Bota

Charles Kupchan: Integrimi ekonomik nuk është garancë e pajtimit politik

Pothuajse gjithçka tjetër ka të bëjë me lidhjet ekonomike ose çështjet humanitare. Nëse shikoni prapa, marrëveshjet që janë kryesisht ekonomike dhe kanë mungesë të përmbajtjes politike nuk e arrijnë qëllimin e shpallur.
Featured image of article: Charles Kupchan: Integrimi ekonomik nuk është garancë e pajtimit politik Charles Kupchan

Nëse shikon historinë, integrimi ekonomik nuk është garancë e pajtimit politik, thotë për Radion Evropa e Lirë, Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, duke komentuar marrëveshjen, të cilën në Shtëpinë e Bardhë e kanë nënshkruar Kosova dhe Serbia me 4 shtator.

“Në të vërtetë, në shumicën e rasteve që tash më bien në mend, ka pasur një integrim ekonomik pa ndonjë ndikim të madh politik. Për këtë arsye mendoj se është e rëndësishme të vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit më shumë në drejtimin politik. Ndryshe, ju mund të shihni rritjen e tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë, vendkalime të reja kufitare, autostrada, por kjo nuk çon në normalizimin politik”, thotë Kupchan, i cili njëherësh është edhe profesor në Universitetin Georgetown në Uashington.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik, ka njoftuar të premten presidenti amerikan, Donald Trump, duke e quajtur këtë ngjarje si një përparim të madh dhe ditë historike. Si e vlerësoni ju thelbin dhe qëllimin e vërtetë të marrëveshjes së arritur të premten?

Charles Kupchan: Mendoj se me siguri të plotë mund të thuhet se është një hap i rëndësishëm përpara, në rend të parë, pasi liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë nënshkruar marrëveshje, e cila duhet të nxisë integrimin më të madh ekonomik. Kjo është një gjë e madhe kur kemi parasysh sa të komplikuara janë raportet mes dy vendeve, që nga shpallja e pavarësisë nga ana e Kosovës. Por, unë nuk do ta mbivlerësoja rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Nuk do të pajtohesha me presidentin Trump që kjo është një e arritur historike, sepse ka mbetur ende shumë për tu bërë.

Kemi parë në të kaluarën se marrëveshjet që bëhen për hekurudhat apo autostradat, nuk zbatohen gjithmonë. Të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, natyrisht se ekzistojnë edhe arsye për optimizëm dhe gëzim. Kur shikoj detajet e marrëveshjes, njëra prej gjërave që më shqetësojnë është fakti se ajo është pothuajse plotësisht e natyrës ekonomike, me shumë pak përmbajtje politike. Mendoj se përmbajtja kryesore politike në marrëveshje është se Kosova për një vit nuk do të kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe që pala serbe do të pezullojë fushatën e tërheqjes së njohjeve.

Pothuajse gjithçka tjetër ka të bëjë me lidhjet ekonomike ose çështjet humanitare. Nëse shikoni prapa, marrëveshjet që janë kryesisht ekonomike dhe kanë mungesë të përmbajtjes politike nuk e arrijnë qëllimin e shpallur.

Me një qasje të ngjashme është vepruar nga administrata Trump në rastin e Izraelit dhe palestinezëve: le të përqendrohemi në ekonomi, tregti, investime. Sidoqoftë, nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet e tyre.

Radio Evropa e Lirë: A nuk mendoni se normalizimi ekonomik do të mund të krijonte, të paktën pjesërisht, qetësimin e tensioneve politike?

Charles Kupchan: Mendoj se mund të ndihmojë, por nuk është garancë. Me fjalë të tjera, në fund të fundit, duhet të përfshini edhe çështjet politike dhe jo vetëm ato ekonomike. Kur e keni vetëm ekonominë dhe jo politikën, nuk do të merrni rezultatet për të cilat keni shpresuar. Shikojeni Bosnje dhe Hercegovinën, ku ka pasur mjaft investime, përpjekje të mëdha të përbashkëta mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, por në thelb nuk u arrit shumë. Shikojeni Japoninë dhe Kinën ku ka një shkëmbim të madh tregtar, por me shumë pak ndikim gjeopolitik në përmirësimin e marrëdhënieve midis tyre…shikojeni Tajvanin dhe Kinën.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se marrëveshja ekonomike nuk do të mundet që në fund të sjellë edhe pajtimin politik, por vetëm të shërbejë si zëvëndësim i një marrëveshjeje të munguar politike mes Kosovës dhe Serbisë?

Charles Kupchan: Të them edhe njëherë, ky është një hap përpara. Prap, më mirë ky se të mos ketë asnjë rezultat. Por, nëse shihni historinë, integrimi ekonomik nuk është një garancë e pajtimit politik. Në fakt, në një numër të madh rastesh që më vijnë në mendje, ka pasur integrim ekonomik pa shumë ndikim politik. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të vazhdohen bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit në një drejtim më politik. Përndryshe, ju mund të shihni një rritje të tregtisë midis Kosovës dhe Beogradit, kalime të reja kufitare, autostrada – pa çuar në normalizim politik, përveç nëse udhëheqësit nxiten të shkojnë në atë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse keni autostradë, një zonë të lirë ekonomike ose një ‘Mini Schengen’, nëse njerëzit do të udhëtonin dhe investonin më lirshëm, do të bënin tregti dhe do të takonin njerëz me kombësi të ndryshme, kjo mund të zvogëlojë tensionet, të paktën pjesërisht dhe të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje politike.

Charles Kupchan: Po, mund të ndihmojë. Unë e kisha fjalën se, ky është fillimi, jo fundi. Ky është hapi i parë, jo i fundit. Nëse nuk shoqërohet nga një përpjekje e jashtëzakonshme për të ecur përpara në drejtimin politik, mund të mos prodhojë rezultatin për të cilin njerëzit shpresojnë. Por, ka pasur përparim të konsiderueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Pse nuk është kjo marrëveshje trepalëshe, por dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara? A është një lëshim për Serbinë sepse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, megjithëse është njohur nga më shumë se njëqind vende?

Charles Kupchan: Për mendimin tim, ky aspekt i marrëveshjes është shqetësues, sepse supozoj se Serbia nuk dëshironte ‘de facto’ ta njohë Qeverinë e Kosovës duke negociuar dhe nënshkruar një dokument zyrtar me të. Si rezultat, Serbia nënshkroi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe Kosova.

Të dyja palët arritën një marrëveshje përmes Uashingtonit për të ecur drejt normalizimit ekonomik. Por, fakti që ato nuk arritën një marrëveshje zyrtare me njëra-tjetrën është pikërisht ajo për të cilën po flas. Aty mungon politika dhe vetëm integrimi ekonomik nuk do t’i sjellë ato në atë fazë. Është një fillim i mirë, është një themel, por kjo duhet të vazhdojë. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të vazhdojnë të bëjnë presion mbi të dyja palët për të ecur drejt normalizimit politik.

Radio Evropa e Lirë: Fakti që nuk është një marrëveshje trepalëshe, por dypalëshe, a është shenjë se Serbia ka më shumë arsye të jetë e kënaqur sesa Kosova?

Charles Kupchan: Unë mendoj se të dyja palët kanë arsye për të qenë të kënaqura, për faktin e thjeshtë se ka një shkëndijë drite në marrëdhëniet dypalëshe, një arsye për shpresë të re se ato po shkojnë në drejtimin e duhur. A është kjo gjithçka që dikush mund të shpresojë? Nuk është. A është gjithashtu pjesë e përpjekjes së SHBA-së për të nxjerrë në pah arritjet e presidentit Trump? Po. Ne jemi në mes të një fushate zgjedhore dhe presidenti Trump kishte nevojë për një fitore diplomatike sepse disa nga përpjekjet e tij më të jashtëzakonshme për të arritur një marrëveshje me Korenë e Veriut dhe Iranin nuk shkuan mirë.

Por, kohët e fundit ka bërë përparim të rëndësishëm me një marrëveshje midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Të premten, si pjesë e bisedimeve, Serbia ra dakord të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael – në Jerusalem dhe Kosova do të shkojë përpara drejt njohjes dhe normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin. Këto janë gjëra të mëdha, veçanërisht në kontekstin e politikës amerikane.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë pasojat e zbatimit të kësaj pjese të marrëveshjes? Kjo, sigurisht që do të ketë një jehonë më të gjerë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, sepse vendet myslimane që nuk e njohin Kosovën do të jenë të pakënaqura me faktin se Serbia po lëvizë ambasadën e saj në Jerusalem. Po e marrë këtu shembull Iranin.

Gjithashtu, Teherani nuk do ta shikojë me dashamirësi nëse Beogradi dënon Hezbollahun. Në të njëjtën kohë, nëse Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ato vende myslimane që kanë njohur pavarësinë e saj nuk do të jenë të kënaqura.

Charles Kupchan: Po, është një veprim veçanërisht i guximshëm nga Kosova, duke pasur parasysh që ka një shumicë të popullsisë myslimane. Keni të drejtë kur thoni se do të ketë vende në Lindjen e Mesme që nuk do të jenë të kënaqura me atë lëvizje, por ky është një efekt anësor i negociatave me Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Marrëveshja gjithashtu përmend ndalesën e blerjes së teknologjisë 5G nga partnerë jo të besueshëm, e cila është një referencë e fshehtë për Kinën. A do të zemërojë kjo Pekinin zyrtar, duke pasur parasysh se Serbia mbështetet shumë në Kinën, jo vetëm financiarisht?

Charles Kupchan: Serbia luan në disa letra, kështu që një ditë anon nga Perëndimi, do të thotë nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe të nesërmen kthehet drejt Lindjes, duke u mbështetur në Rusinë dhe Kinën. Unë mendoj se marrëveshja e çon Serbinë në Perëndim. Kinës nuk do t’i pëlqejë parashikimi në këtë dokument për teknologjinë 5G. Prandaj, mendoj se, pak nga pak, Serbia po shkon drejt orbitës Atlantike. Siç thash, marrëveshja e së premtes është një tregues i asaj kahje.

Radio Evropa e Lirë: Në ditën e parë të negociatave në Uashington, pika 10 e marrëveshjes tërhoqi vëmendjen më të madhe, e cila, siç pretendoi delegacioni serb, parashikonte njohje reciproke, por të cilën ata e refuzuan. I dërguari i presidentit të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, fillimisht e mohoi atë, por më vonë tha se “nuk ka negociata pa befasi”.

Tash, lind pyetja pse Shtetet e Bashkuara e përfshinë atë pikë nëse e dinin që Serbia do ta refuzonte atë dhe pse ata hoqën dorë kaq shpejt? Për shembull, në Dejton, u ushtrua një presion i madh dhe afatgjatë mbi Sllobodan Millosheviçin për të pranuar disa dispozita, të tilla si korridori me të cilin Republika Serbe në Bosnje është e ndarë në dy pjesë?

Charles Kupchan: Nuk kam informacione nga brenda se si kanë rrjedhur bisedimet, por nuk do të çuditesha nëse administrata Trump të ketë provuar t’i shkojë deri në fund dhe të arrinte normalizimin politik. Ky do të ishte një hap historik përpara. Pse mos ta provoni. Nëse jeni një negociator i mirë, atëherë edhe e bëni.

Më pas, ajo uli pritshmëritë e saj dhe ishte e kënaqur me normalizimin ekonomik, pasi e kuptoi se kjo ishte më së shumti që mund të arrinte përmes një nënshkrimi të palëve me SHBA-në dhe jo me njëra-tjetrën. Kjo, sigurisht që është më pak sesa pritej. Sidoqoftë, më mirë kaq se asgjë.

Duhet të kemi parasysh rrethanat dhe presionin që përballen në vendet e tyre Vuçiq dhe Hoti.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Radio Evropa e Lirë: Para takimit në Uashington, kryeministri Hoti tha se njohja e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë rezultati përfundimtar i negociatave. Pas nënshkrimit të marrëveshjes të premten, ai përsëriti se ajo do të çojë në njohjen reciproke. Në cilat rrethana është e mundur të ndodhë kjo?

Charles Kupchan: Unë mendoj se kjo do të ndodhë. Pyetja është se kur dhe jo nëse do të ndodhë. Sidoqoftë, mendoj se kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt. Unë nuk mendoj se kjo marrëveshje do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve në muajt e ardhshëm. Unë mendoj se në fund të ditës, perspektiva për t’u anëtarësuar në BE do të jetë mjaft joshëse për të nxitur Serbinë dhe Kosovën të normalizojnë marrëdhëniet politike.

BE-ja e ka bërë të qartë se anëtarësimi i Serbisë varet nga normalizimi politik. Unë mendoj se kjo është karta më e rëndësishme. Nuk e di se kur do të ndodhë kjo. Sidoqoftë, ajo që ndodhi të premten jep sinjale se të dyja palët po shkojnë drejt normalizimit të plotë. Ne, nuk mund ta dimë kur dhe në çfarë konteksti do të ndodhë, por të paktën ata janë në rrugën e duhur.

Kjo është gjë e mirë. Vetëm koha mund të tregojë se kur ekonomia do të çojë në normalizim politik. Siç e thashë më parë, askush nuk duhet të mendojë se normalizimi ekonomik do të çojë në vetvete në normalizim politik. Kjo nuk do të ndodhë. Duhet veprimi i liderëve politikë, guximi në Beograd dhe Prishtinë. Prandaj, ky është fillimi dhe jo fundi.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për normalizimin politik, ekziston një parakusht i domosdoshëm për atë që është njohja e ndërsjellë, ose është modeli i “dy Gjermanive” që është përmendur shpesh. Në këtë rast, Serbia nuk duhet të bllokojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, por pa detyrimin për ta njohur atë. Apo mendoni se BE-ja do të insistojë në njohjen e ndërsjellë?

Charles Kupchan: Unë mendoj se BE-ja duhet dhe do të insistojë në njohjen e plotë nga Serbia. Nuk është e mjaftueshme lejimi i Kosovës për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare, ndërsa refuzon ta njohë atë si shtet.

Radio Evropa e Lirë: Në ndërkohë, cila është siguria që kjo marrëveshje do të zbatohet. Një marrëveshje për vendosjen e trafikut ajror dhe hekurudhor midis Beogradit dhe Prishtinës u nënshkrua në Berlin në fillim të këtij viti, por pak është bërë deri më tani. A mjafton vetëm fakti që një nga garantuesit është qeveria amerikane? Gjithashtu, çfarë do të ndodhë nëse Joe Biden fiton zgjedhjet presidenciale, i cili ndoshta do të ketë një qasje tjetër?

Charles Kupchan: Nuk ka asnjë siguri se do të zbatohet. Siç e thatë, marrëveshjet e mëparshme nuk janë zbatuar. Prandaj, është mjaft e mundshme të mendohet se as kjo marrëveshje nuk do të realizohet plotësisht. Një nga problemet është që Trumpi do të përqendrohet plotësisht në politikën e brendshme deri në fund të vitit. Nëse Biden fiton, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të zvogëlojnë angazhimin e tyre për këtë çështje.

Në fakt, Joe Biden i kushton më shumë vëmendje Ballkanit sesa Donald Trump dhe është më i angazhuar në rajon. Mund të supozoj se ai do të jetë shumë i interesuar të insistojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Prandaj, nuk besoj se interesi i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje do të zvogëlohet, pavarësisht nëse Trump do të fitojë ose humbasë zgjedhjet.

Radio Evropa e Lirë: Të hënën, Hoti dhe Vuçiq do të bisedojnë në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. “Ne jemi në dijeni për nënshkrimin e dokumentit në Uashington”, tha një nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano. Ai shtoi se puna do të vazhdojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke u përqëndruar në të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Në të njëjtën kohë, i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajcak deklaroi se BE-ja ka “vija të kuqe”. Sipas jush cili është roli i BE-së? Duket se nuk ka një koordinim të aktiviteteve me Shtetet e Bashkuara.

Charles Kupchan: Unë mendoj se kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku. Të dyja palët duan të njëjtin rezultat. Mendoj se është e dëmshme të shohin një lloj loje ping-pong, ku një ditë angazhohen SHBA-të dhe tjetrën BE-ja. Sidoqoftë, do të ishte më mirë sikur të gjithë të ishin në të njëjtën anë dhe të punonin së bashku.

Administrata Trump nuk është një adhuruese e madhe e BE-së dhe kjo nuk është ndonjë fshehtësi. Kështu që nuk më habit që Grenell dhe Trump duan të luajnë “shfaqjet” e tyre në këtë drejtim. Sidoqoftë, do të ishte më mirë për SHBA-në dhe BE-në sikur të koordinoheshin më për së afërmi. Mendoj se kjo do të ndodhë nëse Biden fiton. Unë mendoj se ai është shumë më i vetëdijshëm për nevojën për të punuar së bashku me partnerët në anën tjetër të Atlantikut.

Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, nëse Trump fiton përsëri, a mendoni se SHBA-ja dhe BE-ja do të vazhdojnë të veprojnë në një mënyrë të pakoordinuar kur bëhet fjalë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, apo ato kanë një dakordim të heshtur që Uashingtoni të këmbëngulë në aspektin ekonomik dhe Brukseli në atë politik?

Charles Kupchan: Unë nuk e di se çfarë po ndodh në prapaskenë. Trump në përgjithësi dëshiron që Shtetet e Bashkuara të veprojnë të vetme. Është një markë tregtare e presidencës së tij. Nëse fiton përsëri, ai vetëm do të përforcojë një qasje të tillë, sepse do të mendojë se ai mori mbështetjen për këtë qasje në zgjedhje.

Mund të ketë disa marrëveshje prapa skenës, por pavarësisht nëse është e mirë apo e keqe, Shtetet e Bashkuara në shumë fronte diplomatike preferojnë të veprojnë të pavarura.

Evropa është çelësi për Ballkanin

Radio Evropa e Lirë: Mbase Kosova, sikurse Serbia, janë më të prirura të pranojnë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në dialog sesa atë të BE-së, derisa Trump është president. Sidoqoftë, siç tha vetë Vuçiq, Ballkani është gjeografikisht në Evropë dhe nëse vendet e rajonit duan të bëhen anëtare të BE-së, ato duhet të bashkëpunojnë me të.

Charles Kupchan: Po, nëse jeni një serb apo një kosovar dhe pyesni se cili vend ose pjesë e botës është më e rëndësishme për ju në dekadat e ardhshme – SHBA-ja apo Evropa Perëndimore?

Kësaj pyetje është e lehtë t’i përgjigjesh – Evropa Perëndimore. Bëhet fjalë për pozicionin gjeografik dhe shkallën e integrimit, herët a vonë, të Ballkanit në shtëpinë më të gjerë evropiane. Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara nuk janë një lojtar i rëndësishëm, por, siç thashë, shpërblimi i vërtetë për Serbinë në fund të këtij procesi është anëtarësimi në BE, dhe jo lidhja e veçantë me Shtetet e Bashkuara ose garantimi i qasjes në kreditë e tyre. Sigurisht, kjo është e rëndësishme dhe mund të thellojë marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Beogradit, por në fund të fundit, Evropa është thelbësore.

Radio Evropa e Lirë: Do të kalojë pak te zhvillimet në një pjesë tjetër të Ballkanit Perëndimor, në Mal të Zi. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare atje ishte padyshim një goditje për (presidentin e Malit të Zi) Millo Gjukanoviq. A ishte çështja e Ligjit për Lirinë e Fesë kyçe për këtë rezultat, apo është pakënaqësia e qytetarëve me udhëheqjen e tij gjithnjë e më autoritare dhe korrupsionin e përhapur?

Charles Kupchan: Kjo më kujton ngjarjet në Ukrainë, ku Kisha Ortodokse e Ukrainës u përpoq të fitonte pavarësinë nga Kisha Ortodokse Ruse. Kishat Ortodokse Serbe dhe Ruse përpiqen të mbajnë pushtetin dhe ndikimin. Në atë kontekst, Gjukanoviqi kërkoi të distancohej nga Serbia dhe të ruante autonominë e Malit të Zi. Sidoqoftë, çështja e saj është më komplekse se ajo ukrainase. Konkretisht, në Ukrainë, Rusia aneksoi Krimesë, ndërhyri në Donbas, gjë që ndikoi në forcimin e identitetit ukrainas kundër Rusisë.

Në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi kemi një ndjenjë më të fuqishme gjuhësore, kulturore dhe fetare dhe kjo e bën këtë çështje shumë më komplekse. Kjo mund të ketë luajtur një rol në humbjen e Gjukanoviqit.

Sidoqoftë, po të shikojmë më gjerë, ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve pozitive në rajon, madje edhe në Bjellorusi. (Presidenti i Ukrainës, Alyaksandr) Lukashenka po lufton për të qëndruar në pushtet. Në pjesë të tjera të Ballkanit, ka pasur ndryshime pozitive, të tilla si marrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për të ndryshuar emrin. Prandaj, rënia e Gjukanoviqit nga skena politike pas kaq shumë kohësh në pushtet është një shenjë pozitive e ndryshimeve që po ndodhin përgjithësisht në Evropë, veçanërisht në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Gjukanoviqi e ka luajtur prej kohësh rolin e një pengese për zgjerimin e Millosheviqit, pastaj përhapjes së ndikimit rus, që mund të jetë edhe arsyeja pse Perëndimi shpesh ka toleruar në heshtje korrupsionin dhe sundimin autoritar të tij. A e tërhoqi përfundimisht Perëndimi këtë mbështetje përpara këtyre zgjedhjeve?

Charles Kupchan: Nuk e di. Unë nuk kam shumë informacion në lidhje me pozicionin e Perëndimit para zgjedhjeve.

Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, në vitet e fundit, ka pasur raporte shumë kritike nga organizata të njohura nga Perëndimi, siç është Freedom House, i cili për herë të parë këtë vit, pas një kohe të gjatë, e klasifikoi Malin e Zi si ‘regjim hibrid’.

Charles Kupchan: Unë besoj se ka ekzistuar një lloj gatishmërie për të toleruar qasjen e Gjukanoviqit, për shkak të orientimit të tij pro-perëndimor. Ai arriti ta anëtarësojë vendin në NATO, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për ta parandaluar atë.

Tani që Mali i Zi është pozicionuar fuqishëm në NATO, është e mundur që mbështetja e Perëndimit të ketë rënë, sepse në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja janë më shumë brengosen për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndryshimet paqësore në qeverisje, nëse kjo ka të ngjarë të ndodhë në Malin e Zi.

Marrë: REL

(A.K.Dosja.al)

Shto Koment