Politike

Bushati mesazh të qartë: Presim nga BE-së përcaktimin e datës për fillimin e bisedimeve 

Këtë vit konferenca përkon me një moment të rëndësishëm siç është ai i vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Featured image of article: Bushati mesazh të qartë: Presim nga BE-së përcaktimin e datës për fillimin e bisedimeve  Ditmir Bushati gjatë takimit në Dubrovnik

KROACI- Ish-minsitri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, po merr pjesë në Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare, Dialogu i Dubrovnikut në Catvat të Kroacisë. Deputetë të Bundestagut gjerman, Parlamentit Europian, dhe përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore diskutojnë mbi temën “Bashkimi Evropian në kaos, perspektiva dhe sfidat e vendeve të Evropës Juglindore.

Këtë vit konferenca përkon me një moment të rëndësishëm siç është ai i vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Në fjalën e tij, ish-ministri Bushati theksoi se pas një dekade ishte rikthuer në Forumin e përvitshëm të Cavtat në Dubrovnik, i cili mbledh së bashku parlamentarë nga Bundestag gjerman, Parlamenti Evropian, Evropa Juglindore dhe ekspertë, të interesuar për progresin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Teksa javës tjetër presim nga Vendet Anëtare të BE-së përcaktimin e datës për fillimin e bisedimeve të pranimit, në përputhje me Konkluzionet e BE-së të Qershorit 2018, është me rëndësi që qëndrimet skeptike e frenuese ndaj procesit të zgjerimit të mos ngadalësojnë motivin tonë për të vijuar me  procesin e vështirë të reformave transformuese.  Evropa, si projekt i shpresës është e vetmja rrugë për të fuqizuar demokracinë, për të projektuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror.

Kjo nuk është çështje kapitujsh e ligjesh në letër, por çështje e Shqipërisë së nesërme. Pavarësisht qëndrimit që mund të ketë sot Franca, nesër Holanda apo pasnesër një vend tjetër anëtar i BE, duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga jonë do të jetë e përpjetë. Ndaj, na duhet një Pakt për Evropën dhe angazhim i njëmendtë politik e shoqëror për të ndarë interesin e epërm kombëtar nga politika e ditës. Procesi i anëtarësimit në BE duhet të korrespondojë gjithnjë e më shumë me modernizimin, demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë së nesërme”, ka thënë ai.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment