
TIRANË– Dosja.al ka siguruar dokumentat që “hedhin dritë” mbi përplasjes mes Prokurorisë dhe Postës Shqiptare lidhur me debatin për shenjat e gishatve të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut.
Bazuar në dokumentet dhe datat e tyre, Dosja.al mëson se thirrja e Prokurorisë për gjurmët e gishtave të Kajmakut është nisur nga Posta Shqiptare që më datë 26 gusht. Por kërkesa e organit të akuzës nuk ka pasur për destinacion Bashkinë Vorë apo banesën e Kajmakut, por Prezën.
E nisur nga Tirana më datë 26 gusht, kërkesa mbërriti në Prezë më datë 27, ku nuk u pranuar dhe u kthye pas për t’u postuar në adresën e vendosur në letër, atë të Bashkisë Vorë.
Pasi letra e postuar mbërrin në Vorë, mbahet një ditë atje dhe më pas niset tek zyra e kryebashkiakut Kajmaku më datë 29, pas plot 72 orësh.
Mister mbetet fakti se përse letra që organi i akuzës ka nisur për Kajmakun është nisur fillimisht drejt Prezës. Ndërkohë që Posta në reagimin e saj, gënjeu duke u shprehur se Kajmakut i ishte dërguar letra, për arsye që ende nuk dihen.
Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme ka treguar të gjitha veprimet që kishte bërë për çështjen e Kajmakut, duke u shprehur se Posta Shqiptare kishte ngatërruar adresën. Menjëherë reagoi edhe Posta Shqiptare, e cila deklaroi se dërgesa e Prokurorisë është dërguar në zyrën e kryebashkiakut Kajmaku brenda 72 orësh dhe është firmosur nga sekretarja.
(k.m/dosja.al)