
TIRANË– Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas paralajmërimit të ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim se ka marrëveshje për të ngadalësuar Reformën në Drejtësi.
Basha ka shpërndarë paralajmërimin e Kim dhe në gjuhën angleze është shprehur se të gjitha ndryshimet në ligj janë bërë nga parlamenti, sipas tij me qëllimin për të kapur dhe për të përdorur politikisht sistemin e drejtësisë.
“Çdo ndryshim kushtetues ose ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga parlamenti aktual është i paligjshëm. Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që përdorin fuqinë e tyre për të përdredhur dhe minuar reformën dhe për të kontrolluar dhe kapur politikisht sistemin e drejtësisë,”-shkruan Basha.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama, në mënyrë indirekte ‘ia hodhi fajin’ opozitës duke u shprehur se edhe ai binte dakord me fjalët për një marrëveshje të fshehtë për pengimin e reformës.
Pasditen e sotme, ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, është shprehur se ka dëgjuar zëra për një marrëveshje të fshehtë për të ngadalësuar Reformën në Drejtësi. Ajo paralajmëroi pa përmendur emra se shpresonte që diçka e tillë të mos ishte e vërtetë.
(k.m/dosja.al)