Sociale

CRCA akuza gjykatave: Po mbroni pedofilët, zvarrisni proceset për fëmijët e dhunuar seksualisht. ILD të ndërhyjë

Në një deklaratë për mediat shprehet se gjykatat po zvarrisin proceset ndaj fëmijëve të dhunuar seksualisht
Featured image of article: CRCA akuza gjykatave: Po mbroni pedofilët, zvarrisni proceset për fëmijët e dhunuar seksualisht. ILD të ndërhyjë Logo e CRCA

TIRANË–  Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (ACA) dhe CRCA/ECPAT në një deklaratë për mediat shprehet se gjykatat po zvarrisin proceset ndaj fëmijëve të dhunuar seksualisht. Më tej në deklaratë këto organizata shprehen se Gjykatat po mbrojnë pedofilët dhe kërkojnë urgjentisht nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë që të ndërhyjë.

Të monitorojnë procesin gjyqësor në ngarkim të mësuesit të akuzuar me iniciale M.D në Gjirokastër dhe performancën e të dyja institucioneve, Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër”, është kjo kërkesa për ILD.

DEKLARATA E PLOTË

Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (ACA) dhe CRCA/ECPAT Shqipëri me anë të kësaj deklarate publike kërkojnë të shprehin indinjatën e tyre, në lidhje me zvarritjen e procesit gjyqësor që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër po i bën gjykimit të rastit të një vajze 12 vjeçare, e cila ka akuzuar mësuesin e saj se e ka dhunuar seksualisht përgjatë një periudhe 3 vjeçare. Ne mendojmë se si Prokuroria ashtu edhe Gjykata e Rrethit, kanë bërë gabime thelbësore në trajtimin dhe gjykimin e një vepre penale, pasojat e së cilës i vuan një fëmijë, familja e saj dhe komuniteti. Nga vëzhgimet tona janë evidentuar disa shkelje flagrante, të cilat fillojnë nga lënia e lirë e të pandehurit, duke e lënë atë të jetojë në të njëjtin komunitet ku ka ndodhur krimi, deri tek zvarritja e procesit në mënyrë të pajustifikueshme, duke treguar se si Prokuroria ashtu dhe Gjykata në Gjirokastër nuk kanë vendosur interesin më të lartë të fëmijës në qëndër të të gjitha veprimeve hetimore dhe gjyqësore që janë ndërmarrë deri më tani.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Të gjitha këto gabime thelbësore kanë lejuar sot që një i dyshuar për pedofili të përfitojë nga drejtësia duke u gjykuar i lirë, duke vendosur në rrezik edhe për shumë fëmijë të tjerë. Nuk është hera e parë që drejtësia në Shqipëri i braktis fëmijët dhe nuk i mbron ata nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë. Të dhënat nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë tregojnë se gjykatat arrijnë të japin dënime vetëm për 44% të rasteve të dhunës seksuale në Shqipëri. Procesi gjyqësor në ngarkim të mësuesit M. D, të akuzuar për dhunë seksuale me të mitur në vitin 2018, me ligj duhet të përfundonte sa më shpejt! Por, e vërteta është se ky proces gjyqësor është shtyrë 35 herë dhe kjo nuk ka ardhur për shkak të viktimës, që do të ishte e mirëkuptueshme, por për shkaqe të pajustifikueshme.

Kjo na shtyn të besojmë se si Prokuroria ashtu edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër nuk janë duke mbrojtur interesat e viktimës, por përkundrazi kanë vendosur të bëhen palë me pedofilët dhe grabitqarët seksualë në Shqipëri. Përsa më sipër në kërkojmë urgjentisht nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë i sapo emëruar dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor: – Të monitorojnë procesin gjyqësor në ngarkim të mësuesit të akuzuar me iniciale M.D në Gjirokastër dhe performancën e të dyja institucioneve, Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër; – Të hetojnë në mënyrë të menjëhereshme Gjykatësin paraprak A.D dhe Gjyaktësen B.C, e cila po ndjek aktualisht procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit M.D, për të kuptuar se përse janë kryer të gjitha këto zvarritje, si dhe pasojat e saj mboi viktimën, familjen dhe komunitetin ku ajo jeton.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment