Aktualitet

COVID-19 nuk ndalet, shënohen edhe 6 viktima të tjera/ Vdes mjeku nga Tropoja dhe elektriçisti në Shkodër, MSH: Vaksinim falas për gripin e stinës për kategoritë e rrezikuara (ZHVILLIMET)

2 viktima, 120 të shtruar në spital dhe 18 persona në terapi intesive. Ky është bilanci i deritanishëm për ditën e sotme në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot vaksinim falas për gripin e stinës për të gjitha kategoritë e rrezikuara. 
Featured image of article: COVID-19 nuk ndalet, shënohen edhe 6 viktima të tjera/ Vdes mjeku nga Tropoja dhe elektriçisti në Shkodër, MSH: Vaksinim falas për gripin e stinës për kategoritë e rrezikuara (ZHVILLIMET) Anton Cuni e Anibal Byberi dhe COVID-19

TIRANË– Gjashtë pacientë të tjerë humbën jetën nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në vend. Në mesin e tyre ishin edhe Anton Cuni, 28 vjeç e Anibal Byberi, 53 vjeç . 28-vjeçari me profesion elektriçist pranë degës së OSHEE në Shkodër dhe Byberi, mjek pneumolog e humbën betejën me virusin, duke e çuar numrin e viktimave në 167.

Situata nuk është optimiste edhe në të të dy spitalet COVID-19 në Tiranë. Numri i rasteve të reja nga dje është 123, në një total prej 5519 persona të infektuar, me një numër prej 2335 raste aktive. Ndërkohë që numri i të shtruarve është 120, 18 prej të cilëve janë në terapi intesive, ndërsa 6 pacientë janë në intubim.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Frika për një përzierje të COVID-19 dhe gripit ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të marrë masat për vaksinimin e popullatës. Kështu, kategoritë e rrezikuara si personat me sëmundje të forta bashkëshoqëruese, fëmijët deri në 2 vjeç dhe pensionistët do të përfitojnë falas vaksinën e gripit të stinës.

(F.g/dosja.al)

  • 16:44

    6 viktima dhe 101 raste pozitive nga COVID-19 në Shqipëri, MSH: Më të prekurit i përkasin grupmoshës 55-64 vjeç, shtrimi në spitale rritet me 5.9%

    Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, humbën jetën nga COVID-19, edhe 6 pacientë të tjerë, duke e çuar numrin e viktimave në 172. Luftën me virusin e humbun mjeku penumolog nga Tropoja, Anibal Byberi, elektriçisti nga Shkodra, Anton Çuni, një 68-vjeçare nga Tirana, një 71-vjeçar nga Kurbini, një 79-vjeçar nga Durrësi, si dhe një 77-vjeçar nga Shkodra.

    Gjithashtu u konfirmuan edhe 101 raste të reja me COVID-19

    .

    Flutura Beqo, Ministria e Shëndetësisë
  • 12:10

    MSH merr vendimin: Vaksina e gripit do të jetë falas për të gjithë kategoritë e rrezikuara

    Vaksina e gripit do të jetë falas për të gjithë kategoritë e rrezikuara. Lajmi është dhënë nga Silva Bino, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik. Kjo e fundit theksoi se kategoritë e riskut janë personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, mësuesit, kujdestarët e fëmijëve dhe fëmijët nga mosha 2 deri në 5 vjeç.

    “Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëhkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid19”, tha Bino.

    Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se po merren të gjitha masat për përballimin e situatës vjeshtë-dimër.

    “Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina përsa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.

    Gjatë inspektimit të investimit të qeverisë shqiptare për zinxhirin ftohës për ruajtjen e vaksinave më IShP, ministrja theksoi se sipas strategjisë dhe planit të veprimit po forcohen kapacitetet e testimit dhe paralelisht po rriten kapacitetet përsa i përket programit të vaksinimit.

    “Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve. Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona përsa i përket situatës së Covid19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona përsa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurit, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e riskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, u shpreh ajo.

  • 12:08

    Tragjike! Humb jetën nga COVID-19 elektriçisti në Shkodër, OSHEE: Virusi s’njeh moshë, i mori jetën kolegut tonë padrejtësisht (EMRI+FOTO)

    Anton Cuni, i riu qe humbi jeten nga COVID-19

    Një 28-vjeçar nga Shkodra është bërë viktima e 168-të e COVID-19 në vendin tonë. Anton Çuni 28 vjeç si elektriçist pranë shërbimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shkodër. Lajmi bëhet i ditur nga vetë OSHEE në këtë qytet, që ka ngushëlluar familjen në rrjetet sociale.

    “Virusi nuk njeh moshë, aq më tepër profesion… Padrejtësisht i mori jetën kolegut tonë, elektricistit 28-vjeçar, Anton Çuni. Me hidhërim të madh, të pikëlluar, i shprehim ngushellime të sinqerta familjes, të afërme dhe miqve 😢 U prehtë në paqe”, -shkruan OSHEE.

    Anton Çuni është një nga viktimat me moshën më të re të COVID-19 në Shqipëri. Një vajzë 21-vjeçare humbi jetën më 15 korrik nga virusi, ndërsa më herët vdiq edhe një 34-vjeçare. Sot vdiq pa mundur të fitojë betejën me virusin edhe mjeku nga Tropoja, Anibal Byberi. Situata vazhdon të jetë e rëndë në të dy spitalet COVID, ku numri i të shtruarve është 120, 18 në terapi, ndërsa 6 pacientë janë në intubim. Në total numri i të infektuarve është 5519, 2335 prej të cilëve janë aktivë.

  • 12:08

    VIDEO/ ‘Nuk kemi pasur asnjë rast pozitiv tek Onkologjiku’, mjekja apel për qytetarët: Mbrohuni në këto tri forma

    Mjekja e Shërbimit Onkologjik në QSUT, Dhurata Tarifa ka bërë një apel të gjithë qytetarëve që të mbajnë maska, të ruajnë distancimin social dhe të mbajnë higjienën personale. Gjatë fjalës së saj ajo ka theksuar se deri më tani në shërbimin Onkologjik nuk ka pasur asnjë rast me COVID-19.

    Në një video shpërndarë në rrjetet sociale nga ministria e Shëndetësisë, mjekja thekson: “Prej 6 muajsh po bashkëjetojmë me një virus të padukshëm shumë virulent. Në mungesë të një vaksine për të luftuar këtë virus mbetet opsioni i vetëm, mbrojtja. Mbrojtja është në tre forma. Së pari, vendosja e një maske e cila duhet të jetë shumë e puthitur në fytyrë. Së dyti është distancimi fizik. Dhe së treti është higjiena personale dhe ajo territoriale. Në shërbimin Onkologjimk deri më tani nuk kemi patur asnjë rast me COVID-19.”.

  • 12:08

    Kush është mjeku Anibal Byberi që mbërriti në gjendje të rëndë tek COVID-2, 53-vjeçari ka drejtuar spitalin e Tropojës

    Anibal Byberaj.

    Një tjetër mjek nuk ka mundur të fitojë betejën me COVID-19. Viktima e radhës është mjeku Anibal Byberi nga Tropoja, i cili qëndroi shumë pak orë në intubim. Ditën e djeshme ai mbërriti në gjendje të rëndë në spitalin Infektiv, ku aty u nda edhe nga jeta. Ministria e Shëndetësisë sqaroi se mjeku vuante nga sëmundjet, si psoriasis dhe obeziteti.  Sipas saj ai nuk mundi të mbijetojë si pasojë e insuficencës së rëndë respiratore.

    Kush është mjeku Anibal Byberi? 

    Anibal Byberi, 53-vjeç ka punuar mjek pneumolog në spitalin e Tropojës dhe ka mbajtur edhe postin e drejtorit të këtij spitali. Ai ka patur një reputacion shumë të mirë në qytet, aq sa vdekja e tij ka sjellë edhe reagimin e kreut të kryetarit të Bashkisë, Rexhë Byberi. Ky i fundit i ka dedikuar një status prekës mjekut Anibal Byberin, të cilin e kishte edhe kushëri. Ai shprehet se ndarja e tij nga jeta la pas dhimbje e lot.

    “Vdekja është një realitet makabër që nuk pranon as lutje e as përshpirtje. Le pas dhimbje e lot, pikëllim e trishtim. Por kur merr jetë në moshën më të mirë ajo bëhet e papërballueshme e tepër e vështirë. Kështu po e përjetoj sot ikjen tënde i dashur Dr.Anibal Byberi. Kushëri, shok e mik do na mungosh shumë. Të qoftë i lehtë dheu e shpirti yt pushoftë në Parajsë. Në qiell do ta vështrojnë shpirtin tënd të mirë familjarë, kushërinj, miq e dashamirës“, shkruan Rexhë Byberi.

  • 10:15

    MSH: Ishte i infektuar me COVID-19, vuante nga obeziteti dhe sëmundje të tjera

    Anibal Byberi, mjek

    MSH njofton se Anibal Byberi mbërriti në gjendje të rëndë në spitalin COVID-2 dhe u fut në intubim, por nuk mundi të mbijetojë. Sipas MSH-së mjeku vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. “Mjeku pneumolog 53 vjeçar, me origjinë nga Tropoja është konfirmuar pozitiv me virusin e rrezikshëm pak ditë më parë dhe vijonte trajtimin në banesë. Pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, mjeku Byberi është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku pavarësisht ndihmës së menjëhershme të ofruar nga stafi mjekësor, fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e insuficencës së rëndë respiratore.  Mjeku Anibal Byberi vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. Pas shumë vitesh punë në vendlindjen e tij, ka punuar për disa kohë si mjek në burgun 302, ndërsa aktualisht nuk ishte në punë, ndërsa këto ditë do të konkuronte në portalin “Mjekë për Shqipërinë”., njofton ministria. 

  • 10:06

    COVID-19 mbyll çerdhen nr.42 në Tiranë, edukatorja shkoi e infektuar në punë, ISHP ‘izolon’ kontaktet

    Një nga edukatoret e çerdhes nr.42 në Tiranë është konfirmuar me COVID-19. Për pasojë Instituti i Shëndetit Publik, ka urdhëruar mbylljen e çerdhes. Tamponi i është bërë edhe stafit të çerdhes, ku disa prej tyre mësohet se kanë rezultuar pozitivë. Nuk dihet nëse tamponi i është kryer edhe fëmijëve, por janë izoluar të gjitha kontaktet e ngushta të gruas.

    Edhe çerdhet pas spitaleve janë kthyer në një burim të rrezikshëm për infektimin me COVID-19. Që prej nisjes së pandemisë në muajin mars, janë dhjetëra kopështe në të gjithë vendin që janë mbyllur për shkak të pandemisë.

  • 09:08

    COVID-19/ Mjeku nga Tropoja humb jetën tek “Shefqet Ndroqi”, MSH: Vuante nga obeziteti, pësoi insuficencë respiratore

    Ndërron jetë nga COVID-19, mjeku Anibal Byberi. Mjeku pneumolog u paraqit dje në spitalin COVID2 në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u fut menjëherë në intubim. Por, edhe pas përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të fitonte betejën me COVID-19. Në lidhje me këtë vdekje, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se mjeku vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti.

    Anibal Byberaj, mjek

    MSH konfirmon se mjeku vdiq si pasojë e insuficencës së rëndë respitarore, ndërsa ishte konfirmuar pozitiv disa ditë më parë. Byberi ka qenë mjek në Tropojë, ka mbajtur dhe postin e drejtorit të spitalit të Tropojës, duke iu shërbyer qindra qytetarëve.

    Byberi është mjeku i tretë që ndërron jetë për shkak të COVID-19. Më herët ka ndërruar jetë pas infektimit, mjeku Arjan Pushi, i cili nuk nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Po kështu edhe mjeku Hysni Shkaju ka humbur betejën me koronavirusin. 69-vjeçari, me 40 vite eksperiencë si mjek, pati vështirësi në frymëmarrje dhe sipas ministrisë së shëndetësisë vuante dhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Shto Koment