Aktualitet

COVID-19/Shqiptarët të pabindur, Policia: 25 shoferëve u është hequr patenta, 94 qytetarë janë gjobitur

Policia u ka hequr patentën 25 shoferëve dhe ka gjobitur 94 qytetarë, pasi nuk i janë bindur masave të marra nga qeveria për COVID-19.
Featured image of article: COVID-19/Shqiptarët të pabindur, Policia: 25 shoferëve u është hequr patenta, 94 qytetarë janë gjobitur Foto, policia në rrugë

Tiranë- Policia e Shtetit në 24 orët e fundit ua ka hequr patentën 25 shoferëve dhe u ka bllokuar mjetet, pasi kanë shkelur urdhrin e ndalin qarkullimit. Policia ka ndëshkuar me 10.000 lekë gjobë 89 qytetarë, pasi lëvizinin pa ndonjë arsye emergjente. Po kështu janë gjobitur me 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 qytetarët pasi lëviznin nëpër parqet e qyteteve.

Njoftimi i Policisë:

 Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë evidentuar 25 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 89 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

5 shtetas janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 13 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Duke filluar nga dita e hënë, nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shtëtije, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndërkohë, në Shqipëri janë 212 persona të infektuar me Covid-19 dhe numri i viktimave ka shkuar në 10. 40 nga të prekurit janë shëruar, por harta e infektimit është zgjeruar. Mirdita i është bashkuar listës së fundmi, me 1 të infektuar, ndërsa epiqendra është në Tiranë me 121 të infektuar. 4 pacientë tek Infektivi ndodhen në intubim. Autoritetet kanë vetëm një thirrje për qytetarët: Qëndroni brenda!

J.V/Dosja.al

Shto Koment