Sport

Cungu: “Barazimi i drejtë, nuk është tragjedi që morëm një pikë me Partizanin”

"Kundërshtari në fillim na vuri në vështirësi, pastaj morëm frenat e lojës në dorë. Kishim mundësi të fitonim, por mund ta humbnim edhe ndeshjen në fund, te rasti i Bardhit”
Featured image of article: Cungu: “Barazimi i drejtë, nuk është tragjedi që morëm një pikë me Partizanin”

ELBASAN – Trajneri i skuadrës kurbinase të Laçit, shkodrani Armando Cungu e vlerëson paraqitjen e skuadrës së tij në “Elbasan Arena” ndaj Partizanit. Ai pranoi se nga mënyra si u zhvillua loja, edhe mund ta humbte në fund ndeshjen, ndonëse sipas tij, laçianët ishin më afër fitores, në këtë takim të javës së 3-të të kampionatit.

“Ekipi ishte në gjendje të mirë fizike. Ishim më afër fitores për atë çfarë dhamë. Kundërshtari në fillim na vuri në vështirësi, pastaj morëm frenat e lojës në dorë. Kishim mundësi të fitonim, por mund ta humbnim edhe ndeshjen në fund, te rasti i Bardhit.”

Mungesat? “Grupi nuk ka qenë i plotë, janë konsumuar shumë lojtarë. Nuk kishim në dispozicion Deliun. Ekipi tregoi ritëm, shpirt gare dhe luftë. Më pëlqeu në përgjithësi ekipi, pavarësisht ndonjë individi. Lojtarët duan kohën e vetë për t’u përshtatur me ekipin me mënyrën e lojës dhe mentalitetin”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Presioni? “Kam qenë i mërzitur pas ndeshjes me Kastriotit. Na u bë si sindromë, edhe në Europë na ndodhi e njëjta gjë në fund. Nuk besoj që ka trajner që s’ka presion. Duhet të vazhdojmë punën si profesionistë”.

Barazimi i drejtë? “Duhet të ishim më afër fitores, gjithësesi barazimi rezultat i drejtë. Partizani ka shumë cilësi. Është ekip i fortë dhe shumë konkurrent. Nuk është tragjedi që morëm vetëm një pikë me Partizanin, duke ditur edhe vështirësitë që kemi pasur. I duruar, i fituar. Duhet qetësi për të rikthyer Laçin që dëshirojmë dhe kërkojmë”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment