
PRISHTINË– Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati u përfol se do të bëhej pjesë e Lëvizjes VetëVendosje, e drejtuar nga Albin Kurti. Sipas mediave të Kosovës, kalimi i Bushatit tek LVV-ja ishte shtyrë për shkak se ish-kryediplomati nuk e kishte nënshtetësinë e Kosovës, por sipas tyre me Vjosa Osmanin si president, kjo çështje mund të ‘rregullohet’ për punë ditës.
“Z. Bushati tashmë e ka bërë kërkesën në Presidencë për nënshtetësi të Kosovës. U.d e Presidentës është duke u marrë personalisht me këtë ceshtje dhe u ka kërkuar institucioneve të sigurisë që t’i kryejnë procedurat e verifikimit të tij me procedura të përshpejtuara, që ajo të mund t’ia nënshkruaj atij dekretin. Për shtetësinë e Bushatit ditë më parë janë interesuar edhe zyrtarë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Presidencë, të cilët kanë diskutuar me kabinetin e u.d. Presidentes,”- ka thënë një burim i Gazetës Metro brenda Presidencës.
Por çdo gjë është hedhur poshtë nga vetë deputeti i Partisë Socialiste, i cili i konsideron lajmet e publikuara ndaj tij si “fake-neës”. Vetë Bushati ka reaguar në rrjetet e tij sociale, duke u shprehur se gjithçka është mashtrim, duke mos e kursyer edhe ironinë.
““Lajmi” i botuar në një portal në Kosovë është thjesht mashtrimi i radhës. Kushdo që qëndron pas këtij mashtrimi, i uroj suksese në jetë! Fake news,”-shkruan ish-ministri shqiptar.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Bushatit lakohet për bashkëpunimin me Albin Kurtin dhe me forcën politike të drejtuar prej tij. Më herët ai është përfolur si drejtuesi politik i LVV-së në Tiranë, dhe takimi i tij me Kurtin, pas zgjedhjes së këtij të fundit si kryeministrër bëri bujë në media. Megjithatë këto ‘lajme’ nuk u konfirmuan kurrë.
(k.m/dosja.al)