull jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet e BE-së.”, u përgjigj Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci.

    Ndërsa Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Rudina Hajdari nënvizoi se “Si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë. Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor. Hapja e negociatave do t’i japë impulse të reja bashkëpunimit të Shqipërisë me Holandën dhe vendet e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.”

    Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi se “Ne politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë përceptimin mediatik nga perceptimi real i njerëzve për kriminalitetin. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media. Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet tí luftojmë bashkarisht dhe qeveritë dhe policitë e Shqipërisë dhe Holandës po bëjnë pikërisht këtë.”

    Marrë nga Shqiptarja.com

    Shto Koment