Aktualitet

COVID-19/ 15 viktima dhe 259 të infektuar, shkon në 67 numri i të shëruarve, virusi godet moshën 50-vjeçare

Bilanci i viktimave u rëndua pasditen e djeshme pasi dy të infektuar që ndodheshin në intubim, humbën jetën. Në total në të gjithë Shqipërinë janë 259 të infektuar. 15 persona janë shëruar përgjatë 24 orëve të fundit.
Featured image of article: COVID-19/ 15 viktima dhe 259 të infektuar, shkon në 67 numri i të shëruarve, virusi godet moshën 50-vjeçare Ilustrim
Përditësuar:

SHQIPËRI- 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa 259 të tjerë janë infektuar nga Covid-19, në vendin tonë. Bilanci i viktimave u rëndua pasditen e djeshme pasi dy të infektuar që ndodheshin në intubim, humbën jetën. I pari, një 77-vjeçar nga Kavaja, me inicialet I. B., i cili pësoi infarkt miokardi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje si: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake. Përveç tij, ka ndërruar jetë edhe 69-vjeçari me iniciale R. P nga Hasi. Ai trajtohej prej 8 ditësh në spitalin Infektiv, ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar).

Lajmi i mirë është që numri i pacientëve të shëruar ka shkuar në 67, pasi mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama njoftoi se janë shëruar edhe 15 persona të tjerë. Harta e të prekurve nga COVID-është zgjeruar në 17 qytete, ku mbizotërojnë 129 raste në Tiranë, 26 në Durrës 23 në Fier dhe 15 në Korçë. Qytetet e tjera kanë nga 1-5 raste.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Silva Bino, përfaqësuese e ISHP teksa bëri publike të dhënat ditën e sotme, bëri me dije se mosha mesatare e të infektuarve në Shqipëri është 50 vjeç.

Po kështu, shqiptarët vijojnë të jenë të izoluar në banesat e tyre. Çdo qytetarët që do të bëjë pazar, duhet të njoftojë autoritetet një ditë para dhe pas marrjes së autorizimit mund të dalë nga banesa. Lejohet një vetëm një person në familje të bëjë pazar dhe orari i lejuar është vetëm 1 orë në ditë.

(J.V/F.M/F.G/Dosja.al)

  • 22:24

    Shërohet pacienti i parë me COVID në Korçë, 32-vjeçari lë Infektivin

    Një prej pacientëve nga Korça që ishte shtruar në Spitalin Infektiv është shëruar. Mjeku i Spitalit të Korçës në një reagim në Facebook, ku shkruan se pacienti 32-vjeçar ka lënë spitalin. Litjan Broka më tej shkruan se pas dy testeve ai ka rezultuar negativ me COVID-19 dhe është lënë i lirë të kthehet në shtëpinë e tij, ku do të qëndrojë sërish për 14 ditë i izoluar deri në nisjen e jetës së tij normale si të qytetarët e tjerë.

    Postimi

    “Sapo mberiti ne Korce pacenti i pare nga qyteti i cili le Spitalin Infektiv plotesisht i sheruar 🙂 Faleminderit gjithe stafit mjeksor te Spitalit Infektiv dhe Spitalit Rajonal te Korces qe ne dy faza sebashku ndihmuan Laertin te kalonte me sukses semundjen e Corona Virusit. Urojme qe kemi lajme te mira per te gjithe qytetaret e Korces por dhe gjithe Shqiperise te prekur nga Covid-19. #Forca”, shkruan doktori.

  • 22:06

    Konfirmohen 3 raste të tjera me Covid-19 në Elbasan, infektohet punonjësja e bankës, ia ngjit edhe dy vajzave

    Foto ilustruese

    Konfirmohen edhe 3 raste të tjera me Covid-19 në Elbasan. Burime të Dosja.al bëjnë me dije se e infektura është një punonjëse e një banke të dytë, e cila ia ka përcjellë pandeminë edhe dy vajzave të saj përkatësisht 22 dhe 25 vjeç. 52 vjeçarja  dyshohet se ka pasur kontakt me një 62 vjeçare të infektuar.

  • 17:16

    Dy testet i dolën negativë, djali i deputetes së PS fiton betejën me koronavirusin, Dhima nuk e përmban dot gëzimin: Qofshi të bekuar!

    Antoneta Dhima

    Djali i deputetes së Partisë Socialiste në Fier, Antoneta Dhima është shëruar nga koronavirusi. 26-vjeçari është kthyer në shtëpi ku do të qëndrojë i mbyllur për 14 dtë të tjera pasi dy testet i kanë dalë negativë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë, deputetja Dhima, e cila nuk i kurseu falenderimet ndaj stafit mjekësor, duke mos e fshehur gëzimin për lajmin e marrë.

    Faleminderit të gjithëve për sakrificën e pamasë që bëni në këtë periudhë të vështirë. Qofshi të bekuar të gjithë Ju që mjeksinë nuk e keni thjesht një profesion, por një mision që ju vendos përditë përballë sfidave, edhe të panjohura. Faleminderit edhe të gjithëve,”-shkruan ndër të tjera ajo.

    POSTIMI I PLOTË:

    E lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën. Falenderimet shkojnë për të gjitha bluzat e bardha, mjekët, infermierët, epidemiologët, imazheristët, laborantët dhe stafet mbështetëse, në Fier, Tiranë e kudo. Jeni ju që luftoni në frontin e parë të kësaj lufte globale, një lufte që me këmbëngulje e forcë ne do ta fitojmë. Edhe pse nuk zgjodha të jepja lajmin për nisjen e kësaj lufte, jam e ngazëllyer që tani i uroj tim biri shëndet dhe jetë, dhe po i njejti urim shkon për të gjithë Ju, që vazhdoni të kuroheni nga ky virus, që nuk zgjedh, duke na kujtuar se të gjithë jemi të barabartë.  Faleminderit të gjithëve për sakrificën e pamasë që bëni në këtë periudhë të vështirë. Qofshi të bekur të gjithë Ju që mjeksinë nuk e keni thjesht një profesion, por një mision që ju vendos përditë përballë sfidave, edhe të panjohura. Faleminderit edhe të gjithëve. Ju miq dhe mikesha që në këto ditë të vështira më qëndruat pranë me mesazhet e telefonatat Tuaja, duke treguar se miqtë më të mirë, janë ata që nuk të harrojnë në ditë të vështira. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi, ndaj bëjeni edhe Ju. Dhe kujtoni, që vetëm bashkë do tja dalim.
  • 15:28

    Kina ndihmë për Shqipërinë, sjell teste për COVID-19, ISHP: Falenderime dhe mirënjohje pa fund

    Ndihmat e nisura nga Kina

    Kina ndihmë për Shqipërinë me teste për COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik, megjithatë nuk e ka bërë të ditur numrin e ndihmave që kanë mbërritur nga vendi prej ku edhe nisi pandemia globale.

    “Instituti i Shëndetit Publik falënderon ambasadën kineze në Tiranë për mbështetjen që i bëri sot duke dhuruar teste për COVID-19. Kjo nuk është vetëm një ndihmë në këto momente të vështira, por edhe një gjest bujarie i një vendi të madh dhe me zemër akoma edhe më të madhe. Falenderime dhe mirënjohje pa fund qeverisë kineze për kujdesin e treguar ndaj popullit shqiptar!” shkruan ISHP në një postim në Facebook.

  • 13:31

    Ogerta Manastirliu jep lajmin e mirë: 5 mjekë dhe infermierë janë shëruar

    Foto e publikuar nga Ogerta, stafi mjekësor tek Infektivi

    5 mjekë dhe infermierë rezultojnë të shëruar pas testimit konfirmues të kryer në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu me një postim në Facebook ka ndarë lajmin e mirë, duke theksuar se janë 13 mjekë dhe infermirë të shëruar deri më tani në Tiranë dhe Durrës.

    COVID-19 Lajm i mirë🙏🏼 Edhe 5️⃣ mjekë dhe infermierë të shëruar🙏🏼 Shkon në 1️⃣3️⃣ numri i personelit mjekësor të #shëruar në Tiranë dhe Durrës✅ Deri tani janë 6️⃣7️⃣ pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me 🤜#COVID-19🤛 #FORCA”,  ” , shprehet ministrja.

  • 11:21

    E infektuar Zv/drejtoresha e QSUT, Silva Bino: Mos u merrni me emra të veçantë, është në krye të detyrës dhe gëzon shëndet të plotë!

    Silva Bino, perfaqesuese e ISHP

    MSh sqaron se zv.drejtoresha e QSUT, Danjela Nika nuk është e infektuar me koronavirus. Në komunikimin e përditshëm pyetje-përgjigje, Silva Bino, përfaqësuesja e ISHP dhe MSH tha: “Ajo gëzon shëndet të plot dhe do doja shumë që të merreshim me emra të përveçëm, të përfundojë e gjithë kjo gjë e marrjes së emrave të përveçëm për cdo person që është publik dhe drejton dhe menaxhon këtë situatë. Natyrisht mund të kemi emra, por nuk duhet identifikuar. Gëzon shëndet të plot dhe është në krye të detyrë”.

    Ndërkohë që gjendja e Andi Koraqit, shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT është e mirë. “Gjendja është e stabilizuar, po e ndjekim në vijim”, -tha Bino. Deri më tani, janë disa zyrtarë të kupolës së mjekësisë shqiptare që janë të infektuar. I pari ishte shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, dhe Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami. Mbrëmë u konfirmua informacioni se i infektuar është edhe “Dr.Luli”, Dhimitër Kraja, i cili u rikthye pas 48 vitesh punë për të ndihmuar në vijën e parë kundër COVID-19.

  • 10:52

    COVID-19/ 16 raste të reja dhe 15 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, 259 të infektuar në të gjithë vendin

    16 raste të reja në 24 orët e fundit janë konfirmuar me koronavirus në Shqipëri, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 259. Silva Bino, përfaqësuese e ISHP bëri përditësimin e të dhënave, ku sqaroi se ka një rritje të numrit të personave të testuar, ku nga 152 të dyshuar, 16 kanë rezultuar pozitiv. Mosha mesatare e të infektuarve COVID-19 është 50 vjeç. Bino dha edhe një lajm të mirë, kur tha se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 15 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 67.

    NJOFTIMI I MSH:

    Në vijim të komunikimit të përditshëm më Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive. Epidemiologët në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor nga veriu në jug, janë në terren dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të identifikuar në kohë kontaktet, pas verifikimit të rasteve të dyshuara.

    Në 24 orët e fundit janë testuar 152 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1823 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 259 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitve me COVID-19 është 50 vjeç.

    Numri i personave që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri është 15.
    Në shërbimin infektiv aktualisht janë 79 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi 1 pacient të shtruar. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 15 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 67. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

    – Tiranë                 140 raste
    – Durrës                  29 raste
    – Lushnje                4 raste
    – Elbasan                 5 raste

    – Fier                       23 raste
    – Kavajë                  5 raste
    – Rrogozhinë        2 raste
    – Korçë                    16 raste
    – Vlorë                   5 raste
    – Shkodër                8 raste
    – Lezhë                   5 raste
    – Berat                    1 rast
    – Has                      2 raste
    – Krujë                    5 raste
    -Tropojë                4 raste
    – Pukë                       3 raste
    – Mirditë             2 raste

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 0800 40 40 për përfitimin e barnave me rimbursim dhe çdo pyetje për COVID-19, ndërsa në numrin e urgjencës kombëtare 127 duhet të telefonojnë nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19.

  • 10:19

    Dy punonjës së spitalit të Rrëshenit të infektuar, fatmirësisht stafi mjekësor nuk rezulton i prekur

    Foto ilustruese

    2 persona rezultojnë të infektuar me COVID-19 në Mirditë dhe ata janë dy punonjës të spitalit të Rrëshenit. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se fatmirësisht deri më tani asnjë nga personeli mjekësor në Mirditë nuk është i infektuar. Mësohet se stafi mjekësor ka kryer analizat dhe rezultatet kanë dalë negative. Këta të fundit kanë qenë në kontakt ditët  e fundit me dy punonjësit e spitalit.

  • 7:18

    “Lajm i mirë”, Rama tregon gjendjen e pacientëve të infektuar: 15 të shëruar sot!

    Edi Rama

    Kryeministri Edi Rama, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka dhënë lajmin se 15 persona të tjerë, kanë fituar betejën me COVID-19. “Lajm i mirë, 15 të shëruar sot”, shprehet Rama në një postim në Facebook.

Shto Koment