Aktualitet

Shënohet viktima e 23-të nga COVID-19, shkon në 409 numri i të infektuarve, virusi prek dhe disa efektivë policie

409 të infektuar, 23 viktima dhe 165 të shëruar, ky është bilanci i COVID-19 në vendin tonë. Gjatë orëve të fundit janë shëruar edhe 11 persona të tjerë, ndërkohë që janë shënuar raste të reja vetëm në Elbasan dhe Tiranë. Ndërkohë mësohet se 6 policë në Tiranë janë të infektuar.
Featured image of article: Shënohet viktima e 23-të nga COVID-19, shkon në 409 numri i të infektuarve, virusi prek dhe disa efektivë policie Foto ilustruse

SHQIPËRI- Ka shkuar në 409 numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, ndërsa 165 prej tyre janë shëruar plotësisht nga pandemia covid-19. Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e reja duke treguar se 24 orët e fundit, 6 raste janë shtuar në Tiranë, dhe 3 të tjera në Elbasan. Ndërkohë që numri i viktimave ka shkuar në 23, pasi sot pasdite ka ndërruar jetë dhe një pacitent në Infektiv.

Deri më tani, në spitalin Infektiv janë shtuar 52 të infektuar, 5 prej të cilëve janë në terapi intensive. Ndërsa tek “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar, 5 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar. Ajo që bie në sy fakti se 53% e të infektuarve nga Covid-19  në vendin tonë janë meshkuj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë burime për Dosja.al kanë zbuluar detaje lidhur me të infektuarit e 24 orëve të fundit. Në Tiranë, të infektuar janë dhe 6 efektivë policie, ndërsa në Elbasan janë konfirmuar tre raste të reja, klientë të restorantit, ku pronari dhe gruaja e tij rezultuan pozitive.  

Në rang global, koronavirusi ka prekur mbi 1.5 milionë persona, dhe ka marrë thuajse 90 mijë jetë njerëzish. Vendi më i prekur është Amerika, ndërkohë që presidenti kinez ka shprehur hapur shqetësimin se koronavirusi mund të fillojë një valë të dytë infektimi në vendin aziatik. Megjithatë mjekët shqiptarë janë shprehur optimistë, se brenda fundit të muajit nuk do të shënohen raste të reja dhe pandemia do të mundet falë temperaturave të larta. 

(K.M. J.V. F.G/ Dosja.al)

  • 17:40

    Shkon në 23 numri i viktimave nga Covid-19 në Shqipëri, vdes 72-vjeçarja tek Infektivi

    Një e moshuar, 72 vjeçe ka ndërruar jetë në spitalin e Infektivit, pasi ishte e infektuar me Covid-19. Lajmin e hidhur e ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë, e cila shkruan se e moshuara vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruse: insuficenca renale kronike, hipertensioni dhe hipotiroidizëm. 72-vjeçarja me inicialet V.S., e çon numrin e viktimave nga koronavirusi në 23. Ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive prej disa ditësh, ndërsa gjendja e saj është rënduar së tepërmi gjatë ditës së sotme, kur edhe është intubuar. Sipas njoftimit të ministrisë, pavarësisht trajtimit mjekësor dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve, 72-vjeçarja nuk ka arritur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.

  • 15:26

    6 policë të infektuar tek Policia e Tiranës, s’gjurmohen kontaktet e ngushta, efektivëve të tjerë të togës s’ju bëhet tamponi

    Që prej mëngjesit të sotëm, Dosja.al ka raportuar rastet e infektimit në radhët e policisë së Shtetit. Kështu, sot, janë konfirmuar në total 6 efektivë policie, që shërbejnë tek Drejtoria e Policisë në Tiranë.

    Burime pranë PSH, sqaruan se bëhet fjalë për efektivë të cilët kanë patur kontakte të shumta me të paraburgosur dhe kolegë të tyre. Efektivët e infektuar janë pjesë e shërbimit të shoqërimit, dhe dhomave ku mbahen të shoqëruarit në drejtorinë e Policisë Tiranë.

    Po të njëjtat burime rrëfyen frikën që është krijuar në ambientet e kësaj drejtorie ku edhe policëve të tjerë që janë pjesë e togës të të infektuarve nuk iu është bërë tamponi për të parë nëse janë të prekur apo jo me COVID-19. E vetmja përgjigjie që iu është dhënë efektivëve është se në rast se kanë temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje të kontaktojnë me 127.

    Policët e infektuar tashmë janë në karantinë dhe njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë. Situata është e rëndë edhe në Komisariatin e Vorës ku iu janë marrë tamponët disa efektivëve të cilët dyshohet se mund të jenë të infektuar me koronavirus. Numri i të infektuarve në të gjithë Shqipërinë ka arritur në 409 dhe 22 viktima.

  • 14:48

    Vetëm 7 ditë tek Infektivi, del nga spitali 52-vjeçari nga Dobraçi! Për dy javë s’do t’i afrohet 9 familjarëve të tjerë

    Foto ilustruese

    Një tjetër person lë spitalin Infektiv, duke mposhtur koronavirusin. Pas 7 ditësh i shtruar, është dërguar në shtëpi 52-vjeçari nga Dobraçi i Shkodrës. Përgjigjja e tamponit të tij ka rezultuar negative ditën e sotme, ndërkohë që ai ishte i vetmi nga gjithsej 10 të infektuar në rrethin e tij familjar, që ishte shtruar në spital prej disa ditësh. 52-vjeçari do të karantinohet veç familjarëve të tij për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

  • 12:44

    Fiton betejën me COVID-19 infermierja në Tiranë, shkon në 28 numri i personelit mjekësor të shëruar

    Foto e publikuar nga ministrja Ogerta Manastirliu

    Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar mesditës e sotme se kla shkuar në 28 numri i personelit mjekësor të shëruar. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo është shprehur se betejën me COVID-19, e ka fituar edhe një infermiere në Tiranë.

    “Çdo personel i sistemit shëndetësor që e fiton betejën e tij me 🤜#COVID19🤛 është një lajm që më gëzon pa masë! Edhe 1️⃣ infermier në Tiranë është shëruar pas testit konfirmues në laboratorin e virologjisë në ISHP🙏🏼 Shkon në 2️⃣8️⃣ numri i personelit mjekësor të #shëruar nga COVID-19 ✅ Deri tani janë 1️⃣6️⃣5️⃣ pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me 🤜#COVID-19🤛 #FORCA”, “njofton Ogerta Manastirliu.

  • 12:31

    COVID-19 nuk njeh moshë/ Rëndohet gjendja e 24-vjeçarit të infektuar në Elbasan, niset me urgjencë drejt “Shefqet Ndroqit”

    Foto ilustruese

    Një pacient 24-vjeçar i infektuar me COVID-19 është transportuar me urgjencë mëngjesin e sotëm nga spitali i Elbasanit drejt atij “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, i cili është kthyer në një spital “Covid2”. Burime për Dosja.al bëjnë me dije gjendja shëndetësore e 24-vjeçarit është rënduar, pasi ka temperaturë të lartë dhe probleme me frymëmarrjen.

  • 10:31

    Lajm i mirë nga Lezha, shërohen 3 pacientë, mes tyre edhe një infermiere, nuk konfirmohet asnjë rast i ri

    Mjekët e Lezhës

    3 persona në Lezhë kanë fituar betejën me COVID-19, mes tyre janë një infermiere dhe një punonjëse e shërbimit mjedisor. Po kështu, në 24 orët e fundit nuk ka rezultuar asnjë person tjetër i infektuar në këtë qytet.

    Reagimi i spitalit Lezhë:

    Lajm i mirë Testimet e ditëve të fundit konfirmojnë shërimin e 3 rasteve të para të prekura nga COVID-19 në Lezhë. Mes tyre edhe infermierja dhe punonjësja e shërbimit mjedisor të spitalit tonë. Nuk konfirmohen raste të reja në testimet e realizuara. Duke falenderuar qytetarët për bashkëpunimin e deritanishëm, bëjmë thirrje të vazhdojmë të respektojmë me përpikmëri rekomandimet mjekësore si dhe zbatimin korrekt të masave të ndërmarra për distancimin social. Me përgjegjësi dhe solidaritet së bashku drejt fitores!

  • 11:32

    Një tjetër i infektuar mbërrin tek Infektivi, burri me çantë në dorë zbret nga ambulanca dhe futet në spital

    Paraditen sotme ka mbërritur me autoambulancë tek Spitali Infektiv, një burrë rreth të 50-ave, i cili është i infektuar me  COVID-19. Siç shihet edhe në video, ai nuk është transportuar me barrelë, por pasi ka zbritur nga ambulanca është futur vetë brenda spitalit.

  • 10:55

    COVID-19 përhapet në Polici/ Shkon në 4 numri i efektivëve të prekur në Tiranë, mes tyre një polic në Vorë

    Foto ilustruese

    Shkon në 4 numri i punonjësve të Policisë në Tiranë, të cilët janë të infektuar me COVID-19. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se të infektuar janë 3 policë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe një efektiv i Komisariatit të Vorës. Ndërkohë, disa kolegëve të tyre u janë marrë tamponët dhe pritet përgjigja e analizave. Pak më herët Dosja.al raportoi se disa punonjës të komisariatit të Vorës janë vetëizoluar, pasi dyshohet se janë të infektuar.

  • 11:01

    E pranoi vetë se ishte me koronavirus, ‘pacientja 69’ fiton betejën me pandeminë, shërohet dhe nëna e saj

    Pacientja numër 69

    E ashtuquajtura pacientja numër 69 dhe nëna e saj janë shëruar plotësisht nga koronavirusi. Analiza e të dyjave ka dalë negative dhe duhet të qëndrojnë në shtëpi për 14 ditë të tjera në mënyrë që të sigurohen 100% se nuk kanë më asnjë gjurmë pandemie në trupin e tyre.  Më 28 mars u shërua nga COVID-19, edhe nëna e saj, e cila ndryshe nga pacientja 69, u shtua në spitalin Infektiv. Pacientja 69, kështu zgjodhi ta quante veten, bëri një video-mesazh në faqen e saj në Instagram, mesazh që më pas përfundoi në faqen e kryeministrit Edi Rama.

  • 11:02

    Vetëm 9 raste të reja me koronavirus në Shqipëri! MSH: 53% e të prekurve janë meshkuj, 165 pacientë janë shëruar

    Vetëm 9 raste të reja me koronavirus janë shënuar për 24 orët e fundit në Shqipëri. Në përditësimin e përditshëm të shifrave Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në vend janë 3223 testime të kryera gjithsej, dhe harta është shtuar me 6 të infektuar në Tiranë dhe 3 pacientë të tjerë pozitivë në Elbasan. Ndërkohë 22 persona kanë humbur ‘luftën’ me pandeminë globale. Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin në 165. Deri më tani, në spitalin Infektiv janë shtuar 52 të infektuar, 5 prej të cilëve janë në terapi intensive. Ndërsa tek “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar, 5 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar. Një detaj interesant është edhe fakti që 53% e të infektuave nga covid-19  në vendin tonë janë meshkuj. Në fund të deklaratës së saj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkoi edhe njëherë respektimin e masave të sigurisë dhe distancimin social. Kjo pasi ditët e fundit janë rritur rastet brenda familjes. he brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

    NJOFTIMI I PLOTË:

    Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 234 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3223 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 409 raste. Siç shihet edhe grafikisht, përqindja më e lartë e të prekurve janë meshkuj, me 53%. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 165. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. 5 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Elbasan 3 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

    – Tiranë 196 raste
    – Durrës 38 raste
    – Lushnje 5 raste
    – Elbasan 15 raste
    – Fier 32 raste
    – Kavajë 8 raste
    – Rrogozhinë 4 raste
    – Korçë 17 raste
    – Vlorë 5 raste
    – Shkodër 45 raste
    – Lezhë 14 raste
    – Berat 2 rast
    – Has 12 raste
    – Krujë 5 raste
    -Tropojë 4 raste
    – Pukë 4 raste
    – Mirditë 3 raste

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.

  • 10:46

    E kishte hapur deri të premten, si e shkeli ligjin pronari i restorantit në Elbasan, infektoi gruan dhe klientët

    Gjykata e Elbasanit

    Detaje të reja janë mësuar lidhur me restorantin në Elbasan, ky i infektuar rezultoi pronari dhe bashkëshortja e tij. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se restoranti ka qëndruar i hapur deri të premten e shkuar edhe pasi pronari kishte rezultuar pozitiv. Mësohet se gjatë gjithë kohës është ofruar edhe ushqim, dhe është frekuentuar nga mbi 100 klientë, përfshirë edhe prokurorë e gjykatës për shkak të afërsisë me Gjykatën e Rrethit të Elbasanit.

  • 9:35

    Lajm i mirë nga Lezha, shërohen 3 pacientë, mes tyre edhe një infermiere, nuk konfirmohet asnjë rast i ri

     3 persona në Lezhë kanë fituar betejën me COVID-19, mes tyre janë një infermiere dhe një punonjëse e shërbimit mjedisor. Po kështu, në 24 orët e fundit nuk ka rezultuar asnjë person tjetër i infektuar në këtë qytet.

    Reagimi i spitalit Lezhë:

    Lajm i mirë Testimet e ditëve të fundit konfirmojnë shërimin e 3 rasteve të para të prekura nga COVID-19 në Lezhë. Mes tyre edhe infermierja dhe punonjësja e shërbimit mjedisor të spitalit tonë. Nuk konfirmohen raste të reja në testimet e realizuara. Duke falenderuar qytetarët për bashkëpunimin e deritanishëm, bëjmë thirrje të vazhdojmë të respektojmë me përpikmëri rekomandimet mjekësore si dhe zbatimin korrekt të masave të ndërmarra për distancimin social. Me përgjegjësi dhe solidaritet së bashku drejt fitores!

  • 9:54

    Shkon në 15 numri i të infektuarve me koronavirus në Elbasan, mes tyre 2 studentë të gazetarisë

    Foto ilustruese

    Shkon në 15 numri i personave të infektuar nga koronavirusi në qytetin e Elbasanit. Të infektuar të tjerë, janë edhe 3 klientë të pronarit të restorantit, i cili infektoi edhe bashkëshorten e tij. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se dy prej të infektuarve janë studentë gazertarie të vitit të parë, ndërsa tjetri është një 45-vjeçar. Të tre kanë qënë në restorant, ku edhe dyshohet se janë infektuar.

  • 9:42

    U gjet i pajetë në banesën e tij në Sarandë, 70-vjeçarit amerikan i merret tamponi për koronavirus, sot përgjigjja

    Robert Hood

    Trupi i shtetasit amerikan Robert Hood, është sjellë që dje në Tiranë për t’ju bërë ekspertiza mjeko-ligjore pasi dyshohet se ka ndërruar jetë prej koronavirusit. 70-vjeçari u gjet i pajetë në banesën e tij. Gjithashtu tamponet u janë bërë edhe 5 qytetarëve të tjerë, por rezultatet kanë qënë negativë. Deri më tani nga Saranda janë marrë 30 tampon dhe fatmirësisht përgjigja për të gjithë ka qënë negative.

  • 9:18

    Incident i sikletshëm te Infektivi/ Bluzat e bardha nxitojnë të fusin pacientin me covid-19 në spital, barrelës i këputet këmba. Tritan Kalo dëshmitar okular, si ndodhi gjithçka

    Një incident ‘i vogël’ ka ndodhur mëngjesin e sotëm në spitalin Infektiv, ku një pjesë e barrelës që transportonte një pacient me koronavirus është prishur. Të veshur me kostumin e tyre mbrojtës, personeli i bluzave të bardha e ka nxjerrë burrin nga ambulanca dhe në momentin që janë drejtuar për të hyrë në Infektiv, një prej këmbëve të barrelës është mbyllur, por fatmirësisht pa i shkaktuar dëme të infektuarit.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Bashkë me barrelën është rrëzuar edhe një prej bluzave të bardha, të cilit i mbeti këmba poshtë pasjisjes transportues, ndërsa ‘dëshmitar’ i gjithë skenës është mjeku Tritan Kalo, i cili siç shihet në foto sapo po futej në spital.

  • 8:37

    Dyshohet se janë prekur nga COVID-19/ Vetëizolohen disa punonjës të komisariatit të Vorës

    Foto ilustrurse

    Disa punonjës të komisariatit të Vorës janë futur në karantinë, pasi dyshohet se janë të infektuar me COVID-19. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ata kanë shfaqur disa simptoma, si kollë dhe temperaturë dhe janë në pritje të përgjigjeve të analizave.

  • 7:19

    COVID-19/ Infektohet punonjësi i Policisë në Tiranë, u merret tamponi 5 kolegëve të tij

    Foto ilustruese

    Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 në Tiranë. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se është infektuar edhe një punonjës policie, ndërkohë u është marrë tamponi edhe  5 policëve të tjerë, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarin. Të njëjtat burime bëjnë me dije se punonjësi i Policisë së Tiranës, i cili rezultoi i prekur me COVID-19,  prej një jave është vetëizoluar. Gjendja shëndetësore e tij është e stabilizuar. Po kështu, mësohet se edhe disa efektivë policie të komisariatit të Vorës janë karantinuar, pasi kanë pasur simptoma të virusit.

  • 6:47

    11 pacientë të tjerë fitojnë betejën me COVID-19, shkon në 165 numri i të shëruarve, Rama: Lajm i mirë!

    Edi Rama

    Kryeministri Edi Rama ka njoftuar së fundmi se edhe 11 pacientë të tjerë kanë fituar betejën me COVID-19. “Lajm i mirë, 11 të shëruar sot”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook. Numri i të shëruarve në vendin tonë ka shkuar në 165.

Shto Koment