Sport

Dede kërkon kohë për Tiranën, Dovedan i zhgënjyer që nuk fitoi…

Dede: "Aktualisht kemi pak alternativa dhe për këtë dua të jem i sinqertë. Në momentin që do të kthehen të gjithë lojtarët, do jenë të qarta edhe qëllimet tona"
Featured image of article: Dede kërkon kohë për Tiranën, Dovedan i zhgënjyer që nuk fitoi…

TIRANE – Trajneri i bardhebluve Nevil Dede nuk arriti të marrë fitoren, as në ndeshjen e dytë në pankinën e Tiranës. Në përfundim të ndeshjes ndaj Bylisit, në emisionin “Gol pas Goli”, ai pranoi se skuadra po vuan shumë mungesat e disa prej titullarëve dhe se do t’i duhet kohë për ndërtimin e saj.

“Në pjesën e parë nuk u shprehëm si duhet, pavarësisht se kishim dy raste. Më pas skuadra ra në presion dhe kjo na solli këtu. Në pjesën e dytë ishim më ndryshe, ndërruam vendosje dhe ishim më potentë, megjithatë djemtë meritojnë komplimente. Nuk është e arsyeshme të them problemet që janë, por e rëndësishme është të na kthehen lojtarët. Të rikuperojmë sa më shpejt lojtarët, Toshevskin, Torasën, Kale etj. Mund të jemi më solidë dhe mund të imponohemi me futbollin tonë. Duhet të këmbëngulim, por duhet të ndryshojmë disa gjëra të tjera. Aktualisht kemi pak alternativa dhe për këtë dua të jem i sinqertë. Në momentin që do të kthehen të gjithë lojtarët, do jenë të qarta edhe qëllimet tona. Duhet kohë, për gjithçka. Koha është e paktë, ndeshjet shumë të ngjeshura, numri i lojtarëve të pakët, sidomos ata me eksperiencë,”- deklaroi trajneri i bardhebluve të Tiranës, Nevil Dede

Ndërsa Bylisi ia doli të frenojë kampionët e Tiranës në “Selman Stërmasi” dhe ia arriti të marrë një pike, trajneri i ballshiotëve Veljko Dovedan, ndihet keq për rastet e humbura në prononcimin e dhënë për “Supersport”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Më zhgënjyen pak rastet që humbëm, kishim 3-4 raste për të bërë gola. Luajtëm më mirë se Tirana. Jam shumë i sigurt që ishte penallti rasti i Vangjelit, por duhet të kishim shënuar gol. Më kënaq një pikë, por nuk kënaqem nga ndeshja që u luajt. Tirana nuk kishte asnjë rast të pastër, ndërsa ne krijuam 4 raste klasike”,- deklaroi Dovedan.

B.T (Dosja.al)

 

Shto Koment