Politike

Cakaj në Washington për marrëveshjen Kosovë-Serbi? Ministria e Jashtme ‘qep gojën’, nuk jep asnjë informacion

I kontaktuar në telefon nga KOHA ministri Cakaj ka refuzuar të komentojë duke thënë se përgjigjet vetëm nëpër rrugë zyrtare.
Featured image of article: Cakaj në Washington për marrëveshjen Kosovë-Serbi? Ministria e Jashtme ‘qep gojën’, nuk jep asnjë informacion Gent Cakaj, ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme

TIRANË- Javën kur planifikohej takimi mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga emisari Richard Grenell, në Washington ka shkuar edhe Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj. KOHA ka arritur ta konfirmojë nga disa burime se Cakaj ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara, por që vizita nuk është bërë publike e as agjenda e takimeve. KOHA merr vesh se Cakaj kishte në plan ta realizojë një takim me emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më 26 qershor, vetëm një ditë para takimit mes delegacioneve nga Kosova dhe Serbia. Derisa takimi i 27 qershorit është anuluar pas publikimit të aktakuzës nga Prokurori i Speciales për presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, nuk dihet nëse Caka do të takohet me emisarin amerikan.

I kontaktuar në telefon nga KOHA ministri Cakaj ka refuzuar të komentojë duke thënë se përgjigjet vetëm nëpër rrugë zyrtare. Madje ka ngritur dyshime nëse është kontaktuar nga gazetari i KOHËS apo dikush tjetër. “Nuk jap përgjigje në këtë formë, i kam kanalet e mia zyrtare të komunikimit, nuk po e di as nëse jeni gazetarë”, ka thënë Cakaj. I pyetur nëse kanë ndonjë mekanizëm nëpërmjet të cilit duhet t’i verifikojnë gazetarët, Cakaj ka refuzuar të tregojë, duke insistuar që përgjigjet të kërkohen tek këshilltarja për media Fiona Demneri. Por edhe pse KOHA i ka shkruar Demnerit prej orës 15:17, ajo nuk ka ofruar përgjigje.

Sqarime nuk ka ofruar as Endri Fuga, zëdhënës i kryeministrit, Edi Rama. Por zyra e ambasadorit Grenell, nuk e ka mohuar as pohuar një takim të tillë, duke sugjeruar që kjo të verifikohet me qeverinë shqiptare. “Kam frikë se nuk kam asgjë për juve në lidhje me ndonjë takim. Ndoshta këtë duhet ta verifikoni me palën shqiptare”, ka thënë shkurt Dick Custin, zëdhënës i Grenellit.

Disa ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, Ministri Cakaj ndërmjetësoi arritjen e marrëveshjes mes partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor. Ndërkaq Thaçi para nisjes për në Washington kishte paralajmëruar se temë diskutimi do të jetë edhe kërkesa e Luginës për bashkëngjitje me Kosovën, sipas plebishitit të vitit 1992. Por ka mohuar se Kosova do të japë diçka në këmbim të Luginës, edhe pse me një rast pati deklaruar se, Kosova nuk duhet të mbetet peng i “Dhuratës së Rankoviqit”, duke iu referuar komunave në veri të Kosovës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kryeministri Rama dhe ministri Cakaj në disa raste janë akuzuar se bëjnë pjesë në planin që implikon ndryshim të kufijve në Ballkan, krahas Vuçiqit, Thaçit dhe ish-shefes së BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini. Ramës i kishte ardhur akuza edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, me të cilin ka pasur disa përplasje për shkak të dialogut dhe taksës. Kryesorja kishte qenë në takimin mes dy qeverive në vitin 2018 kur Rama në sy të Haradinajt i pati quajtur gomarë të gjithë ata që ngrenë dorë kundër Thaçit dhe ia mveshën epitetin e tradhtarit. Edhe në takimet me ndërkombëtarët Haradinaj ishte ankuar se Rama i ka bërë presion për heqjen e taksës më shumë sesa Vuçiqi. Por kryeministri shqiptar ka mohuar të jetë përzier në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama i ka dalë në mbrojtje Thaçit e Veselit, duke e quajtur të papranueshme aktakuzën e cila njerëzit më me peshë në luftën e UÇK-s i ndërlidh me rreth 100 vrasje të shqiptarëve, romëve, serbëve dhe kundërshtarëve politikë. Sipas versionit të kryeministrit Rama, aktakuza ishte një fletërrufe e revolucionit kinez që hedh baltë mbi Kosovën e shqiptarinë. “Besoj që e kam mirëkuptimin tuaj për të komunikuar përmes kësaj foltoreje me të gjithë shqiptarët lidhur me befasinë e djeshme kur pothuajse të gjithë jemi prekur me të dëgjuar se zyra e prokurorit të Kosovës njoftoi se i ka dorëzuar për shqyrtim tribunalit special aktakuzën për Thaçin dhe Veselin, që të dy nismëtarë ndaj revoltës ndaj Millosheviqit dhe UÇK, u dyshuakan për një varg krimesh që sfidojnë imagjinatën”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

(Marrë nga Koha.net)

Shto Koment